SBAShK-u pritet t’i pezullojë protestat, i jep afat qeverisë për Ligjin e pagave

Aktuale

SBAShK-u pritet t’i pezullojë protestat, i jep afat qeverisë për Ligjin e pagave

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 11:39
Foto ilustrim

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në një takim të jashtëzakonshëm me përfaqësues të të gjitha federatave anëtare të BSPK-së ka marrë vendim për shqyrtimin e pezullimit të grevave dhe protestave lidhur me kërkesën për miratimin e Ligjit të pagave.

Derisa propozimi i SBAShK-ut në këtë takim u mbështet nga të gjitha federatat përveç asaj të shëndetësisë që nuk është pjesë e BSPK-së, që afati i fundit për draftimin e Ligjit të pagave nga qeveria të ndodhë deri në muajin shkurt, ndërsa në mars të miratohet në Kuvend.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari theksoi se nëse merren parasysh këto kërkesa, SBAShK-u sot në orën 14:00 pritet të shqyrtojë vendimin me anëtarët e saj për pezullimin e protestave të arsimit që janë paraparë për dhjetor dhe janar. 

Jashari: T’i japim një afat qeverisë për Ligjin e pagave deri në shkurt 

“T’i japim një afat dhe të themi publikisht, sindikatat të presin deri në shkurt, dhe pas shkurtit shkollat janë të mbyllura, policinë do ta kenë të trazuar, shëndetësinë do të kesh në kolaps, ujësjellësin e të tjerë. Konsideroj se mund t’i japim qeverisë ndonjë afat, por kur kalon ai afat ne drynat i kemi të gatshëm dhe shkollat do të jenë të mbyllura me gjithë çerdhe, si dhe universitete. Pra, ju lus për unitet, ju lus për mirëkuptim”, tha ai. 

Ndërsa, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli tha se do t’i mbështesin të gjitha veprimet sindikale. 

Hykolli: Ne i mbështesim veprimet sindikale

“Të bashkëveprojmë bashkë, ky është ndër takimet e para që ne iu kemi ftuar për këtë qëllim. Secila federatë e sindikatave i ka specifikat e veta që rrugës ne duhet ta mbështesim. Patjetër se me koordinimin tonë, me angazhimin tonë ne do t’i kemi edhe veprimet sindikale të përbashkëta”, theksoi Hykolli. 

Kryetari i Federatës sindikale të policisë, Imer Zeqiri tha se janë të domosdoshme për policinë e Kosovës sigurimi shëndetësor, ligji i pensionimit dhe Ligji i pagave. 

Derisa pati ankesa për mospagimin e shujtave për zyrtarët policorë dhe për pagesën e ulët shtesë për punën në ndërrim të natës. 

Zeqiri: Tri kërkesa mbesin prioritete për ne

“Për neve në Policinë e Kosovës përpos këtyre tri prioriteteve, që janë sigurimi shëndetësor, ligji i pensionimit dhe Ligji i pagave, kemi po ashtu vërejtje, që zyrtarëve policorë nuk u paguhet shujta, po ashtu me ndërrimin e natës jemi shumë keq. Një zyrtar policor që punon në ndërrimin e natës paguhet vetëm 5 euro shtesë, madje nëse nuk gaboj është më pak se 5 euro”, theksoi Zeqiri. 

Në këtë mbledhje të gjitha federatat janë dakorduar që BSPK sot t’i drejtohet me shkresë kryeministrit Albin Kurti për miratimin e Ligjit të pagave, Ligjit të sigurimeve shëndetësore dhe Ligjit të skemave pensionale që parasheh njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat