EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prishtinën: Arben Vitia prin me 50.9%, Rama 49.1%

Aktuale

EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prishtinën: Arben Vitia prin me 50.9%, Rama 49.1%

Nga: Bota sot Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 07:06
Pamje nga votimet, 14 nëntor 2021

(E plotësuar 19:05) - 

Qytetarët e 21 komunave të Kosovës u janë drejtuar sot për herë të dytë kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm.

Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga kompania UBO-Consulting për RTV Dukagjinin në Komunën e Prishtinës fitues është kandidati i LVV Arben Vitia.

Në bazë të projeksionit të UBO-Consulting: 

Arben Vitia merr 50.9% të votave

Përparim Rama merr 49.1% të votave

Rezultatet e Exit Poll kanë dalë nga qytetarët e pyetur për zgjedhjen e tyre politike në ditën e sotme, duke ruajtur anononimitetin.

Live: Përfundon procesi votimit/Priten rezultatet preliminare

Ka përfunduar procesi i votimit në të gjitha komuna ku është zhvilluar gara për balotazh.

Siç edhe është paraparë zyrtarisht, procesi ka përfunduar në orën 19:00.

21 komuna kanë shkuar në balotazh pasi më 17 tetor nuk ishte arritur që të fitonte vetëm njëri kandidat.

***

Ky është uebi ku mund të njoftoheni lidhur me pjesëmarrjen në votime dhe rezultatet preliminare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave:https://zgjedhjet2021.org 

Rezultatet preliminare të raundit të parë, të mbajtur më 17 tetor, mund t’i gjeni këtu: https://r1.zgjedhjet2021.org

***

Policia ka pranuar 21 raportime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet dhe planifikimet e saja policore lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor balotazhi 2021.

Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë bashkërenduar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përderisa në aspektin policor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Bazuar në informacionet e deritanishme të siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, deri më tani janë pranuar rreth njëzet e një (21) informacione të ndryshme, të cilat përmbajnë kryesisht raportime rreth; ndërhyrje në votim (1), fotografim të votimit (5), fjalosje në qendër të votimit (1), grumbullim të personave në afërsi të qendrave të votimit (7), blerje e votës (2), kanosje (1), bezdisje e qytetareve (1), falsifikim i dokumentit të bexhit (1), person i dehur në qendër të votimit (1) dhe mosmarrëveshje në qendër të votimit (1) informatë.

Nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri (raste) prej tyre, (1) rast në Junik – Pejë ” Pengim i procesit të votimit” ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, (1) rast po ashtu në Junik – Pejë ” Prishje e rendit dhe qetësisë publike” ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe (1) rast në Vushtrri ” Falsifikim i dokumentit”, i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.

Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

Raportoni;

Nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.

***

DnV: Në pjesën e dytë të ditës – entuziazëm më i ulët për të votuar sesa në raundin e parë

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6%, rreth 2% më e ulët se në raundin e parë të zgjedhjeve. Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45%), Juniku (41%) dhe Kllokoti (37%) kurse ndërsa dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në komunën e Prizrenit (19%) dhe Dragashit (17%).

Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në raundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe. Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me raundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime.

Trendi i njejtë i mosrespektimit të masave mbrojtëse kundër COVID 19 ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë të ditës, si nga ana e stafit zgjedhor ashtu edhe nga qytetarët.

Me rritjen e daljes në zgjedhje të votuesve, janë rritur edhe rastet kur të njejtit kanë hasur vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Ky fenomen është raportuar në rreth 35% të vendvotimeve, me deri në 10 raste të raportuara në secilin prej tyre.

Sa i përket votimit me asistencë, trendi ka vazhduar të rritet eksponencialisht që nga orët e paradites, duke bërë që ky fenomen të jetë i shprehur pothuajse në secilin vendvotim. Madje, në mbi 30% të vendvotimeve janë regjistruar deri në 50 raste të votimit me asistencë.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar në dy raste frekuentim të qendrave të votimit nga eksponentë të subjekteve politike, dhe atë në komunën e Gjakovës dhe Podujevës.

***

Kjo është komuna me daljen më të madhe në zgjedhje deri më tani

Deri në ora 15:00 sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë vouar 23.60% e qytetarëve në 21 komunat e Kosovës që janë në balotazh.

Sipas këtyre të dhënave komuna me pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje është ajo e Mamushës.

Në këtë komunë deri në këtë kohë kanë votuar 44,73% për qind e qytetarëve.

Deri në orën 15:00 në Prishtinë kanë votuar vetëm 27.77% e qytetarëve

Sot në 21 komuna të vendit është duke u zhvilluar balotazhi për të zgjedhur të parin e komunës.

E, sipas të dhënave në webfaqen e KQZ-së, deri në orën 15:00 kanë votuar 23.97% e qytetarëve të vendit.

Në balotazh janë duke u përballur edhe dy kandidatët për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia i Vetëvendosjes dhe Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deri në orën 15:00 në Prishtinë kanë votuar vetëm 27.77% e qytetarëve, apo 42 mijë e 267.

***

23,98% e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar deri në këtë orë sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Sipas këtyre të dhënave, Mamusha mbetet komuna me përqindjen më të lartë të qytetarëve që kanë dalë për të votuar me 44,73%.

Një person e fotografon votën, shoqërohet në polici

Një person në Kamenicë është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka fotografuar votën ose për blerje vote.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar lajmin duke thënë se në vend të ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit.

Por, në përgjithësi ai tha se në rajonin e Gjilanit procesi i votimit ka qenë i rregullt.

Ndërsa, njoftoi se pjesëtarët e policisë janë në vëzhgim.

Fjalosje në një qendër votimi në Junik, dy persona shoqërohen për në stacionin policor

Mediat lokale në Junik raportuan për shoqërimin në stacionin policor të kandidati për asamblist të Lëvizjes Vetëvendosje Florim Shala dhe të komisionerit Arsim Miroci.

Lajmin se personat e cekur më lartë janë shoqëruar në polici zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi tha se pas intervistimit personat në fjalë janë intervistuar nga policia më pas janë liruar.

“Pas shoqërimit në stacionin policor dhe pas intervistimit, është konstatuar se s’ka elemente të vepres penale. Rasti është proceduar si prishje e rendit dhe qetesise publike”, u shpreh Nikçi.

U tha se është arrestuar djali i tij, flet kandidati i LDK-së

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu ka thënë se nuk ka informata që është arrestuar djali i tij.

Por këtë e ka mohuar edhe vetë Shehu.

Ai tha se nuk ka informacione dhe se kjo nuk qëndron.

“Nuk kam informacione, tani po dëgjoj, kjo nuk qëndron”, tha shkurt ai.

Lajmin për arrestimin e tij e ka dëftuar Besnik Tariri nga AAK, duke thënë se Visar Shehu, djali i kandidatit për kryetar komune nga radhët e LDK-së Ruzhdi Shehu, është ndaluar nga policia pas kërcënimit të tij kundrejt menaxheres së Qendrës së Votimit.

Djali i kandidatit për kryetar nga LDK-ja intervistohet nga policia, dyshohet se tentoi të votonte dy herë

Djali i kandidatit të LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, është duke u intervistuar nga policia nën dyshimet se ka tentuar të votojë më shumë se një herë.

Lajmin se në në qendrën e votimit 3101C në Junik, një person është shoqëruar për në stacionin policor e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“I njëjti momentalisht është duke u intervistuar nga policia.

Më pas, prokurori do ta vlerësojë se a ka elemente të veprës penale”, tha Nikçi.

Komuna me daljen më të ulët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat për përqindjen e daljes së qytetarëve në zgjedhje.

Sipas KQZ-së, deri në orën 12:00, 89 mijë e 911 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar deri në këtë kohë.

Nga këto të dhëna vërehet se në komunën e Dragashit ka një interesim të ulët të qytetarëve për të votuar.

Deri në orën 12:00 në këtë komunë kanë votuar vetëm 1 mijë e 664 qytetarë apo 4,26%.

Më poshtë gjeni të dhënat e fundit të KQZ-së për secilën komunë:

Image
Image

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin e Edukimit. Pasi ushtroi të drejtën e votës ai kërkoi që qytetarët sa më shumë të dalin dhe të votojnë.

Ndërsa, kryeparlamentari uroi që ky proces i raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të shkojë mirë dhe në mbrëmje të përmbyllet ndershëm dhe fer gara dhe secili të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. 

Konjufca: Uroj që ky proces të shkojë mbarë e mirë 

“Sapo e shfrytëzova të drejtën demokratike e qytetare për të votuar kështu mendoj se duhet të bëjnë qytetarët e Kosovës në mënyrë sa më masive meqenëse sot është vendimi për të zgjedhur kryetarët e komunave anë e mbarë Kosovës. Pra, në këtë pjesë të balotazhit do zgjedhën edhe më shumë kryetar komunash sesa që u zgjedhën në raundin e parë e para është që sa më shumë qytetar është e rëndësishme që të dalin në zgjedhje kurse e dyta është se urojmë që procesi zgjedhor të shkoj mbarë e mirë që mos të ketë parregullsi të për përmbyllet në mbrëmje në mënyrë të ndershme dhe fer dhe që pastaj secili ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, theksoi ai. 

***

Presidentja Vjosa Osmani ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Osmani pas votimit ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin për të votuar për një jetë më të mirë në komunat e tyre.

Tutje, Osmani tha se shpreson që pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje të jetë aktive dhe procesi zgjedhor të jetë i qetë dhe të përfundojë pa ndonjë incident.

“E dimë të gjithe se kontributi qytetar për demokracinë nuk ka përfunduar me 17 tetor. Sot është një ditë e rëndësishme dhe është me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi qytetar që nesër të kenë një jetë më të mirë në komunat e tyre. Shpresoj që si në të kaluarën të kemi një pjesëmarrje aktive dhe ky proces të konsiderohet demokratik dhe i lirë sikurse para një muaji”, ka thënë Osmani para mediave.

Krejt në fund presidentja falenderoi mijëra vëzhgues, komisionerë, policë e gazetarë për punën që po bëjnë sot që ky proces përfundoj si duhet.

***

Ish-Presidentja Jahjaga voton: Bëhuni akterë aktivë të demokracisë

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë me dije se tashmë ka votuar.

“Unë hodha votën time në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë dhe ju inkurajoj të gjithëve që të shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar dhe të bëheni akterë aktivë të demokracisë lokale”.

Image
Atifete Jahjaga

“Nëse kthehemi prapa në histori dhe shikojmë kronologjinë e ndërtimit të demokracisë sonë, vërejmë se kurrë s’ka qenë më lehtë për të votuar”, është shprehur Jahjaga.

“Vendoseni letërnjoftimin në xhep, maskën në fytyrë dhe nisuni drejt qendrës së votimit. Votoni sot për kryetarin të cilit dëshironi t’ia besoni mandatin për të qeverisur komunën tuaj në katër vitet e ardhshme”.

***

Kryetari i KQZ-së tregon si po rrjedh procesi zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 11:00 në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen sot në Kosovë të drejtën e votës e kanë ushtruar 88 mijë e 622 qytetar apo rreth 7.22 për qind.

Në një konferencë për media, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi njoftoi se për çdo të dhënë të detajuar për pjesëmarrjen e qytetarëve në këto zgjedhje gjenden në ueb faqen zgjedhjet2021.org.

Image
Mbledhja e KQZ-së

Radoniqi: Deri në 11:00 votuan 7.22 për qind e qytetarëve

“Sipas të dhënave preliminare nga mbi 97% të vendvotime numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 88 mijë e 622 apo 7.22% nga 1 milion e 260 mijë e 571 votues. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe qendër votimi gjeni në ueb faqen zgjedhjet 2021.org”, tha ai.

Radoniqi foli edhe lidhur me mos deklarimin e menaxherëve të qendrave të votimit. Ai tha se ata kanë rol vetëm teknik në proces zgjedhor, andaj nuk kanë të drejtë të deklarohen për medie.

Radoniqi: Menaxherët e qendrave të votimit s’kanë të drejtë deklarimi për media

“KQZ ka marrë një udhëzim muaj më herët që udhëheqësit kanë vetëm për detyrë vetëm që të hapin dhe mbyllin qendrat e votimit, por nuk kanë të drejtë të prononcohen për media, nuk kanë asnjë rol në këtë proces zgjedhor. Ne i kemi parë se dikush megjithatë po prononcohen, por edhe disa po e respektojnë vendimin e KQZ-së. Ata nuk kanë rol përveç teknik”, tha Radoniqi.

Radoniqi po ashtu tha se deri në 11:30 janë raportuar disa probleme teknike të cilat janë zgjedhur menjëherë.

Radoniqi: Deri në 11:30 janë bërë disa raportime për probleme teknike

“Deri në 11:30 janë bërë disa raportime, por të gjitha kanë qenë probleme teknike që janë zgjedhur menjëherë, janë edhe të parëndësishme për raportim sepse ka mungesë të bexhit apo komisioni në vend të caktuar”, tha ai.

Lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në balotazhin që po zhvillohet sot, KQZ do të mbajë mbledhjen e radhës në 15:30.

Zgjedhjet lokale po mbahen në Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga KQZ-ja, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 260 mijë e 571 votues.

Balotazhi mbahet në ato komuna ku në raundin e parë asnjëri nga kandidatët nuk arriti të sigurojë mbi 50 për qind të votave të nevojshme.

Voton edhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka hedhur votën e tij.

Krasniqi gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

“Edhe sot në raundin e dytë të zgjedhjeve votuam në Prishtinë. Është obligimi të gjithëve pavarësisht se kush ka vazhdu garën që qytetarët të dalin në votime. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët. Është ditë e bukur shpresoj që të jetë ditë e shkëlqyeshme edhe për demokracinë”, ka deklaruar Krasniqi para mediave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është duke u zhvilluar në 21 komuna të Kosovës.

***

Sot 1.260,571 votues pritet të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 në Kosovë 7,75%, apo 19 mijë e 545 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Në komunën e Prishtinës deri tani kanë votuar 9,30% për qind apo 4 mijë e 216 qytetarë me të drejtë vote.

Në 21 komuna janë 42 kandidatë që garuan edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe sot i mbetet votuesve të vendosin për të parin e komunës së tyre për një mandat katër vjeçar.

Në të gjitha komunat ku do të ketë garë të dytë për të zgjedhur të parin e komunës, janë 114 ekipe mobile të cilët do t’iu mundësojnë qytetarëve votimin.

Voton Kurti: Dje përfundoi fushata dhe sot flasin qytetarët

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tashmë ka shfrytëzuar të drejtën e tij për votë.

Kryeministri Kurti ka votuar në njërën prej qendrave të votimit në Prishtinë.

Image
Albin Kurti

Pas kryerjes së procedurës së votimit në zgjedhjet lokale, Kurti ka deklaruar se si qytetar i Republikës dhe banorë i kryeqytetit sapo ka votuar dhe ka ushtruar të drejtën demokratike për të zgjedhur kryetarin e Komunës, që do të qeverisë në katër vitet në vijim.

“Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes dhe qeliza e Republikës, andaj ju inkurajojë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë mundësinë të përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do të zgjedhin sot.Moti është shumë i bukur dhe pa të reshura, andaj pjesëmarrja sa më masive është e pritshme”, tha Kurti

Kurti theksoi se mekanizmat shtetërorë do të kujdesen për mbarëvajtjen ne procesit zgjedhor, në zbatim të rregullave dhe me 14 nëntor, “pra sot mund të themi se po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral që nisi me zgjedhjet e 14 shkurtit, vazhdoj me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe tash sot kemi balotazhin”.

Kurti poashtu tha se Republika e Kosovës ka dëshmuar se është një shtet demokratik, në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në nivel vendi.

“Fushata ka përfunduar dje në ora shtatë të mëngjesit dhe sot flasin qytetarët”

Voton ​Abdixhiku: Sot është ditë feste

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pasi ka votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka thënë se sot është ditë feste dhe e demokracisë.

Abdixhiku: Është ditë e demokracisë, është ditë e festës

Image
Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe vajza e tij.

“Është ditë e demokracisë, është ditë e festës, është ditë ku vendimmarrja kalon te qytetarët tanë aty ku e ka vendin gjithmonë[...] Shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Shpresoj që ky proces të ruaj standardin e lartë që e kemi ndërtuar tash e sa kohë, në këtë standard të letë të ndërtuar tash e sa kohë fitues janë të gjithë, fitues është Kosova”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Abdixhiku ka votuar në shkollën Faik Konica në Prishtinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe vajza e tij.

Prishtinë është një prej 21 komunave në të cilat po zhvillohet raund i dytë i zgjedhjeve, pas atyre që u mbajtën më 17 tetor në tërë territorin e Kosovës.

Qytetarët e komunës së Prishtinës do të zgjedhin sot në mes të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Haradinaj: Ju lutem votoni të gjithë

 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar qytetarët e Prishtinës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar për të parin e qytetit. Me rastin e votimit Haradinaj tha se raundi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm se i pari.

Ndonëse kandidati i tyre për Prishtinën nuk arriti të shkojë në balotazh, i pari i AAK-së tha se mosvotimi në këtë raund të dytë është ndëshkim për katër vitet e ardhshme.

Haradinaj: Raundi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm se i pari

"Raundi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm sesa raundi i parë. Duke mosvotuar e ndëshkojmë veten për shkak se përgjatë katër viteve që do të vijnë do të jetojmë me rezultatin, me nivelin, me kualitetin e jetës ose të qeverisjes që ka ndikim direkt në jetën tonë. Ju lutem votoni të gjithë", tha ai.

Haskuka: Ftoj gjithë qytetarët të dalin masovikisht të votojnë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin masovikisht për ta shfrytëzuar të drejtën e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Pasi votoi në shkollën teknike “11 Marsi” në Prizren, Haskuka i cili është edhe kryetar aktual, tha se i tërë procesi deri më tani po shkon në rregull.

“Sapo votova. Një ditë për katër vjet dhe qytetarët duhet të votojnë. Vota është besim i qytetarëve për punën e bërë dhe punët që presin. Shpresoj që çdo qytetarë duhet të përdor të drejtë për të votuar. Çdo gjë është duke shkuar mirë, koha është e mirë. Prandaj ftoj gjithë qytetarët të dalin masovikisht të votojnë”, tha ai.

Kundërkandidat i Haskukës në këto zgjedhje është Shaqir Totaj i PDK-së.

Voton Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka votuar.

Ai ka hedhur votën në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Haradinaj ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Anita Muçaj.

Ndryshe, sot po mbahen zgjedhjet lokale në 21 komuna.

Image
Ramush Haradinaj

Voton edhe Mytaher Haskuka

Sot po mbahen zgjedhjet lokale në 21 komuna .

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka hedhur votën.

Ai ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij në shkollën e mesme të lartë teknike “11 marsi” në Prizren.

Ndryshe, Haskuka garon për të parin e Prizrenit në balotazh me kandidatin e PDK-së, Shaqir Tolajn.

Image
Mytaher Haskuka me bashkeshoren

Voton Alban Hyseni, fton gjilanasit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se është me rëndësi që gjatë ditës së sotme dalja për votim të jetë masive.

Ai i shoqëruar me bashkëshorten e tij ka votuar në shkollën "Abaz Ajeti" me numër 0401/D. Hyseni u ka bërë thirrje gjilanasve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Hyseni: Bëj apel te qytetarët qe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese

"Është ende mëngjes dhe kam shfrytëzuar të drejtën dhe kohën të ushtrojë të drejtën kushtetuese dhe ligjore të votojë. Në këtë rast bëjë apel tek të gjitha qytetarët e Gjilanit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese në mënyrë që të jenë pjesë e procesit të votimit për të ndikuar, ndryshuar apo shprehur mendimin dhe bindjen e tyre politike", tha ai.

Sipas tij, mëngjesin e sotëm nuk janë evidentuar parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Hyseni: Nuk ka ndonjë parregullsi

"Deri më tani sa kam unë informacione nuk ka ndonjë parregullsi. Në të njëjtën kohë besoj që është vërejtur e sidomos viteve të fundit që Gjilani, në përgjithësi Anamorava ka treguar një kulturë të lartë zgjedhore politike që po dëshmohet edhe në këtë proces zgjedhor", ka shtuar Hyseni.

Në Gjilan garohet mes Alban Hysenit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lutfi Hazirit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të drejtë vote kanë mbi 100 mijë qytetarë në 34 qendra votimi.

Rama: Votoni për transformimin e bukur të Prishtinës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka votuar në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Rama me këtë rast ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar, duke shtuar se ditë të bukur po vijnë.

Image
Përparim Rama

“Unë sapo votova në këtë ditë të nëntorit, fantastike me diell, ditë  emirë për Prishtinën”.

“Kohë të mira për Prishtinën po vijnë, kështu që ftoj qytetarët të dalin të votojnë për transformimin e bukur të Prishtinës”.

Vitia fton qytetarët të dalin masivisht: Të japim shembull të demokracisë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka votuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Vitia i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, u bëri thirrje qytetarëve të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

 “Sapo e shfrytëzova të drejtën e votës në shkollën “Ali Sokoli”. Është ditë thelbësore për shtetin tonë. Sot vendoset fati i kryeqyteti tonë ndaj secili duhet të marrë pjesë në votim. Bëjnë ftesë të gjithë masivisht të dalin në këto zgjedhje dhe të japim shembull të demokracisë”.

Image
Arben Vitia

Çfarë po ndodhë në Kaçanik, vetëm 5 persona votojnë në një vendvotim

Në qendrën më të madhe të votimit në Kaçanik, në shkollën “Emin Duraku” procesi ka nisur me kohë dhe gjithçka po shkon në rregull.

Por, në një vendvotim të kësaj qendre deri më tani kanë votuar vetëm pesë persona.

Ndryshe në ora 07:00 janë hapur kutitë nëpër Qendrat e Votimit në 21 komuna të Kosovës.

Ku 42 kandidatë garojnë për herë të dytë brenda një muaji për të marrë udhëheqjen e komunës.

***

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës, Burim Berisha ka votuar në shkollën fillore të mesme të ulët “Bajram Curri”, në Sllatinë të madhe. Pasi ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar, Berisha tha se shpreson se do jetë një proces demokratik ku do të vendosin qytetarët.

Kryetari aktual i Fushë-Kosovës, Burim Berisha tha se sot pret të jetë një proces zgjedhor demokratik dhe pa ndërhyrje.

“Do jetë një proces demokratik, do jetë një proces pa ndërhyrje, kështu na takon të bëjmë të gjithë, të mos bëjmë siç kanë bërë dje disa dhe ditëve të tjera ajo është që e do ky vend… besoj qytetarët do vendosin”, theksoi ai.

Berisha i cili aktualisht është kryetar i Fushë-Kosovës në balotazhin e sotëm është në garë me kandidati e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajcinca.

Në komunën e Fushë-Kosovës të drejtë vote kanë 40 mijë e 289 qytetarë, ndërsa në gjithsej 21 komunat që janë në balotazh të drejtë vote kanë 1 milion e 260 e 571 qytetarë.

KQZ: 575 qendrat e votimit janë hapur me kohë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në konferencën e parë për media ka bërë të ditur se të gjitha qendra e votimit në vend janë hapur me kohë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 575 me gjithsej 1 638 vendvotime.

Image
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Ai më tej ka bërë të ditur se në ueb faqen e KQZ-së, është i vendosur aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë.

“Ju njoftoj se tashmë janë hapur të gjitha vendvotimet në 21 komunat ku po mbahet raundi i dytë. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 575 me gjithsej 1 638 vendvotime”.

“Sot në 21 komuna të Republikës së Kosovës, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë. Procesi i votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës mbahet në: Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot”.

“Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është: 1 milion e 260 mijë e 571 votues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”.

“Gjithashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë të gjithë votuesit se në ueb faqen e KQZ-së, kqz-ks.org, është i vendosur aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë”. 

KQZ-ja do të mbajë edhe disa konferenca gjatë ditës për të njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt  për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanre, do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Elezi.

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, 10 për qind apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi.

KQZ-ja në këto votime do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.

Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 450, prej të cilëve 1 544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.

Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19.

Menaxherëve në Drenas u ndalohet të flasin për gazetarë

Në qendrën më të madhe të votimit në Drenas, e cila është shkolla “Rasim Kiqina”, menaxherja e qendrës së votimit dhe njëkohësisht edhe drejtoresha e shkollës, Flakarta Gllareva, ka refuzuar të flas me ekipin e gazetarëve për procesin e votimit në këtë qendër.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, e ka arsyetuar këtë duke thënë se shumica e menaxherëve të qendrave të votimit janë edhe drejtorë të shkollave, por se nuk janë të njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si duhet, andaj për të mos bërë ndonjë gabim, iu është ndaluar që të flasin para kamerave.

Votimi në Podujevë nis pa ndonjë problem, qytetarët presin ndryshime

Në orën 07:00 është hapur Qendra më e madhe e votimit, në shkollën “Isa Boletini” në Podujevë.

Menaxheri i kësaj qendre Fehmi Zeqiri tha se me kohë është hapur Qendra e Votimit “Isa Boletini”, ku të drejt vote në këtë qendër kanë afër 13 mijë qytetarë.

Zeqiri: Vendvotimet janë hapur me kohë

“Ne ndodhemi në vendvotimin 1824e, përgatitjet e i kemi bërë me kohë dhe tashmë veç paralajmëruam se vendvotimet janë të hapura. Në këtë qendër votimi të drejtë vote kanë afër 13 mijë qytetarë në 15 vendvotime. Konsiderohet njëra ndër qendrat më të mëdha në komunën e Podujevës”, tha ai.

Qytetari Liridon Dema i cili ishte ndër votuesit e parë në këtë qendër pret ndryshime nga këto zgjedhje.

Dema: Presim ndryshimin e madh pas 20 vjetëve në Podujevë

“Presim ndryshimin e madh pas 20 vjetëve në Podujevë që besojmë të ndodhë sot”, tha ai.

Edhe Isuf Bilalli pret që fituesi i këtyre zgjedhjeve të punon për qytetarët.

Image

Bilalli: Lusim Zotin të fitojë me i miri

“Ne presim të gjitha të mirat. Kjo ditë është ditë e shenjt, lusim Zotin të fitojë me i miri. Ajo çka është në interes të popullit, klasës së ulët jo klasës së lartë. Besojmë që do të gjejmë atë që shërben për popull”, tha ai.

Në Podujevë të drejt vote kanë 83 mijë e 562 qytetarë, ndërsa numri i qendrave të votimit është 45 me 111 vendvotime.

Në Llap për raundin e dytë në balotazh garojnë dy kandidatë për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni nga LDK-ja dhe Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje. Në raundin e parë Hyseni i LDK-së ka qenë në epërsi me vota.

Hapet Qendra kryesore e votimit në Prizren

Është hapur qendra më e madhe e votimit në Prizren për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në orën 07:00 dhe me gjitha përgatitjet e mundshme, shkolla e mesme teknike “11 marsi” i është mundësuar qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për votim.

Menaxheri i kësaj qendre, Enver Bytyçi tha se kjo qendër ka mbi 19 mijë votues me të drejtë votë dhe gjithsej 22 vendvotime.

Ai tha se në orën 07:00 janë hapur vendvotimet dhe i gjithë procesi deri më tani po shkon në rregull.

Bytyçi: Gjithçka ka filluar me kohë

“Sa i përket materiale sensitive dhe jo sensitive të gjitha janë të pajisur me materiale. Ka filluar në kohë dhe gjithçka ka filluar me kohë. po ashtu komisioneret janë në klasë dhe gjithçka është gatshëm për votim…Kjo është qendra më e madhe votuese, nuk po them në nivel Prizreni, po nivel Kosovë i ka gjithsej 19417 votues”, tha ai.

Megjithëse numri i qytetarëve me të drejtë votimi në këtë qendër është i madh, Bytyqi tha se në zgjedhjet e raundit të parë, drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar vetëm 22 për qind e tyre.

Në minutat e parë të hapjes së kësaj qendre votimi interesimi i qytetarëve ishte i vogël.

Në Prizren të drejtë vote kanë mbi 173 mijë qytetarë dhe janë 71 qendra të votimit.

Në komunën e Prizrenit në raundin e dytë po garojnë Mytaher Haskuka nga LVV dhe Shaqir Totaj nga PDK./E.Zeqiri

 

Hapet qendra më e mdhe në Viti, mërgimtari nga Zvicra: Rinia nuk po punojnë

Votën e parë në qendrën më të madhe të komunës së Vitisë e ka hedhur një i moshuar.

“Jam qytetar, jam pensioner i Zvicrës, na kanë kurdis atje në Zvicër si me bateria, jam mësuar me u zgju herët”, tha qytetari në pyetjen se çka e bëri të vijë i pari për të votuar

“Po shpresojmë për rininë por nuk po punojnë”, shtoi tutje qytetari.

Ai kështu u përgjigj kur u pyet në atë se çfarë pret nga këto zgjedhje.

Gjakova përballet me probleme të rrymës në ditën e zgjedhjeve

Në shumë pjesë të Gjakovës ka probleme me rrymë.

Kështu ka raportuar gazetarja Hana Selimi, e cila nga shkolla “Yll Morina” tha se ka rreth një orë që në këtë qendër të votimit, nuk ka pasur energji elektrike.

Pavarësisht kësaj, rryma nuk ka penguar procesin e votimit pasi, siç e potencoi gazetarja, ka pasur ndriçim të mjaftueshëm në disa klasë të kësaj shkolle.

Ndërsa Hana po raportonte, energjia elektrike iku sërish.

Hapet në kohë edhe qendra më e madhe e votimit në Fushë Kosovë

Në komunë e Fushë Kosovës është hapur me kohë qendra më e madhe e votimit në shkollën fillore “Selman Riza”, 0901E, qendër në të cilën të drejtë votë kanë 14 mijë e 600 qytetarë, me 17 vendvotime.

Në komunën e Fushë Kosovës janë 15 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime.

Menaxheri i kësaj qendre, Esat Simnica u tha se u është ndaluar nga KQZ qe të japin deklarata për medie.

Në Komunën e Fushë Kosovës të drejtë vote kanë 40 mijë e 289 qytetarë, ndërsa sot mbi 1 milion e 260 e 571 qytetarë.

Në garën për të parin e Fushë Kosovës është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Burim Berisha dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosjes, Enver Bajçinca. 

Hapet qendra më e madhe e votimit në Prishtinë

Qendra e votimit me numër 1912e në Fakultetin e Edukimit, e cila është zhvendosur nga qendra 1 tetori, ka hapur dyert për votim. Një minutë pas hapjes ka votuar edhe qytetari i parë, ndërkohë që të drejtë vote në këtë qendër votimi kanë 4 mijë e 293 qytetarë.

Menaxherja e qendrës, Vlora Ahmeti bëri të ditur se janë pajisur me të gjithë materialin e nevojshëm. Ndërkohë që nuk pranoi të deklarohet para kamerës pasi që tha se nuk janë të autorizuar.

Ahmeti tha se në këtë qendër janë pesë vendvotime.

Të gjithë votuesit të cilët kanë votuar në sallën 1 Tetori, në këto zgjedhje do të votojnë në këtë qendër që ndodhet në Fakultetin e Edukimit, meqë 1 Tetori shfrytëzohet për vaksinim.

Të drejtë vote në gjithë Kosovën kanë 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë.

***

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i është drejtuar qendrës së tij të votimit në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, pak minuta pas hapjes së qendrave të votimit.

Një ekip po qëndron në njërën ndër qendrat më të mëdha të votimit në Prishtinë, në Fakultetin e Filologjisë.

Kjo qendër është hapur me kohë dhe në të janë të regjistruar mbi 19 mijë votues.

Aty është parë duke hyrë për të votuar edhe ministri Liburn Aliu, por i njëjti nuk është prononcuar.

​Qendra më e madhe e votimit në Gjilan hapet në kohë

Janë hapur dyert e qendrës më të madhe për votim në Gjilan, shkollës "Thimi Mitko" me numër 0401X/20D.

Në këtë qendër votimi të drejtë vote kanë rreth 16 mijë qytetarë.

Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, menaxherja e kësaj shkolle Sevdije Sadiku ka njoftuar se u është e ndaluar të flasin për media.

Në këtë komunë të drejtë vote kanë mbi 101 mijë, në 34 qendra votimi dhe 126 vendvotime.

Gjilanasit do të vendosin sot mes kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni

 

 Arrijnë anëtarët e Misionit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve​

Në Kosovë sot do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Në qendrën më të madhe të votimit në Prizren, “Shkolla Teknike “11 marsi”, kanë arritur Anëtarët e Misionit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve.​​​​​

**

Në Kosovë sot do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në gjithsej 21 komuna.

Qytetet në të cilat do të votohet janë Gjakova, Drenasi, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti, ndërsa në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave.

***

Sot 1.260,571 votues pritet të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave.

Në 21 komuna janë 42 kandidatë që garuan edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe sot i mbetet votuesve të vendosin për të parin e komunës së tyre për një mandat katër vjeçar.

Ata do të kenë mundësinë të votojnë në 575 qendra të votimit me 1,638 vendvotime.

KQZ ka bërë të gjithë furnizimin me materiale zgjedhore në të gjitha komunat, ku janë shpërndarë të gjitha materialet zgjedhore me datën 10 dhe 11 nëntor. Ndërsa, dje janë dërguar edhe të gjitha materialet e ndjeshme.

Në të gjitha komunat ku do të ketë garë të dytë për të zgjedhur të parin e komunës, janë 114 ekipe mobile të cilët do t’iu mundësojnë qytetarëve votimin.

Po ashtu, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ ka bërë të ditur se raundin e dytë të zgjedhjeve do ta monitorojnë 10,510 vëzhgues.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar mbi 1500 pako të supozuara me fletëvotime. Procesi i pranimit të votave nga diaspora ka përfunduar dhe vlerësimi i tyre do të fillojë sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat