Humbja e Albin Kurtit!

Aktuale

Humbja e Albin Kurtit!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 15 nëntor 2021 Në ora: 15:43
Albin Kurti, mbase ende nuk është zhgënjyer!

Humbja e Prishtinës, përkatësisht garës për kryeqytet nga Vetëvendosja do të komentohet gjatë, dhe kohë pas kohe deri në zgjedhjet e ardhshme nacionale apo edhe lokale.

Vetëvendosje pavarësisht që nuk kishte qeverisje të drejtpërdrejtë në Prishtinë, ajo e mbartte pjesërisht fajin për dështimin e menaxhimit të kryeqytetit nga Shpend Ahmeti.

Në fakt, mënyra e qeverisjes në nivel qendror nga Vetëvendosje nuk është duke dalluar nga qeverisja në Prishtinë, kur ende Shpendi ishte zyrtarisht në këtë parti.

Vetëkënaqësia

Sapo e morën pushtetin harruan çdo gjë që i rrethonte, si thuhet nuk e njihnin më as Zotin. Mendonin sikur pushteti është shtrati i përjetësisë. Edhe pse ishin votuar dhe ishin përkrahur për ta mundur të keqen, më saktë keqqeverisjen, ata vetëm, sapo kujdeseshin të bëhej ajo më e butë.

Punësimi e kishte vetëm një shteg, filtrin e fortë të partisë, ose eventualisht të SHIK-ut. Sipas ankesave të bëra publike ngjashëm ka qeverisur Haskuka në Prizren. Shumë larg idealeve të afirmuara para votuesve në zgjedhjet nacionale, larg krimit e korrupsionit. Pastërtinë nuk e dëshmoi Haskuka, dhe sigurisht dështimi i tij erdhi pikërisht nga ajo ‘deriçkë’.

Edhe për keqmenaxhimin në Kamenicë të Qëndronit, mban përgjegjësi Vetëvendosje. Ai ishte njeriu i saj. Dhe siç tregon rezultati zgjedhor, kandidati i saj lehtësisht mund ta humbte garën sepse nuk ishte zgjedhje e duhur për ta sfiduar Qëndronin, por ishte revolta e pakënaqësisë ndaj kryetarit në detyrë, aq eruptive sa nuk kishte kush ta shpëtonte nga humbja.

Pra, shumë më shumë se sa fitore e VV-së, ajo është fitore e kamenicasve, kryesisht të fshatrave që ai i goditi rëndë, përveç se me mbyllje shkollash e përdori edhe policinë dhe çdo aparat që ofron pushteti për t’i nënshtruar. Por, ata nuk iu nënshtruan, treguan dinjitet, dhe e mundën me votë!

Pra, ‘areali’ i pasjes së pushtetit nga Vetëvendosja nuk është shquar për menaxhim të mirë. Dhe që prej marrjes së pushtetit, Qeverisë, herën e parë, e njohur si Qeveria Kurti 1, kundërshtarët e tij opozitarë, i kanë quajtur ‘praktikanta’. Pra, si njerëz që pushtetin qeverisës e kanë marrë për t’u testuar apo provuar veten.

Ndoshta, pasi mbetën pa kundërshtarët kyç në politikë, Thaçi në Hagë, Isa Mustafa i dorëhequr, Albin Kurti, Glauku dhe stafi i tij, kishin një mungesë psikologjike, dhe nuk dinin ta koncentronin as retorikën e tyre, drejt një objektivi që mund t’ua ruante frytet e fitores së “Shën Valentinit”.

Pavarësisht se të gjithë janë dakord, që rezultati i zgjedhjeve lokale nuk është hiq se hiq objeksion me ato nacionale, por se nuk ekziston asnjë krahasim i qëndrueshëm, rënia drastike e votave të përgjithshme, të krijon një pamje dhe vizion të ri për Vetëvendosjen.

Mossuksesi në balotazh

Bashkë me rënien e votave, mossuksesi doli i qartë, në balotazh, duke arritur ta rifitojnë me dhëmbë ndër shpirt, vetëm një komunë që e kishin në menaxhim, Podujevën, e humbën Prizrenin që e qeverisën një mandat, dhe Prishtinën, që e kishin qeverisur, si dhe Kamenicën pjesërisht. Kamenicën e rifituan, ndërsa fitore të re arritën në Gjilan dhe në Shtime.

Natyrisht pa u marrë me faktorë të tjerë, atë që e kam thënë edhe në analizën e djeshme, gjatë ditës së votimit, se humbja e madhe ka ndodhur edhe në raundin e parë si pasojë se garës i mungonte Vjosa Osmani.

Duke mos krijuar ajo një parti, mbështetësit e saj u shpërndanë, në masën më të madhe ata iu rikthyen votimit të LDK-së, duke luajtur rol kyç në fitoren e Përparim Ramës në Prishtinë, por edhe në disa komuna ku LDK-ja fitoi dhe arriti t’i korrigjonte madje, edhe humbjet e disa komunave, si rezultat i politikave të gabuara të Isa Mustafës.

Rezultati zgjedhor tregon se nuk ishte real, në kuptimin e një fitoreje të qëndrueshme, pasi nuk ishte votim thjesht për besimin dhe popullaritetin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por revoltë për t’i ndëshkuar grupet kriminale, përpjekjet për ndarje të Kosovës në krye me Hashim Thaçin dhe drejtuesit e partive të tjera.

Por, Albini dhe VV-ja përkundër premtimit se do t’i godisnin përpjekjet për ndarje të Kosovës, grupet e mëdha kriminale, të lidhura me të gjitha partitë, ata më shumë zgjodhën t’i shijojnë ditët e pushtetit! Pra, një hezitim që nuk pritej. Ai dhe koalicioni i tij u votua para së gjithash për vendosje të rendit dhe ligjit, barazisë para tij, dhe jo për t’u kënaqur me faktin eventual, se këta ndoshta nuk po vjedhin.

Në një vlerësim timin, që kur u krijuan institucionet e reja, pata vlerësuar se nëse nuk arrin kjo shumicë qeverisëse t’i arrestojë 50-100 koka të krimit do ta ketë shumë të vështirë të mbijetojë në pushtet.

Alarmet tashmë janë dhënë, sapo kanë nisur zërat të kërkojnë zgjedhje nacionale në pranverë, ndërsa goditja që e mori nga zgjedhjet lokale, e kanë gërryer fort fitoren e Albinit dhe Vjosës. Kjo humbje është sinjalizim edhe për Vjosën, pavarësisht postit presidencial (5 vjeçar) dhe shijes që ia jep ky pushtet, ajo ka përgjegjësinë për ata votues dhe mbështetës, që ia dorëzoi fatit, sepse ajo pat krijuar “Listën Guxo”, që ishte thuajse inekzistente në këto zgjedhje. Ky rezultat mund të shfrytëzohet edhe për të krijuar përplasje dhe mosmarrëveshje ndërmjet vet koalicionit garues!

Mungesa e empatisë

Kjo mungesë empatie dhe përgjegjësie nga Osmani, do të çojë edhe në defaktorizimin e saj! E kjo do të çojë në dilemën përse apo a i duhet Kosovës një presidente e defaktorizuar në rolin e brendshëm, që është edhe kryesori në ushtrimin e kompetencave të saja.

Kjo anë e Vjosës dhe në anën tjetër vetëkënaqësia e Vetëvendosjes me forcën e pushtetit qendror, që gjithmonë synon të kënaq dhe punësojë militantët e saj, ia humb dukshëm fuqinë që kishte fillimisht koalicioni, por më e keqja është se ia humb ekuilibrin e vendosur, në kundërshtimin e marrëveshjeve apo të një asociacioni të dëmshëm për Kosovën.

Këta janë disa nga faktorët e brendshëm të humbjes, përfshirë zgjedhjen shumë të gabuar të disa kandidatëve, ndërsa faktorët e jashtëm janë gjithmonë të ditur, kundërshtarët u bën bashkë, në mesin e tyre ka edhe oligarkë, një lojë e pandershme e të tjera. Se a ka pasur marrëveshje sekrete apo jo, skenar nga mbështetësit e padukshëm të Përparim Ramës, janë të gjitha të pritshme në rrethanat aktuale.

E papritura ndodhi nga përmbysja e një rezultati që garantonte fitore, sikurse të kishte pasur menaxhim cilësor brenda VV-së, e jo të dilte Arben Vitia me premtimin në televizion, se do të ndërtonte 2.600 parkingje me një milion euro! Të gjithë ata që dinë minimalisht matematik apo marrin vesh nga ekonomia, e dinë se me 300 e 500 euro nuk mund të ndërtohet një parking, madje edhe vetëm në zallë të shtrohet duket e pamundur, lëre më me infrastrukturë të duhur minimale!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat