Detaje të padëgjuara/Besian Mustafa kujton babanë - tregon momentin kur mori vesh që kishte vdekur

Aktuale

Detaje të padëgjuara/Besian Mustafa kujton babanë - tregon momentin kur mori vesh që kishte vdekur

Nga: M.H. Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 07:45
Besian Mustafa dhe Xhemajl Mustafa me familje, foto nga arkivi

Djali i Xhemajl Mustafës, veprimtarit të LDK-së si dhe kolumnist të “Bota sot”, Besian Mustafa ka kujtuar babin e tij në 21 vjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa përshkruan me shumë dhimbje momentin kur mori vesh që i ati i tij ishte vrarë, përcjell “Bota sot”.

Ai tregon që ishte në shkollë kur arsimtari/ja e kishte thirrur për të ia jepur lajmin se babin e kishin plagosur dhe kishte vdekur nga plagët që mori, mirëpo që pranimi i këtij lajmi ishte i vështirë, rrëfen Mustafa.

Mendjen e kisha plot mjegull edhe sot 21 vjet më vonë, s’dal dot nga kjo mjegull, shkruan më tej ai.

Postimi i plotë

E enjte, 23 nëntor, 2000.

Ditë e rëndomtë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Arsimtari(ja?) sqaronte diçka... nuk di, s’kisha mendjen aty. Si 16 vjeçar, i sapombijetuar nga lufta një vit e gjysmë më parë, s’ishte çudi që mendja të kishte planet e saj, këmbët e saj.

Qetë, si me drojë, hapet dera e klasës dhe brenda hyjnë motra Beriana dhe drejtori i shkollës.

“Bes” më drejtohet ajo “merre çantën dhe jaknen edhe hajde”. Mendjen mjegull nga mendimet e mëparshme dalë nga klasa pa pyetur asgjë. Në korridor më priste gruaja e dajës Xhevahirja.

Rrugës në veturën e Xhevës, nga Sami Frashëri tek parkingu i lagjes “Santea” nuk folëm shumë. “Babin e kanë plagosë” tha Beri dhe asnjë fjalë. S’dilja dot nga mjegulla... kush e paska plagosë babin? Pse babin? Ai s’i ka ba keq kurrkujt kurgjo... a janë të sigurt që babin e kanë plagosë? Në kaosin e pasluftës njerëzit plagoseshin çdo ditë, ndoshta s’e kanë plagosë babin?

...

“A je ti djali i zotëri Mustafës?” më pyet në anglisht një polic i UNMIK-ut. “Po” i them unë. “Më vjen keq por babi yt nuk mbijetoi” ma pret ai sikurse të fliste për rezultatin e ndonjë loje futbolli apo çmimin e ndonjë fruti në treg. Mendjen vazhdon të ma mbështjellë e njëjta mjegull e mëngjesit. S’dal dot nga ajo.

Kthehem brenda në butikun “Charlie” ngjitur hyrjes se banesës sonë - s’na kishin lënë të ngjitemi lartë në banesë, babin e kishin “plagosë” mbi shkallët e katit të parë të hyrjes - dhe u tregoj çka më kishte thënë polici. Ulem diku, nuk dëgjoj asgjë. I shihja të gjithë duke qarë e nxjerrë shpirtin plot mërzi. Por s’i dëgjoja. Mendjen e kisha plot mjegull.

...

Sot 21 vjet më vonë. S’dal dot nga kjo mjegull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat