​DnV: Partitë politike kanë bërë shkelje flagrante të masave kundër COVID-19 gjatë fushatës

Aktuale

​DnV: Partitë politike kanë bërë shkelje flagrante të masave kundër COVID-19 gjatë fushatës

Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 12:09
Eugen Cakolli

Demokracia në Veprim ka paraqitur vlerësimet për periudhën e fushatës zgjedhore të subjekteve politike. Format më të shprehura të fushatës ishin tubimet, ku edhe janë bërë shkelje flagrante të të gjitha masave antiCOVID që janë në fuqi. Shumë takime elektorale janë zhvilluar edhe në hapësira të shkollave, gjë që paraqet shkelje të vendimit të MAShTI-të. DnV ka evidentuar edhe dukurinë e abuzimit të resurseve publike dhe pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime gjatë orarit të punës.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim tha se fushata zgjedhore nuk është ndërprerë që nga shpallja e rezultateve të raundit të parë. 

Cakolli: Partitë politike kanë bërë shkelje flagrante të të gjitha masave anti-COVID 

“Menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve, fushata e kandidatëve të subjekteve politike është zhvendosur nga ajo digjitale tek aktivitetet tradicionale, që ka përfshirë tubime me pjesëmarrje shumë të madhe qytetare apo defilime në sheshe publike. Ndonëse nuk kanë munguar edhe postimet nëpër rrjetet sociale, format më të shprehura të fushatës ishin tubimet dhe pjesëmarrja në emisione televizive. Aktivitetet e kandidatëve nëpër komuna, qofshin këto aktivitete në hapësira të mbyllura apo të hapura në masë të madhe janë zhvilluar në shkelje flagrante të të gjitha masave antiCOVID në fuqi”, tha ai.

Organizimi i tubimeve me numër shumë të madh të njerëzve, mosbartja e maskës dhe mungesa e distancës në këto aktivitete janë evidentuar në secilin tubim të partive politike. 

Përkundër numrit të kufizuar prej 80 pjesëmarrësve, nuk janë marrë veprimet e nevojshme ligjore të institucioneve. 

Cakolli: Një numër i konsiderueshëm i aktiviteteve janë zhvilluar në hapësirat e shkollave

“Është i evidentuar një numër i konsiderueshëm i aktiviteteve të cilat janë zhvilluar në hapësirat e shkollave të ndryshme nëpër komuna, madje në raste të caktuara edhe brenda ndërtesës së shkollave që paraqet shkelje të vendimit të MAShT-it në lidhje me këtë çështje”, ka shtuar ai. 

Sa i përket koalicioneve, Cakolli tha se kjo ka qenë e shprehur pothuajse në të gjitha komunat. Por që, sipas tij marrëveshjet për koalicione nuk ja bërë publike dhe qytetarët kanë mbetur të pa informuar mbi pikat e dakorduara programore. 

Më tej, ai tha se është shënuar një avancim në publikimin e programit qeverisës të kandidatëve për kryetarë të komunave. 

Cakolli: Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë marrë pjesë në tubime në orar të punës 

“Sidoqoftë edhe pse programet janë bërë publike, nuk është bërë e ditur se kush do të jenë personat përgjegjës për implementimin e programit në sektorë të caktuar. E në këtë drejtim asnjë prej kandidatëve në garën e balotazhit nuk e ka bërë të ditur se cili do të jetë ekipi qeverisës. Përkatësisht cilët do të jenë drejtorët që do të udhëheqin me dikasteret e caktuar në nivel lokal. Dukuria e abuzimit me resurse publike gjatë fushatës ka qenë dukshëm më e pranishme në garën e balotazhit krahasuar me atë të raundit të parë dhe ajo është manifestuar me pjesëmarrje të anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime publike apo ecje nëpër sheshe. Gjë që ka ndodhur kryesisht gjatë orarit të punës”, ka theksuar Cakolli. 

Gjatë kohës së fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve është ashpërsuar edhe gjuha mes kandidatëve dhe partive politike. 

DnV u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë, duke njoftuar se në terren të dielën ka 90 vëzhgues në komunat ku ka balotazh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat