“Nuk kam qenë trajner i snajperistëve”/ I akuzuari për terrorizëm pranon pjesëmarrjen në ISIS

Aktuale

“Nuk kam qenë trajner i snajperistëve”/ I akuzuari për terrorizëm pranon pjesëmarrjen në ISIS

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

I akuzuari për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Kujtim Daçaj, në seancën e së hënës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm për trajnimin e snajperistëve të ISIS, por pranon pjesëmarrjen në këtë organizatë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po e akuzon Daçajn se ka shkuar në Siri dhe iu është bashkëngjitur luftërave të organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, si dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive si trajner i snajpersitëve të kësaj organizate.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special Afrim Shefkiu, i akuzuari Daçaj ka deklaruar se e kupton aktakuzën dhe se nuk e ndien veten fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se e pranon faktin se ka marrë pjesë në grupin e ISIS-it, por nuk e pranon faktin se ka trajnuar snajperistë.

“Pas konsultimit me mbrojtësin tim, nuk qëndrojnë pretendimet sikurse në dispozitiv të aktakuzës, jam i pafajshëm, unë nuk kam qenë trajner i snajperistëve, por unë e pranoj faktin se kam marrë pjesë në grupin e ISIS-it në Siri”, ka deklaruar i akuzuari Daçaj.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Daçaj, avokati Ilir Ramaj ka hequr dorë nga shqyrtimi i dytë, respektivisht nga kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndërsa, gjykatësja e rastit Valbona Musliu-Selimaj e ka aprovuar propozimin e mbrojtjes për heqjen dorë nga shqyrtimi i dytë, respektivisht nga kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Seanca e shqyrtimit kryesor në këtë rast është caktuar mbahet më 24 janar 2022, ku priten të dëgjohen dëshmitarët e propozuar në aktakuzë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 dhjetor 2021, i akuzuari Kujtim Daçaj, me dashje, së bashku me bashkëshorten e tij Valdete Tafaj dhe vajzën e tij, më 5 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit ka dalë nga Kosova dhe ka shkuar në Maqedoni, dhe nga aeroporti i Shkupit ka udhëtuar për në Turqi e pastaj për në Siri, ku iu është bashkangjitur luftërave të organizatës terroriste, militante ekstremiste ISIS, si dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive si trajner i snajpersitëve të kësaj organizate terroriste.

Tutje thuhet se, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka marrë pjesë me qëllim që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë Siriane që të lë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe pastaj të krijojnë shtetin Islamik, Iraku dhe Levant, deri sa ISIS-i ka pësuar disfatë të plotë.

Sipas aktakuzës, i njëjti është burgosur nga forcat demokratike Siriane, kurse më 17 korrik 2021 në mënyrë të organizuar është transferuar në Kosovë.

Me këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, para 2 i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej pesë deri në 10 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat