Pse Baton Haxhiu riaktivizoi projektin e përçarjes Shqipëri-Kosovë?

Aktuale

Pse Baton Haxhiu riaktivizoi projektin e përçarjes Shqipëri-Kosovë?

Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 19:24
Baton Haxhiu

Pasi e përdori një vit e gjysmë më parë projektin e tij të ndarjes mes Shqipërisë e Kosovës, me titullin “ku gabuam”, Baton Haxhiu, pa se kjo qasje e tij ishte e dështuar.

Pati një impakt minimal në audiencën e Kosovës, Shqipërisë, por edhe trevave të tjera shqiptare megjithëse ju ofruan televizione me audiencë të rëndësishme.

Në rrjetet sociale, videot e këtij cikli emisionesh  kanë një ndjekje shumë të vogël.

Për ta krahasuar me ciklin “Gjurmë Shqiptare” të Marin Memës, që tregon pjesë të harruar e të asimiluara të shqiptarëve në treva, ndjekja e “Përse Gabuam” e Baton Haxhiut është sa 5% e “Gjurmëve…”.

Dhënë në shifra: ndërsa videoja e fundit e emisionit të Marin Memës në youtube është mbi 1 milion shikime, ajo e Baton Haxhiun me Migjen Kelmendin ku tregonin sipas tyre, ndarjen me thikë të Kosovës e Shqipërisë është shikuar vetëm nga …1100 persona.

Pra duket qartë se rrekja e Batonit, edhe pse “kontraversale”, pra që mund të hapë debate e përplasje, si rrjedhim edhe shikueshmëri, nuk ja ka qëlluar. Njerëzit as nuk tentojnë ta ndjekin, pasi kanë kohë që kanë dëgjuar tezat e Migjen Kelmendit për mllefin ndaj shqiptarëve të Shqipërisë londineze, si një logjikë politike, e nuk denjojnë të harxhojnë asnjë minutë me to.

Po përse atëherë Baton Haxhiu e ricikloi këtë projekt, ku sërish thirri Migjen Kelmendin, i cili e rriti dozën e urrejtjes?

Duke ndjekur edhe idenë që Batoni është njeri sondazhesh, e s’mund të trajtojë tema që nuk kanë ndjekje në opinion?

Mundësia e vetme, e natyrisht nuk ka tjetër, është se kjo qasje tenton te hidhet me koshiencë të plotë, e ku natyrisht ka mbështetje financiare, pasi çdo produkt televiziv ka një kosto të caktuar, që përgjithësisht është goxha e kripur.

E “rastësia” është se Batoni, këtë qasje e riaktivizoi pas zgjedhjeve vendore të Kosovës, ku sipas tij dhe njerëzve përkrah tij u rrëzua projekti politik i “Vetëvendosjes”. Projekt, i cili përveç rrëzimit të kastës së vjetër, antikorrupsionit e pastrimit të politikës, ka edhe bashkimin e shqiptarëve kudo që janë në një front politik, ekonomik e shoqëror.

Ky është një fakt, tashmë që po i mëshohet në të gjitha programet anti-Albin në Kosovë. E si “rastësisht” në këto programe, yje të paneleve televizive janë as më pak e as më shumë por enturazhi i Hashim Thaçit.

Migjen Kelmendi, pjesë e rëndësishme e PDK-së, Berat Buzhala i cili ka qenë edhe deputet i PDK-së, Blerim Latifi, gjithashtu zyrtar i PDK-së e mjaft emra të tjerë.

“Shqiptarët e Shqipërisë dhe ato të Kosovës nuk kanë gjë të përbashkët”, tha Migjen Kelmendi te Batoni, e shtoi se ata që flasin me “hundore” nuk marrin dot as nuse në Tiranë.

Teza të tilla idiote, natyrisht që janë një nivel aq i ulët i debatit, sa nuk ja vlen të diskutohet. Pasi jo vetëm sot që shqiptarët komunikojnë, por edhe në të shkuarën kur kufijtë ishin mbyllur, në dasma, festa, funerale apo përkujtimore, shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, apo të gjitha trevave kanë të njëjtat tradita e zakone.

Shqiptarët sapo përkujtuan 113 vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe. Një akt që u bë pa urdhër politik, e ku nuk ndodhi asnjë

“standartizim” i gjuhës apo ndëshkim i dialekteve të krahinave të ndryshme shqiptare.

Ja ç’thuhet në librin “National Education During Albanian Reneaissance”, shkruar nga Hysni Myzyri në gjuhën angleze.

“Fjalët e At Gjergj Fishtës patën ndikim të fuqishëm dhe lanë përshtypje të thellë në shumë njerëz. Pasi që ai përmendi shkurtimisht një punë të madhe që kishte bërë klubi ‘Bashkimi’ i Shkodrës, të cilin ai e përfaqësonte,  dhe që fjalimin e përfundoi me këto fjalë:

‘Nuk kam ardhë këtu të mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin’.

Ai gjithashtu tha:’ Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.’

Duke iu referuar këtyre fjalëve, Gjergj Qiriazi, njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit, shkroi: ‘Nuk mund t’i përshkruaj lehtë këshillat e vlefshme që na i dha Fishta. Ishin aq të rëndësishme sa që të krishterët dhe myslimanët nuk mundën t’i ndalnin lotët. Kur At Gjergj Fishta e përfundoi fjalimin dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë që ndodhi në prezencë të diku rreth 300 a 400 personave, nga të cilët dy të tretat ishin myslimanë, la përshtypje jashtzakonisht të thellë te të gjithë ne’.

Sot 113 vjet më pas, ndjenja dhe bashkësia shqiptare është ngjizur edhe më shumë, e nuk ka asnjë dilemë për këtë, bota shqiptare është forcuar jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Preshevë apo Mal të Zi, por edhe më shumë në të gjithë diasporën shqiptare në botë. Nuk ka asnjë element, asnjë fenomen ndarjeje, përkundrazi.

Të vetmet segmente ku ndarja ekziston është elita e vjetër politike, tregu ekonomik që mbahet peng prej saj, e ai mediatik që është gjithashtu i varur nga kjo elitë.

E gjitha kjo nuk është rastësi, pikërisht në momentin kur Serbia  ka ngritur në këmbë riaktivizimin e “Botës Serbe” në Mal të Zi  e Bosnjë, për ta ribashkuar sa më shumë në një logjikë të përbashkët politike, duke krijuar një qendër koordinimi që është Beogradi.

E Batoni, pikërisht në këtë moment, riaktivizon projektin e ndarjes, siç një vit më parë doli hapur me tezën e shkëmbimit të territoreve… Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat