Dështon mbledhja e kryesisë, Konjufca cakton seancën e radhës për ditën e enjte

Aktuale

Dështon mbledhja e kryesisë, Konjufca cakton seancën e radhës për ditën e enjte

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 13:04
Pamje nga takimi

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet sërish. Edhte këtë herë ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që caktoi seancën plenare të radhës, e cila do të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se në këtë mbledhje munguan përfaqësuesi i Listës Serbe dhe dy përfaqësues të partive opozitare, ai i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe tjetri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ajo foli edhe për pikat e rendit të ditës në seancën që do të mbahet ditën e enjte.

“Siç e keni parë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit prapë nuk ka pasur kuorum. Përfaqësuesi i Listës Serbe, dhe dy përfaqësues të partive opozitare të LDK-së dhe të PDK-së nuk ishin aty. Anëtari i ri i zgjedhur i PDK-së kishte paralajmëruar mosardhjen, përderisa nuk kemi pasur përgjigje nga anëtari i kryesisë i LDK-së. Sidoqoftë, sot, kryetari i Kuvendit, komfor të drejtës së tij, sipas Kushtetutës së Republikës, caktoi seancën e radhës plenare, më 25 nëntor në ora 10. Nga agjenda e paralajmëruar, pika më me rëndësi dhe më me peshë është ajo e shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2022, e cila pritet të jetë në trajtim në seancën e radhës”, tha ajo teksa shtoi se propozimi për dy kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese është shtyrë për javën e ardhshme.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta fajësojë opozitën për mosfunksionimin e Kryesisë së Kuvendit pasi që e ka shumicën.

“Pra, edhe kjo seancë u desh të caktohej nga kryetari, në pamundësi të caktimit nga kryesia për shkak të mungesës së kuorumit. Në radhë të parë, dua të them që mazhoranca nuk mundet me e fajësu opozitën se nuk funksionon kryesia e Kuvendit, sepse mazhoranca është ajo që i ka numrat edhe në kryesi, edhe në seancë. Ju po e shihni që tash e një kohë ka një degjenerim të jetës parlamentare në vendin tonë, fatkeqësisht, diçka që s’e dëshirojmë askush e më së paku ne si opozitë. Mirëpo, duket që është një degjenerim aq i madh sa që as ne nuk po mundemi t’i ndihmojmë”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat