Përfundon seanca në Hagë, dëshmitari i tetë nesër përgjigjet në pyetjet e avokatit të Salih Mustafës

Aktuale

Përfundon seanca në Hagë, dëshmitari i tetë nesër përgjigjet në pyetjet e avokatit të Salih Mustafës

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 10:29
Salih Mustafa

(E plotësuar 16:30) - ​Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar për sot dëgjimi i dëshmitarit të tetë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Me përjashtim të disa minutave, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun derisa dëshmitari i mbrojtur i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe të mbrojtëses së viktimave. Seanca do të vazhdojë nesër me pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës.

Në fund të seancës trupi gjykues ka kërkuar nga palët që mos të përmendin emrat e dëshmitarëve apo që lidhen me informacione identifikuese.

Këtë udhëzim e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

Foglia: Trupi gjykues kujton ‘klimën e frikësimit’ të dëshmitarëve që mbizotëron në Kosovë

“Sa i takon kategorisë së dytë trupi gjykues kujton klimën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve që mbizotëron në Kosovë si dhe nevojën për të ruajtur integritetin e hetimeve të ZPS-së, rrjedhimisht palët dhe avokati i viktimave nuk duhet t’u referohen emrave të këtyre personave as informacioneve identifikuese, qoftë në seance private apo publike. Nëse palët apo avokati i viktimave dëshirojnë ta pyesin dëshmitarin për dëshmitë që burojnë nga persona të tjerë që mund të nxjerrin në pah identitetin duhet të tregojnë të vënë në dukje arsyen pse duan ta bëjnë dhe trupi gjykues vendos më pastaj”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Ajo ka thënë se palët dhe trupi gjykues duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe mënyrës së formulimit të pyetjeve për dëshmitarët.

Foglia ka theksuar domosdoshmërinë për të mos bërë të ditur identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur në gjykatë.

Në këtë seancë, mbrojtja e Salih Mustafës, avokati Julius Von Bone ka ngritur çështjen e pjesëmarrjes nga Kosova përmes video-lidhjes.

Von Bone: Të shikohet mundësia për pjesëmarrje në seancë nga Kosova përmes video-lidhjes

“Në fillim të këtij muaji patëm një dëshmitar, mbrojtësi, hetuesi dhe përkthyesi nuk kishin mundësi të merrnin pjesë, dhe me sa pa nuk ishte e mundur që të lidheshim me video dhe nuk e di nëse do të ketë ndonjë lloj formati që të jetë e mundur ta bëjmë këtë gjë, pra të ketë pjesëmarrje nëpërmjet video lidhjes nga Kosova, nuk e di konkretisht si mund të bëhet por nëse ka mundësi për ta bërë këtë në të ardhmen do të na ndihmonte shumë. Nëse është fjala për ndonjë masë mbrojtëse apo një çështje lidhur me një vend të përshtatshëm ku mund të rrinë, a do të ishte e mundur që të ishin në një vendndodhje në Kosovë që ta bënte të mundur lidhjen”, ka thënë Von Bone.

Ai ka pyetur nëse Prokuroria ka ndonjë zyrë në Kosovë që do të mund ta përdorte, apo të shfrytëzohej ndonjë gjykatë duke shtuar që kërkojnë të shqyrtohet një mundësi e tillë.

Para kësaj, është dëgjuar dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili në pjesën e seancës së hapur për publikun ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një trupi pranë së cilit sipas tij ndodhej edhe një tjetër person i pajetë.

Meqë seanca ka vijuar e mbyllur në pjesën më të madhe të kohës, nuk dihen detajet rreth pjesëmarrjes së dëshmitarit në ngjarjen të cilën e ka treguar para trupit gjykues.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin W04391 nesër do të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Salih Mustafës.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre shtatë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

***

Në seancën e së hënës, dëshmitari i tetë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës po dëshmon për procesin e zhvarrimit të një trupi, për të cilin tha se e kanë zhvarrosur bashkë me persona të tjerë dhe kanë vërejtur se i kishte këmbët e duart e thyera, si dhe se kishte plumba prapa shpinës.

Ai tha se vëreheshin se ato pjesë të trupit ishin të thyera.

“Kur e kena kap, u dokshin kamtë e durtë që i ka të thyme”, ka thënë ai.

Dëshmitari me kodin W04391 ka thënë se prapa shpinës së trupit që kanë zhvarrosur kanë parë vrimat e bëra nga plumbat.

“Edhe plumbat prapa shpinës, i kena pa birat që i ka pas plumbat”, ka thënë dëshmitari, e shtoi se trupin e kanë zhvarrosur dhe e kanë futur në arkivol.

Prokurorja Valeria Bolicci e ka pyetur nëse herën e dytë kur kanë shkuar kanë parë ndonjë hollësi apo diçka tjetër lidhur me trupin e dytë që ishte në të njëjtin varr, kurse dëshmitari e ka mohuar këtë.

Ai bëri të ditur se të dy trupat ishin të mbështjellë me nga një batanije.

“Një batanije ai, një ai”, tha ai, kurse deklaroi se nuk i kujtohet nëse trupi tjetër ishte i një femre apo një mashkulli.

Prokurorja Bolicci ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit, kurse shumica e pyetjeve që ajo ka parashtruar janë përcjellë me seanca të mbyllura.

Dëshmitari i tetë në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë po dëgjohet në seancë të mbyllur

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa. Atje po dëgjohet dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) dhe pjesa më e madhe e seancës po vijon e mbyllur për publikun. Ndërsa në seancë të hapur dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një trupi, derisa sipas tij, në të njëjtin varr ndodhej edhe një trup i një personi tjetër.

Pyetjet e para nga prokuroria janë zhvilluar në seancë private, meqë sipas prokurores Silvia D’Ascoli, pyetjet lidhën me hollësi identifikuese.

Ndërsa në pjesën e dytë të seancës, një pjesë e shkurtë është zhvilluar e hapur për publikun dhe dëshmitari ka thënë se personi, që sipas tij e kanë zhvarrosur, ka qenë me gjymtyrë të thyera.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ti the se ti dhe të tjerët e zhvarrosët trupin, që trupi ishte i mbështjellur me një batanije. A mund të përshkruash se çfarë tjetër pat në trupin?

Dëshmitari: Kur e kemi çelë prej batanijes, qebes, e kemi vërejtur që i ka këmbët e thyera, duart e thyera tre plumba prapa shpinës.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A na thua dot se si e vutë re ju që i kishte duart dhe këmbët e thyera?

Dëshmitari: U dokshin, u dokshin të thyera në lëvizje, kur e kemi kap u dokshin këmbët dhe duart që i ka të thyera.

Dëshmitari: Edhe plumbat prapa shpinës i kemi pa birat që i ka pasur të plumbave... Trupin e kena zhvarrosë, e kena shti në arkivol.

Tutje, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin për gjendjen në të cilën e kanë lënë varrin prej të cilit ai pretendon të kenë zhvarrosur një person, por përgjigja e tij ka vijuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

Dëshmitari ka thënë se në atë vend janë kthyer për herën e dytë dhe në të njëjtin varr ka qenë edhe një trup i një personi tjetër të cilin sipas tij nuk e kanë identifikuar sa i përket gjinisë.

Ai ka thënë se edhe personi tjetër ka qenë i mbuluar me një batanije.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e prokurorisë, dëshmitari po përgjigjet në pyetjet e avokates së viktimave pjesë kjo që po zhvillohen në seancë private.

Dëshmitari po përgjigjet nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilit nuk behët i ditur për publikun dhe i njëjti mban kodin Ë04391.

I akuzuari, Salih Mustafa po merr pjesë në seancës gjyqësore ndaj tij përmes video-lidhjes.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre shtatë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëgjohet dëshmitari i tetë

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës, ku do të dëgjohet dëshmitari i tetë.

Sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë ndaj rastit të Salih Mustafës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, akuzohet për krime lufte.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021, gjatë së cilës seancë ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga prokuroria.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat