Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë, flet dëshmitarja e mbrojtur

Aktuale

Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë, flet dëshmitarja e mbrojtur

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 09:49
Salih Mustafa paraqitet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ka nisur gjykimi ndaj tij. Hagë

(E plotësuar 18:30) - Përfundon për sot seanca ndaj Salih Mustafës në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar për sot seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Është dëgjuar dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), dëshmia e së cilës në pjesën më të madhe të seancës ka vijuar e mbyllur për publikun. Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se seanca do të vazhdojë nesër me të njëjtën dëshmitare të mbrojtur.

Image

Dëshmitarja, e cila mban kodin W04676, në seancë publike ka thënë se ka qenë pjesë në një zhvarrim në fshatin Zllashë.

Në seancën e sotme ajo ka thënë se kanë shkuar në një mal në thellësi të fshatit, së bashku me babanë e viktimës, për ta zhvarrosur atë.

Identiteti i saj nuk është i ditur për publikun sikurse roli i saj në ngjarjen e zhvarrimit në të cilën pretendon se ka qenë prezent.

Pyetjet e mbrojtjes së Mustafës kanë vijuar tërësisht të mbyllura, sikurse ato shtesë nga prokuroria.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

***

Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) e cila po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një personi në fshatin Zllashë.

Dëshmitarja është e mbrojtur dhe nuk është bërë i ditur roli i saj në ngjarjen për të cilën thotë të ketë qenë pjesë e saj.

Dëgjimi i dëshmitares ka filluar me seancë të mbyllur ndërsa më vonë në seancë publike prokurorja ka kërkuar nga dëshmitarja që të përshkruajë një zonë në Zllashë ku ajo kishte thënë se ishte e varrosur një viktimë.

Dëshmitarja: Kemi shkuar në një mal ku ka qenë varrosur një viktimë

“Vendi ku kemi shkuar ka qenë një mal jo shumë i shpeshtë, diku në thellësi të fshatit është ndalë traktori dhe aty kemi zbrit, aty kam takuar edhe persona të tjerë dhe babai i viktimës thotë këtu është trupi i tij dhe këtu duhet ta marrim”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Prokurorja i ka prezantuar disa fotografi dëshmitares, ato nuk u bënë publike.

Dëshmitarja e cila mban kodin W04676 ka thënë se ato tregojnë vend-identifikimin e varrezës dhe procesin e hapjes së varrit.

Dëshmitarja: Fotografitë tregojnë vend-varrimin e viktimës

“Kjo fotografi është bërë në fillim të procesit kur kemi shkuar atje dhe na u ka thënë që këtu supozohet që është vendvarrimi i viktimës...Kjo fotografi e përshkruan vendvarrimin por e marrë nga krahu i djathtë dhe sidomos këto dy degët që kanë qenë përmbi, do të thotë një fotografi e marrë prej anës së djathtë... Është lehtë e identifikuar thellësia e varrit, nuk mund të jetë më shumë se 20 centimetra kjo thellësi, është lehtë e identifikueshme për shkak të ndriçimit që e ka, dielli që i bie direkt dhe ajo thellësia e një varreze që nuk është si çdo varr tjetër kur të hapet në rrethana normale”, ka thënë dëshmitarja e ZPS-së.

Sipas dëshmitares, viktima ka qenë i mbuluar me një batanije ngjyrë të kaltër të mbyllur.

Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka thënë se pranë trupit të cilin sipas saj e kanë zhvarrosur ka qenë edhe një tjetër trup i varrosur, por nuk e kanë hapur atë varr.

Dëshmitarja: Një trup është zhvarrosur, një tjetër ka mbetur ashtu

“Në momentin kur është identifikuar komplet viktima kanë kërkuar që të mos vazhdohet tutje, sepse është edhe një person tjetër i varrosur afër tij... Një diskutim që është zhvilluar në mesin e personave që e bënin zhvarrimin sipas fotos po dua t’ju orientoj në foto, ishte nga ana e djathtë sepse pjesa e mbetur e qebes ka qenë ende përfundi dheu. Qeben nuk kemi mundur komplet me heq sepse ka qenë nën dhe. Ka qenë insistimi i të tjerëve që të mos groposet më shumë anash sepse ekziston edhe një trup tjetër”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Ajo ka thënë se trupi tjetër ka qenë në anën e djathtë të varrit të cilin e kanë hapur dhe se nuk e di se çka ka ndodhur me të.

Dëshmitarja: Një trup nuk është zhvarrosur sepse nuk është ditur se kush është

“Nuk është zhvarrosë atë ditë, por më vonë çka ka ndodhur nuk e di sepse ishte e panjohur, nuk e dinim kush është”, ka thënë dëshmitarja.

Fotografitë e prezantuara nga prokurorja, dëshmitarja ka thënë se tregojnë edhe procesin e identifikimit të viktimës.

Dëshmitarja: Viktima kishte një vrimë të cilin s’ka arritur ta konstatojë askush si është bërë

“Është një vrimë por për të cilën askush nuk mundet ta konstatojë se nga çka është kjo vrimë, por është kështu gjendja e trupit të viktimës.... Një vrimë e cila është parë dhe e cila është markuar si e çuditshme në trupin e një kufome, mirëpo për shkak që trupi i kufomës ka qenë në procesin e dekompozimit është bukur vështirë me identifikuar se çka vërtetë kjo vrimë tregon”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Sipas dëshmitares, kufoma është tërhequr nga Zllashi për t’u varrosur, por nuk ka treguar se në cilin vend.

Dëshmitarja ka thënë se dheun e kanë lënë ashtu siç ka qenë ndërsa kufoma tjetër sipas saj ka mbetur aty.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja e mbrojtur W04676 i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, Anni Pues.

Ajo e ka pyetur atë nëse dy degë pranë atij varri për të cilin ka folur dëshmitarja, kishin ndonjë kuptim.

Dëshmitarja: Degët pranë varrit nuk e kanë kuptimin e fshehjes së tij

“Për këto dy degë të premë, të vendosura njëra mbi tjetrën e kanë kuptimin e identifikimit dhe në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk e kanë kuptimin e fshehjes apo mbulimit të një varri, sepse ka forma dhe mënyra të tjera qysh fshihen gjurmët dhe mbulohet një varr për të mos u identifikuar, por këto dy degë e kishin kuptimin e identifikimit të kësaj varreze”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, ajo ka folur për procese të varrimit.

Dëshmitarja: Varrimi është kryer nga dikush dhe është mbështjellë

“Në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur nuk ke kohë dhe duhet shpejt e shpejtë të kryhet një proces i varrimit, atëherë e hap një varr sa për ta mbuluar, por pa asnjë proces dhe asnjë mbulesë tjetër siç ka ndodh me varreza gjithandej gjatë kohës së luftës në Kosovë. Në një rast të tillë, kjo është përshtypja ime, nuk është konstatim, por është një përshtypja ime në të cilën jam bazuar tërë kohën, edhe sot, është që varrimi është kryer nga dikush dhe kufoma është mbështjellë që mos ta lënë mbi dhe e kanë fut nën dhe në atë thellësinë e cekët qysh e thash më herët, se nuk i ka as gjysmë metër thellësia e varrit. Zakonisht një varr në rrethana normale është identifikues për meshkuj dhe për femra, për meshkuj është, varësisht prej gjatësisë, thellësia e varrit është deri në këtë pjesën këtu, ndërsa për femra thellësia për varrit është deri këtu, është bestytni që i takojnë një ceremonia të varrimit, të gjitha varrezat në të cilat unë kam marrë pjesë, qoftë si... (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ajo.

Ndërsa pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës kanë filluar me seancë të mbyllur.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

***

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i shtatë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa. Dëshmitari femër po dëgjohet nën masa mbrojtëse të sigurisë dhe një pjesë e dëshmisë së saj pritet të vijoj në seancë të mbyllur.

Seanca gjyqësore ndaj Mustafës ka filluar sot me rreth tre orë vonesë për shkak të problemeve teknike në gjykate.

Pjesa e parë e seancës po vijon e mbyllur meqë prokuroria ka deklaruar se pyetjet e para lidhen me të dhënat personale të dëshmitares.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se një pjesë e madhe e dëshmisë së Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) pritet të dëgjohet në seancë të mbyllur.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

------------------------------------------

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës, ku do të dëgjohet dëshmitari i shtatë.

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, do të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të shtatë në rastin e Salih Mustafës, i cili po akuzohet për krime lufte.

Gjykimi i Mustafës ka filluar nga 15 shtatori i këtij viti.

Ai është i arrestuari i parë nga Dhomat e Specializuara.

Në aktakuzën e publikuar nga Gjykata Speciale, pas arrestimit të Salih Mustafës, pretendohet se ai ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mustafa akuzohet për ndalime arbitrare, trajtime mizore, tortura dhe vrasje të paligjshme, të cilat sipas kësaj aktakuze pretendohet se janë kryer në një kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa- komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat