Ish-ambasadori reagon për mungesën e Kosovës në Samitin e Demokracisë – ngrit dyshime për këtë çështje

Aktuale

Ish-ambasadori reagon për mungesën e Kosovës në Samitin e Demokracisë – ngrit dyshime për këtë çështje

Nga: A.M Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 19:07
Islam Lauka

Zëri i Amerikës nga burimet e saj në Washington ka mësuar se Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci që organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden.

Mirëpo, Kosova nuk mori ftesë për këtë samit ditë më parë, ky vendim nuk u komentua dhe nuk u arsyetua.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

“Me aq sa e njoh unë Kosovën dhe rajonin, ajo do të duhej të ftohej e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Demokracisë. Kosova dallohet për orientimin e qartë proatlantik dhe proeuropian dhe është e angazhuar seriozisht në luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar”, deklaroi Lauka, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Një koment për “No comment” të Departamentit të Shtetit amerikan

Departamenti i Shtetit amerikan deklaroi se nuk komenton pse disa vende nuk u ftuan në Samitin e Demokracisë. Në rast se, midis vendeve të paftuara, nuk do të ishte Kosova, mbase, nuk do të kishte arsye për të komentuar këtë deklaratë të Uashingtonit zyrtar.

Por mungesa e saj në këtë forum, kur dihet që roli amerikan në Kosovë, në 30 vitet e fundit, ka qenë vendimtar, si në ҫlirimin e saj, ashtu edhe në të gjitha fazat e shtetndërtimit, pashmangshëm, të ҫon te pyetja: ҫfarë sistemi vlerash ka mbështetur dhe ndërtuar SHBA për kaq vite, nëse ai nuk ka të bëjë me demokracinë?

Me aq sa e njoh unë Kosovën dhe rajonin, ajo do të duhej të ftohej e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Demokracisë. Kosova dallohet për orientimin e qartë proatlantik dhe proeuropian dhe është e angazhuar seriozisht në luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.

Në vend të “no comment” të Departamentit të Shtetit, do të ishte i mirëpritur rishqyrtimi i qëndrimit të mëparshëm dhe dërgimi i ftesës për Republikën e Kosovës në Forumin e Demokracisë, ftesë që ajo e meriton plotësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat