DnV: Vështirësi për gjetjen e emrit në listën e votuesve

Aktuale

DnV: Vështirësi për gjetjen e emrit në listën e votuesve

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 12:54
Foto ilustrim - Fletëvotime nga zgjedhjet e kaluara në Kosovë

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), tha se pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit në 21 komunat ku po zhvillohet balotazhi, është përafërsisht e njëjtë me rundin e parë, rreth 7 për qind.

Eugen Cakolli nga kjo organizatë bëri të ditur se komunat me daljen më të madhe janë komunat e vogla krahasuar me komunat me numër më të madh të banorëve.

“Komuna e Mamushës prin me daljen më të madhe, me 18 për qind, pasuar nga Juniku me 17 për qind, Kllokoti me 12 për qind dhe Shtimja me 11 për qind, ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën e Dragashit me katër për qind”, tha ai në një konferencë për media.

Megjithatë, ai përmendi edhe disa nga parregullsitë në këtë proces zgjedhor. Sipas Cakollit, raportohet për vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta sesa në rundin e parë.

Në rreth 14 për qind të vendvotimeve janë evidentuar deri në 10 raste kur qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve.

Votimi me asistencë vazhdon të jetë gjerësisht i shprehur edhe në këtë rund. Raportohet se votimi me asistencë është administruar në mbi 2/3-tat e të gjitha vendvotimeve. Për më tepër, në 5 për qind të vendvotimeve, numri i rasteve me asistencë të rregullt shkon deri në 50 sosh.

Deri më tani, tha ai, është raportuar për nivel jo të kënaqshëm të respektimit të masave anti-covid nga ana e komisionarëve, ndërsa qytetarët po tregojnë edhe më pak kujdes në respektim të masave kundër pandemisë në nivelin 56 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat