Rikthehet në punë Lavdim Krasniqi, i përfshirë në skandalin e madh korruptiv

Aktuale

Rikthehet në punë Lavdim Krasniqi, i përfshirë në skandalin e madh korruptiv

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 13:54
Lavdim Krasniqi

Lavdim Krasniqi, i përfshirë në një skandal të madh korruptiv, do të rikthehet në vendin e tij të punës si drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Një organ i pavarur i shtetit ka shfuqizuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin nga puna të Lavdim Krasniqit, drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, protagonistit të një video-incizimi që shpërfaq një skandal të madh korruptiv.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) e ka aprovuar ankesën e Krasniqit kundër shkarkimit të tij nga puna.

Vendimi i KPMShCK-së obligon KPK-në që të rishikojë përmes një procesi të ri marrëdhënien e punës së Krasniqit. Obligon kthimin e çështjes ndaj në rivendosje.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e datës 07.10.2021 e parashtruar nga ankuesi Lavdim Krasniqi”, thuhet në pikën e parë të vendimit të KPMShCK-së.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 14 gusht të vitit 2021 shkarkoi nga puna Lavdim Krasniqin, të akuzuarin për ushtrim ndikimi në lirimin nga burgu të një të dënuari për vrasje.

Krasniqi, akuzohej nga Prokuroria e Shtetit se kishte marrë shuma të mëdha të parave dhe një veturë nga i burgosuri për vrasje, Bashkim Mulolli, në këmbim të ushtrimit të ndikimit të tij në procedurën penale ndaj të dënuarit.

Megjithatë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka gjetur se shkarkimi i Krasniqit nga pozita e drejtorit të KPK-së ishte i pabazuar. Kësisoj, ka vendosur për shfuqizimin e vendimit të KPK-së.

“Shfuqizohet vendimi me numër protokolli 1301/2021 i datës 14.09.2021 i Këshillit Prokurorial të Kosovës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së ankuesit në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe çështja kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje tek organi i njëjtë”, thuhet në pikën 2 të vendimit të KMShCK-së.

KMShCK-ja ka obliguar KPK-në që të zbatojë vendimin për rikthimin në punë të të shkarkuarit Lavdim Krasniqi dhe të rihetohet rasti ndaj të implikuarit në aferën korruptive të cilën e publikoi mediumi Paparaci tri javë më parë.

Lavdim Krasniqi, akuzohet nga Prokuroria e Shtetit për disa vepra të rënda penale. Aktakuza e tij është ngritur mbi një provë kryesore: një videoincizim ligjor të kryer nga Bashkim Mulolli, i shpallur dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

Pajisjet e incizimit ishin të Policisë së Kosovës.

Media publikoi ekskluzivisht videoincizimin e takimit të Lavdim Krasniqit me të dënuarin, Bashkim Mulolli.

Aty dëshmohet se si Krasniqi, ka ndërhyrë për ta ndihmuar këtë dënuar. Flitet për paratë që ka marrë dhe një veturë për asistenten, Marigona Krasniqi si dhe paratë për shkollimin e fëmijëve të Krasniqit.

Këto para, sipas Mulollit ia kishte dhënë shoferit të Lavdim Krasniqit, Ardian Krasniqi.

Në video-incizim, Lavdim Krasniqi e mohon t’i ketë marrë ato para. Por, e pohon ndihmën që i ka dhënë të dënuarit, Mulolli.

Siç raportoi mediumi, disa veprime të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë rast, ishin cilësuar si ndërhyrje në aferën korruptive të Lavdim Krasniqit. Kështu kishte vlerësuar Prokuroria e Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat