Nuk ka kuorum për votimin e Bordit të RTK-së – Konjufca me një mesazh për deputetët

Aktuale

Nuk ka kuorum për votimin e Bordit të RTK-së – Konjufca me një mesazh për deputetët

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 07:06
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 12:06) - Dështon përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së
 

Në mungesë të kuorumit ka dështuar përzgjedhja e nëntë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Kjo pasi në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur të qëllimshëm bojkotin e deputetëve.

Ai tha se në sallë janë vetëm 57 deputetë, andaj nuk ka kushte për t’u votuar Bordit i RTK-së.

Konjufca: Ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm

“Unë konstatoj që ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm nuk ka kushte për tu votuar Bordi i RTK-së prandaj mendoj që duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, tha ai.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit ad-hock përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së, Armend Zemaj tha se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është zhvilluar me transparencë dhe ligjshmëri.

Zemaj: Procesi ka qenë transparent dhe i ligjshëm

“Më lejoni t’i theksoj dy gjëra që kanë karakterizuar këtë proces transparenca, llogaridhënia, ligjshmëria por edhe pjesa tjetër që ndërlidhet me atë që ne të gjithë konsiderojmë dhe kërkojmë pavarësinë e individëve në raport me bordin e ardhshëm të RTK-së. Komisioni ad-hock ka kryer punën sipas mandatit dhe këtë përzgjedhje e kemi sjell para jush”, tha ai.

Ndërsa, me seancën e sotme Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Abedin Azizin zëvendësdrejtor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).

Seanca e Kuvendi të Kosovës ka përfunduar mbledhjen, kjo pasi nuk pati kuorum për votim.

Për votim ishte pika e fundit e rendit të ditës, e cila ishte “Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit Konjufca tha se mospjesëmarrja e deputetëve të opozitës për votim të kësaj seance është e qëllimshme.

“Mendoj se mospjesëmarrja e deputetëve është bojkot i qëllimshëm, nuk ka kushte për mbajtje të kësaj seance na duhet ta shtyjmë për një datë tjetër”.

***

Abedin Azizi zgjedhet nga kuvendi si Zëvendës-Drejtor i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit

Abedin Azizi është aprovuar nga kuvendi si Zëvendës-Drejtor i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit.

Komisioni parlamentar për Ekonomi Tregti dhe Ndërmarrësi ka sjellë në kuvend dy emra për këtë pozitë, të cilit ishin Abedin Azizi dhe Gurakuq Kastrati.

Image

Në votim morën pjesë 78 deputetë, nga të cilët 65 votuan për Abedin Azizin, ndërsa 12 deputetë për Gurakuq Kastratin.

Në komisionin për votim morën pjesë Driton Hyseni nga LVV, Floretë Zejnullahu nga PDK, Armend Zemaj nga LDK, dhe Bahrim Shabani nga grupi multi-etnik.

***

Në Kuvendin e Kosovës sot ka vazhduar seanca e djeshme, ndonëse ishin paraparë edhe disa projektligje ato u hoqën nga rendi i ditës së sotme për shkak se kabineti qeveritar ndodhet në Shqipëri ku po zhvillohet mbledhje e dy qeverive.

Aktualisht është duke u votuar për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Uji (ARrU), kurse më pas në rend dite është edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me të filluar seanca ka propozuar që shqyrtimi I projektligjeve që kanë qenë në rend dite të sotme të shtyhen për ndonjë seancë tjetër për shkak se kabineti qeveritar nuk ndodhet në Kosovë.

Ai propozoi që fillimisht të shkohet me zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Bordit të RTK-së. Por me këtë nuk u pajtuan grupet parlamentare opozitare.

Konjufca: Të vazhdojmë me zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së

“Ju e dini që është sot mbledhja e dy qeverive dhe ministrat nuk i kemi asnjë këtu kështu është problematike me fillua me projektligjet nëse kanë mirëkuptimin me fillua prej pikës së fundit që është zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës për këtë janë kushtet dhe mundësitë që të hyjmë në votim”, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se pajtohen që të vazhdojnë me pikat e rendit të ditës që mund të diskutohen edhe pa prezencën e ekzekutivit.

Kusari-Lila: Pajtohemi që të vazhdojmë me pikat që kanë të bëjnë me raportim në Kuvend

“Grupi parlamentari i Lëvizjes Vetëvendosje pajtohet me propozimin tuaj zakonisht po kërkohet prezenca e ministrave dhe kabinetit qeveritar kur diskutohen projektligjet andaj sot pajtohemi që të vazhdojmë pikat që kanë të bëjnë me Agjencitë që i raportojnë Kuvendit apo raportet që i kemi referencë“, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri kërkoi që fillimisht të diskutohet pika 10 që është zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Uji dhe më pas të vazhdohet me zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Tahiri: Fillimisht të vazhdojmë me pikën 10

“Ne në parim jemi në rregull edhe dje u dakorduam që në mungesë të qeverisë edhe sot kemi mbledhjen e dy qeverive dhe nuk mund t’i procedojmë tutje projektligjet të cilat janë në rend të ditës por siç duket kanë me na mbetur edhe dy pikat e fundit siç janë pika 10 dhe 11 nuk po shoh tjera që mund t’i trajtojmë...ne po vazhdomë me pikën e 10 fillimisht pastaj atë 11 që është bordi i RTK-së“, theksoi ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj diskutimin e tij e nisi me kritika karshi ekzekutivit derisa u shpreh se grupi parlamentar i LDK pajtohet që të vazhdohet seanca me pikat e rendit të ditës që janë kompetencë e Kuvendit.

Zemaj: Ne jemi që të shtjerrim sa më shumë pika të rendit të ditës

“Mendoj që është e rrugës dhe shumë respektive çdo dikaster ta prezantoj ligjin e vetë kjo nuk po ndodh në këtë legjislaturë shpresoj që disiplinor dhe respektojnë mandatin kushtetues dh raportin me Kuvendin e Kosovës. Për shkak të mos prolongimit edhe të pikave të rendit të ditës edhe ne jemi që të shtjerrim sa më shumë pika të rendit të ditës që janë në kompetencën tonë dhe mos të duplifikohen sepse shtyrjet po qojnë në grumbullim të pikave...Çdo pikë që mund të trajtohet pa prezencën e qeverisë grupi parlamentar i LDK-së e përkrah”,.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u pajtua që të vazhdoj seanca e sotme me pikën 10 dhe pastaj me të 11-tën që është përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Tahiri: Të vazhdojmë ashtu siç u morëm vesh mbrëmë

“Nuk ka nevojë me i ndryshua pikat qeveria ministrat janë në mbledhjen e dy qeverive në Elbasan nuk mund të diskutojmë për ligje, dhe ashtu siç u morëm vesh mbrëmë ashtu po shkojmë“, tha ai.

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Sot vazhdon seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Rendi i ditës

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08-L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara,
8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020,
10. Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit,
11. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Vendi: Salla e seancave plenare Koha: 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat