Konspiracionisti nga Gjilani humb betejën ligjore kundër komunës

Aktuale

Konspiracionisti nga Gjilani humb betejën ligjore kundër komunës

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 18:52
Arianit Sllaminiku

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Arianit Sllaminikut për vendimin e ish-kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, rreth moslejimit të hyrjes në vendin e punës pa dëshmi vaksine për të gjithë shërbyesit civil të kësaj komune.

Sllamniku kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të ndalohet kushtëzimi i personave të pavaksinuar si dhe kushtëzimi i vaksinimit me masa që ai pretendon se janë joligjore.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë tregon se parashtruesi i kërkesës kishe kontestuar një Vendim të paspecifikuar, të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, të cilin vendim nuk e ka dorëzuar në Gjykatë.

Sllaminiku në bazë të këtij vendimi, në Gjykatën Kushtetuese ka dërguar vetëm një postim Facebookut që ishte bërë nga Komuna e Gjilanit nëpërmjet së cilës ishte kumtuar edhe vendimi i marrë nga kryetari.

“Sipas një njoftimi të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës, i publikuar në rrjetin social Facebook komunikohet që Kryetari i Komunës së Gjilanit më 6 shtator 2021 ka nxjerrë vendim, i cili sipas këtij komunikimi ‘punëtorët e shtetit përfshirë shërbyesit civilë, zyrtarët publikë, mjekët, infermierët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, punëtorët teknike etj. nuk do të mund të futen në vendet e tyre të punës pa konfirmim të vaksinimit test PCR apo test rapid antigjen'”, shkruhet në vendimin e Gjykatës.

Ai pretendonte se ky vendim i paspecifikuar i Komunës së Gjilanit kishte afektuar atë ndonëse është i papunësuar dhe gruan e tij që punon si mësimdhënëse në këtë komunë duke iu shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Vendimi i paspecifikuar i Kryetarit të Komunës atij dhe në veçanti bashkëshortes së tij, e cila është e punësuar si mësimdhënëse në këtë komunë iu janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 26 [E Drejta e Integritetit Personal]; 35 [Liria e Lëvizjes]; 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]; 53 [Interpretim i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës”, shkruhet tuje.

Mirëpo, të njëjtit kur gjykata i kishte kërkuar të dërgonte një kopje të vendimit të komunës, dëshmi se si është afektuar nga vendimi i paspecifikuar, si dhe të tregojë se si nenet e kushtetuese janë shkelur nga vendimi që ai konteston, nuk i kishte dërguar. Siç njofton Gjykata, Sllamniku kishte dorëzuar vetëm kopjen e letërnjoftimit të bashkëshortes së tij.

Kësisoj Gjykata ka konsideruar se  kërkesa e parashtruesit nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim te mëtejmë, për shkak të mossakëesimit të vendimit të kontestuar dhe mosdorëzimit të tij në Gjykatë dhe të njëjtën kërkesë e ka refuzuar me procedurë të shkurtër./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat