​Dallimet për Asociacionin bllokojnë dialogun

Aktuale

​Dallimet për Asociacionin bllokojnë dialogun

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Barikadimi në qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit kanë bllokuar sërish dialogun Kosovë-Serbi. Dështimi i takimit në nivel kryenegociatorësh edhe sot në Bruksel po konsiderohet se ka vënë në pikëpyetje ecurinë dhe vazhdimësinë e dialogut gjatë këtij viti. Megjithatë, njohësit e procesit të dialogut, fajin për një bllokadë të tillë ia faturojnë Serbisë, pasi e njëjta ka vendosur kusht diskutimin për Asociacionin, ani pse negociatat edhe në raundet e kaluara për të zhdukurit me forcë dhe dëmet ekonomike nuk kanë përfunduar.

Njohësi i procesit të dialogut nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se dështimi i takimit të djeshëm, dëshmon se dialogu edhe është i paqëndrueshëm dhe fragjil.

Fetahu: Bllokimi i dialogut në këtë fazë nuk i bënë mirë asnjërës palë

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ende është i paqëndrueshëm në kuptimin të stabilitetit dhe përparimit të tij dhe hapjes së temave dhe ecjes përpara. Ndonëse kishim disa lëvizje muajt e kaluar, përsëri situata me dialogun është fragjile dhe palët ende janë shumë larg njëra-tjetrës me qëndrime në shumë tema dhe pozicione, siç u dëshmua edhe në takimin e fundit... Bllokimi i dialogut në këtë fazë nuk i bënë mirë asnjërës palë, marrë parasysh zhvillimet e fundit me marrëveshjen për targat. Ky bllokim i dialogut në këtë fazë është hap prapa dhe jo para”, thotë ai.

Megjithëse dështimin e takimit ia faturon Serbisë, profesori universitar, Dritëro Arifi thotë se ekzekutivi duhet të ketë një strategji më të qartë për dialogun, pasi vazhdimësia në këtë formë i konvenon fqinjit verior.

Arifi: Po vërehet se Qeveria e Kosovës s’ka strategji si t’i qaset dialogut

“Ne do të humbim shumë më shumë, e shikoni se ne jemi të izoluar, Serbia nuk është e izoluar në aspektin ndërkombëtar, ne jemi të izoluar. Nuk po mundemi të lëvizim, duhet të tregohemi në fleksibil, më të balancuar dhe më të koordinuar. Po vërehet se Qeveria e Kosovës s’ka strategji si t’i qaset dialogut, s’po dinë me u qas dhe cilat pikat t’i marrin parasysh dhe çka të kërkojnë nëse ato i marrin parasysh. Po shihet se nuk ka kreativitet dhe zgjuarsi si të ecim tutje, përndryshe Serbia këtë e pret, që ne të rrimë në një vend”, thekson Arifi.

Nga ana tjetër, Fetahu nga GLPS thotë se udhës ka qenë mbajtja e takimit trepalësh në Bruksel dhe vazhdimi i diskutimeve në parimin që mos të pajtohemi për asgjë, nëse nuk pajtohemi për gjithçka.

Fetahu: Është mirë që këtë radhë bllokada nuk ka ardhur si arsye e Kosovës, por Serbisë

“Është mirë që ndërmjetësuesi, por edhe palët të shkojnë me parimin që të vazhdohet me diskutime dhe çështja e asociacionit të lihet në fundin e negociatave, qofte se shkohet. Duhet ndjekur parimi që mos të pajtohemi për asgjë, nëse nuk pajtohemi për gjithçka... Është mirë që këtë radhë bllokada nuk ka ardhur si arsye e Kosovës, por pala serbe ka vendosur kushtin për asociacionin. Pavarësisht se tema të reja janë negociuar edhe më herët për personat e zhdukur dhe dëmet ekonomike që janë trajtuar edhe raundet e kaluara. Besoj se ka qenë e udhës ta vazhdohet edhe më tutje që të vazhdohet në linjën e njëjtë të marrëveshjeve dhe argumenteve për të përfunduar çështje të caktuara”, shton Fetahu.

Në kuadër të rundit të dialogut Kosovë-Serbi, janë mbajtur takime të ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një komunikate zyrtare, zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në takimin me Lajçak ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, rreth zhvillimeve të fundit, mbajtjes së takimeve të shpeshta të nëngrupeve punuese si dhe gërmimet dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Qeveria e Kosovës dhe veçmas kryeministri Albin Kurti vazhdimisht e potencojnë se Asociacion një etnik dhe me kompetenca ekzekutive nuk do të ketë në Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat