​Nagavci kërkon implementimin e doracakut për mësimdhënës me aktivitete mbi të drejtat e fëmijëve

Aktuale

​Nagavci kërkon implementimin e doracakut për mësimdhënës me aktivitete mbi të drejtat e fëmijëve

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 12:49
Arbërie Nagavci

Minstrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci deklaroi sot se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve janë objektivi kryesor i qeverisë dhe ministrisë që e udhëheq.

Këto komente Nagavci i bëri me rastin e publikimit të “Doracakut për mësimdhënës me aktivitete mbi të drejtat e fëmijëve”, ku kërkoi edhe implementimin e tij nga mësimdhënësit. Ndërkohë që shtoi se i njëjti mbështet rritjen e cilësisë së mësimdhënësve në këtë fushë.

Nagavci: Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve, objektivi ynë

“Ky doracak e mbështet rritjen e cilësisë së mësimdhënësve në këtë fushë, ndikon në edukimin e mirë të fëmijëve dhe ndërgjegjësimin për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e fëmijëve, e po ashtu është edhe një mjet më tepër në punën që bëjnë mësimdhënësit në punën e tyre të përditshme. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve është edhe objektivi ynë kryesor i Qeverisë sonë, është një nga qëllimet dhe synimet e secilit prej nesh që punojmë në MAShT, i të gjitha politikave dhe veprimeve që kanë ndikim tek fëmijët në përputhje me interesin më të lartë të tyre, e besoj se ky është një nga synimet që e ndajmë me të gjithë punëtorët që punojnë në fushën e arsimit”, tha ajo.

Ajo shprehu bindjen e saj se respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe krijimi i kushteve për secilin fëmijë do të jenë pjesë e synimit të secilit mësimdhënës në punën e përditshme.

Nagavci: Implementimi i këtij doracaku të jetë pjesë e pandalshme e punës së secilit mësimdhënës

“Jam e bindur që mësimdhënësit do të mirëpresin këtë doracak, do të kenë një material më shumë, për aq sa jam e bindur që implementimi i këtij doracaku duhet të jetë pjesë e pandalshme e punës së secilit prej mësimdhënësve. Kjo do t’iu ndihmojë që të përdorin më mirë këto politika në fushat kurrikulare dhe ndërkurrikulare që adresojnë të drejtat e njeriut, por jo vetëm kaq, do të shërbejë në punën e tyre pa marrë parasysh lëndës që ata ligjërojnë. Mësimdhënësit këtë doracak do ta gjejnë në formën ‘online’ në faqen e MAShT-it”, tha ajo teksa shtoi se kopjet fizike do të shpërndahen edhe në shkolla.

Drejtori për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini tha janë në vlugun më të madh të punës në nxjerrjen e akteve nënligjore dhe harmonizimin e tyre në mënyrë që të ketë zbatim sa më të mirë të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Hajredini: Jemi në vlugun e progresit për nxjerrjen dhe harmonizimin e akteve nënligjore për zbatim të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve

“Obligimi që kemi në zbatimin e të drejtave të fëmijëve kërkon angazhim të të gjithë akterëve të institucioneve të Republikës të Kosovës…  Tani jemi në vlugun më të madh në nxjerrjen e akteve nënligjore që Ministria e Arsimit ka, por edhe ministrive përkatëse. Ne po bëjmë harmonizimin e akteve nënligjore në mënyrë që të mos ketë dublfikime, por të jemi në zbatim sa më të mirë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve”, tha Hajredini.

Ndërsa Kanarina Shehu nga Save thë Children tha se përmes këtij doracaku të publikuar sot synojnë të ndërtojnë pikëpamjen e fëmijëve drejt kërkimit të llogaridhënies për të drejtat e tyre, së pari nga mësimdhënësit e tyre.

Shehu: Fëmijët të ndërtojnë pikëpamjen e tyre drejt kërkimit të llogaridhënies

“Edhe pse ky doracak, qysh e tha znj. Ministre është vetëm një detyrë më shumë për mësimdhënësit dhe një mjet më shumë në punën e tyre të përditshme, ne mendojmë që është një shërbim adekuat dhe i mirëpritur që ka me i prekë direkt fëmijët dhe synojmë që fëmijët të arrijnë të kuptojnë që përpos aspektit të drejtave të tyre në shkollë dhe në mbrojtjen e të gjitha formave të dhunës që adreson ky doracak, me nis me e ndërtu pikëpamjen e tyre drejt kërkimit të llogaridhënies, së pari prej mësimdhënësve, të cilët e kanë obligim me i mbajtë ata të sigurt në institucionin e dytë pas familjes por edhe në rrethana tjera”, tha ajo.

Gresa Statovci prezantoi në detaje “Doracakun për mësimdhënës me aktivitete për të drejtat e fëmijëve”. I njëjti mund të shkarkohet në mënyrë elektronike në web-faqen e MAShTI-it, ndërsa në formë fizike do të shpërndahet në shkolla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat