​Kurti takoi presidentin e Federatës së Industrive austriake Georg Knill

Aktuale

​Kurti takoi presidentin e Federatës së Industrive austriake Georg Knill

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 22:29
Foto nga takimi

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Austri, kryeministri Albin Kurti u takua sot në Vjenë me Georg Knill, president i Federatës së Industrive Austriake dhe Michael Lowy, menaxher në këtë federatë.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka folur rreth shtimit të të hyrave tatimore me rreth 30% dhe rritjen ekonomike dyshifrore në Kosovë.

Duke folur për lidhjen e Kosovës me mërgatën, ai i njoftoi se rreth 70% të remitencave vijnë nga vendet gjermanofolëse dhe që këto përbejnë 20% të Bruto Produktit Vendor të Kosovës.

Ai theksoi se Kosova ka potencial të madh në teknologji të informacionit, ne sektorin e bujqësisë dhe të industrisë së përpunimit të drurit.

Kurti veçoi mbështetjen e qeverisë për prodhuesit vendorë me subvencione të ndryshme, kredi dhe ndihmë rreth normave të interesit.

“Ne dëshirojmë të ndihmojmë industritë në Kosovë dhe me qeverinë e re dhe stabile, jemi të sigurt që mund të tërheqim investime të huaja direkte”, tha Kurti.

Ai theksoi se në Kosovë ka mundësi për investime të përbashkëta nga mërgata kosovare dhe investitorët austriakë.

Ndërsa, Georg Knill, president i Federatës së Industrive Austriake, shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar në sektorët me interes të përbashkët dhe për të bërë sipërmarrje të përbashkëta.

Federata e Industrive Austriake aktualisht ka rreth 4800 anëtarë, që përfaqësojnë një milion të punësuar, kryesisht në industri, sektorin e financave dhe sigurimeve, sektorë këta që së bashku përbëjnë 30% të Bruto Produktit Vendor në Austri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat