Tahir Zemaj tregonte si u krijua Ministria e Mbrojtjes në krye me kolonelin Ahmet Krasniqi/ Marrëveshja e Osllos...

Aktuale

Tahir Zemaj tregonte si u krijua Ministria e Mbrojtjes në krye me kolonelin Ahmet Krasniqi/ Marrëveshja e Osllos...

Nga: I. M. Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 12:31
Koloneli Tahir Zemaj gjatë stërvitjeve në luftë

Kolonel Tahir Zemaj, sikur e kishte ndjerë se vitet e tij të jetës po shkonin drejt fundit. I kërcënuar për shumë kohë, i sulmuar, me disa ushtarë të vrarë pas luftës nga bandat e Ramush Haradinajt, kërcënimet e vazhdueshme në luftë nga Shtabi i Rognerit në krye me Hashim Thaçin, kishte vendosur të rrëfejë të gjitha që i dinte për luftën.

Libri i tij u botua me emrin “Kështu foli Tahir Zemaj”, që ishte një emërtim i nxjerrë nga libri filozofik i jashtëzakonshëm, i gjermanit Fridrih Niçe.

Por, për dallim prej tij, libri nuk do të ishte një përpjekje filozofike, por një përpjekje zaratustriane për ta thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për luftën, pavarësisht pasojave. Libri edhe mund të jetë kthyer në një problem thelbësor të sigurisë së jetës për kolonelin Zemaj.

Tahir Zemaj u vra në një atentat në me 4 janar 2003, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn, zyrtar i LDK-së Hasan Zemajn.

Sipas Zemajt, ish komandant i njësive operative, fillimisht Brigadës 134 dhe përgjegjës të brigadave 131, 133 dhe “Mërgimi”, përpjekjet për krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes me bazë të ushtarakëve kishin nisur në vitin 1993.

Zemaj po ashtu ishte i informuar për aktivitetin e grupeve të para guerile, veprimet e të cilave i quante, luftime të kryera nga Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti etj. Këto i dinte nëpërmjet bisedave dhe takimeve me Sali Çekun, i vrarë po ashtu në rrethana të dyshimta në Koshare.

Koloneli ka lënë ndoshta dëshminë më të saktë deri më sot, për përmbajtjen e Marrëveshjes së Osllos, sipas të cilit duhej të unifikoheshin krahët e ushtrisë, se duhej të kishte një komandë të vetme, një hierarki, një emër UÇK, një llogaridhënie institucionale etj.

Tahir Zemaj, i pyetur nga autorët e librit, Arbër Ahmetaj dhe Sefedin Krasniqi, për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes jep këtë përgjigje, të cilën po e sjellim komplete në vijim:

"Eprorët dhe ekspertët tanë ushtarakë kanë qenë gjatë gjithë kohës të angazhuar, në të gjitha shtetet. Në Gjermani punonte Sali Veseli, në Zvicër Agim Mehmeti, në Slloveni punonte Ismet Ibishi, Kemal Shaqiri punonte në Kroaci etj. Këta njerëz kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me nënshkrimin e tyre ka ardhur deri tek emërimi i Ahmet Krasniqit, si koordinator i të gjithë ushtarakëve brenda dhe jashtë Kosovës. Dokumenti ku ndodhet nënshkrimi i tyre gjendet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu është formuar Këshilli Drejtues i ushtarakëve për t'iu përgjigjur situatës kanosëse në trojet tona.

Personalisht kam qenë i informuar për aktivitetin dhe angazhimin e grupeve të para të luftëtarëve në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bërthamat e para të luftëtarëve ndër të cilët kanë qenë Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti etj.

Kanë qenë operacionet e tyre ilegale, si vendosja e eksplozivëve, vrasjet e policëve etj, të vetmet veprime luftarake në Kosovë gjatë asaj kohe.

Kur është dhënë nënshkrimi për krijimin e këtij Këshilli të Ushtarakëve, aty është pranuar që Ahmet Krasniqi të jetë koordinues për gjithë diasporën si dhe për brenda Kosovës, koordinues për formimin e Shtabit Suprem dhe Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës. Kjo gjë është bërë në konsultime edhe me zotni Bujar Bukoshin, kryeministër i Qeverisë së republikës së Kosovës, i cili ka pranuar sugjerimin tonë dhe ka nënshkruar emërimin e Ahmet Krasniqit. Dikush më vonë, dhe pikërisht Sali Veseli, e ka mohuar faktin që kryeministri ka firmosur emërimin e Ahmet Krasniqit. Ai dokument, siç thashë ekziston në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës, dhe jo veç Veseli, por kushdo mund ta verifikojë.

Pas vrasjes së legjendës së trimërisë shqiptare Adem Jasharit, Sali Çeku më lajmëron dhe më propozon që urgjentisht të takohemi në shtëpinë e tij në Shtutgart që të më fliste për kontaktet e tij me Adem Jasharin. Unë e kam njohur nëpërmjet tij thjesht si luftëtar dhe atdhetar, nuk kam pasur dije tjetër, as për aftësitë e tij ushtarake, as politike. Aty kam marrë informacion më të plotë rreth tij. Gjatë gjithë natës nuk kemi fjetur në përpjekje për të gjetur një mundësi për të vepruar.

Atë natë kemi marrë kontakt me Zotni Ahmet Krasniqin dhe Agim Mehmetin, që gjendeshin në Zvicër, pasi ato ditë qe formuar grupi koordinues dhe po hidhte themelet Ministria e Mbrojtjes së Kosovës. Të nesërmen kemi udhëtuar për në Zvicër dhe atje u takuam me zotin Krasniqi. Prezentë kanë qenë Agim Mehmeti, Hilmi Nebihu dhe ushtarakë të tjerë. Pas shumë vitesh ky ishte takimi i parë me zotni Krasniqi. Kemi shkëmbyer mesazhe të shkurtra miqësore dhe i jemi vënë punës.

Aty janë marrë vendimet e para për t’iu përgjigjur detyrave ushtarake dhe për një organizim profesional dhe institucional të luftës së armatosur kundër pushtuesit. Pastaj me zotni Çeku jemi kthyer në Gjermani dhe kemi filluar përgatitjet për luftë.

Ndërkohë, kolonel Krasniqi me disa oficerë është nisur për në Oslo për t’u takuar me Adem Demaçin. Në ato bisedime është rënë dakord për këto gjëra:

- Së pari, për formimin e shtabit të përbashkët me qendër në Tiranë.

- Së dyti, do të njiheshin të gjitha njësitë që vepronin në Kosovë, emërtimi i tyre i përbashkët – UÇK dhe stema e saj.

- Së treti, të gradoheshin dhe të plotësoheshin me oficerë profesionistë ato njësi, për të krijuar kështu hierarkinë ushtarake dhe institucionale.

- Së katërti, do të ekzistonin të dyja fondet, ai i Emergjencës që menaxhohej nga Qeveria dhe ai që thirrej “Vendlindja Thërret”.

- Së pesti çdo informatë apo komunikatë shtypi do të duhej të kalonte përmes Shtabit në Tiranë.

- Së gjashti, të sigurohej komandimi i të gjitha njësive nga oficerë profesionistë.

Kolonel Ahmet Krasniqi, “i armatosur” me këtë marrëveshje është nisur për në Tiranë për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për vendosjen e Shtabit Suprem. Për të gjitha këto – thotë Zemaj, - jam informuar nga Tirana, dhe kol. Krasniqi më ka urdhëruar që të nisem menjëherë për Tiranë bashkë me Sali Çekun dhe disa eprorë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat