A po bllokohet Kuvendi nga një pakt i mundshëm i Listës serbe me shqiptarë, a është skenar ala ‘Thaçi-Vuçiq’!?

Aktuale

A po bllokohet Kuvendi nga një pakt i mundshëm i Listës serbe me shqiptarë, a është skenar ala ‘Thaçi-Vuçiq’!?

Nga: I. Morina Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 15:20
Kuvendi i Kosoves

Ka mjaftuar rezultati zgjedhor i raundit të parë për pushtetin lokal, dhe partitë opozitare të ‘nxehen’ se mund të fitojnë sërish në një garë elektorale për pushtetin e madh.

Nuk e dimë ende nëse këto parti, tashmë po mendojnë se suksesi në zgjedhje nacionale i tyre është disi i garantuar në mungesë të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Nëse është kështu vërtetë do të ishte mirë, vetëm se di a kanë marrë leje për mburrje.

Apo mos janë Thaçi e Veseli që nga burgu nëpërmjet njerëzve të tyre po i shtyjnë që të përpiqen ta bëjnë një skenar për zgjedhje.

Ende asgjë nuk ka dalur në sipërfaqe si kërkesë zyrtare. Madje as nuk është kërkesë që shprehet në media, tek të dërguarit e tyre ‘analistë’ apo në mediat televizive që si thuhet i kanë blerë ose kanë bërë kontrata të bollshme nëpërmjet oligarkëve.

Ky lloj bashkëpunimi i ndihmoi ta arrijnë fitoren në Prishtinë.

Zbritja e Vetëvendosjes në vota popullore në mbi 200 mijë, dhe veçanërisht fitorja në Prishtinë, pavarësisht që Përparim Rama dukej meritorë, ka filluar t’i dehë strukturat kryesisht të inkriminuara, dhe të provokojnë skenarë, që mund të përshpejtojë rënien e Qeverisë.

Nëse zbulohen këso skenarësh, që janë të ndërlidhura me njerëz apo me koka të krimit, kjo do t’ju kthehet në bumerang edhe njëherë partive opozitare, por edhe tashmë lidershipeve të reja si të LDK-së e të PDK-së.

Të paktën për të katërtën herë radhazi të martën ka dështuar mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në mungesë të kuorumit. Kjo ka bërë që të mos mbahen as mbledhjet e Kuvendit të Republikës.

Nuk ka ende informacione nëse Lumir Abdigjiku qëndron apo ua ka bërë një kërkesë të tillë grupit të tij parlamentar, po ashtu as nëse e ka bërë të njëjtën gjë Memli Krasniqi, përkatësisht PDK-ja, e cila vazhdon të mos e propozojë një deputetë të saj për nënkryetar të Kuvendit, pasi Bedri Hamza që e mbante këtë detyrë ka dhënë dorëheqje për shkak të zgjedhjeve lokale, në të cilën garë ka arritur të fitojë në Mitrovicë (të jugut).

Nëse janë Lumiri dhe Memli, atëherë ata nuk mund të lejojnë një pakt apo aleancë me Listën serbe, duke dëshmuar se janë shkëputur nga pararendësit e tyre.

Në momentet kritike në të cilat ndodhet vendi, pa i përmbyllur negociatat me Serbinë, përpjekjet për dobësim të palës shqiptare, shihen qartë si anime proserbe, për sa kohë që institucionet tona, Presidenca dhe Kuvendi, janë kategorike që të mos lejojnë një bosnjëzim të Kosovës.

Shqetësimin për bojkotim të punës së Kuvendit e ka shprehur sot Glauk Konjufca.

“Lista serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm. Ne nuk pranojmë asnjëlloj shantazhi në kryesi të Kuvendit. Simiq po vjen në Kuvend por kur po e sheh që jemi 4 dhe është kuorum i mjaftueshëm po largohet. Këtë e ka bërë edhe sot, nëpërmjet kësaj”, tha Konjufca.

Burime të gazetës “Bota sot”, kanë thënë se kjo nuk po ndodhë rastësisht dhe lidhet me rezultatin e zgjedhjeve lokale, dhe se kjo është një përpjekje për ta paraqitur jofunksional Kuvendin. “Në një mënyrë po mendojnë ta përdorin si mundësi presioni për zgjedhje”, thotë ky burim.

Pavarësisht nga këto pengesa, dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë, sot kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca është detyruar ta thirrë Kuvendin për seancë, në bashkëpunim me anëtarët e kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare.

“Në konsultim me nënkryetarët prezentë dhe kryetarët e grupeve parlamentare, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri të ditur se në bazë kompetencave të tij kushtetuese, cakton seancën plenare të radhës, të enjten, më 18 nëntor 2021, në orën 10:00.”, thuhet në komunikatën e zyrës për media të Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat