Ramush Haradinaj i reagon Vulinit: Ne ju kemi dhënë përgjigje...

Aktuale

Ramush Haradinaj i reagon Vulinit: Ne ju kemi dhënë përgjigje...

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 15:51
Ministri serb, Aleksandër Vulin.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Alekandar Vulin, i cili për Masakrën e Reçakut, ka thënë se është “gënjeshtër të madhe dhe falsifikim i tmerrshëm”.

Në reagimin e tij, Haradinaj ka thënë se investimin shumëvjeçar në Kosovë, Vulini po mundohet ta cenojnë me gjuhë të urrejtjes.

“Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci”, ka shkruar ai në Facebook.

Këtë standard që thotë se e ka vendosur vetë ai si kryeministër, shton se duhet ta respektojë secila qeveri, duke mos lejuar asnjërin që të tentojë të shkatërrojë investimin shumëvjeçar.

“Orientimi ynë, vazhdon të mbetet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe të gjitha grupeve etnike pakicë, që Kosova të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj e që respekton të drejtat e secilit”.

Në fund, iu ka bërë thirrje serbëve të Kosovës, që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi të premten e 10 dhjetorit se Masakra e Reçakut, ishte “gënjeshtër e madhe dhe falsifikim i tmerrshëm”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, citohet të ketë thënë Vulin.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Vulin ka mohuar disa herë në të kaluarën Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat