Haxholli: Politikat e jashtme dhe dialogu më sfidueset për Qeverinë Kurti

Aktuale

Haxholli: Politikat e jashtme dhe dialogu më sfidueset për Qeverinë Kurti

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 21:35
Violeta Haxholli

Violeta Haxholli nga KDI, tha se krahasuar me qeveritë e kaluara Qeveria Kurti ka një qasje të re në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Megjithatë sipas Haxhollit nuk është shënuar ndonjë progres në këtë fushë, madje ka pasur një kthim në tema të mëhershme.

“Nëse isha ndalë të politika e jashtme ku hynë edhe në mandatin e kryeministrit edhe në mandatin e Ministrisë të Punëve të Jashtme, ne si KDI më afër e kemi monitoruar procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe në ketë proces ka pasur një qasje të re të kësaj qeverie, në krahasim me qeverisjet e kaluara.”

“Megjithatë deri më tani duke e parë gjithë dinamiken e procesit të dialogut, nuk është që ka ende ndonjë progres konkret siç po e shohim edhe me zhvillimet e fundit, dialogu është rikthyer në temat e mëhershme, ndoshta edhe ne tema të vitit 2011 siç ishte çështja e targave e cila ne një mënyrë u imponua paksa në tryezë për shkak të zhvillimeve që ndodhen, pastaj është edhe çështja e energjisë, një çështje që duhet te zgjidhet dhe të adresohet nga kjo qeveri, e kam fjalën për çështjen e faturave në pjesën veriore, e cila po ashtu është një temë e trashëguar dhe e paraparë në marrëveshjet që janë arritur në kuadër të proceseve të kaluara.”

Haxholli tha se kësaj qeverie i është imponuar prioritizimi i dialogut me Serbinë, dhe se politikat e jashtme dhe dialogu do të jenë një nga temat më sfiduese të kësaj qeverie.

“Nëse ndalemi të politika e jashtme, atëherë mendoj se qasja e qeverisë deri më tani ka qenë të propozohet iniciativa të reja edhe propozime të reja, megjithatë palët e përfshira në proces nuk është se janë mirëpritur shumë kemi pasur refuzim të njëpasnjëshëm te të gjitha propozimet që kanë ardhur nga ana e kryeministrit në procesin e dialogut. Pastaj kemi  çështje si marrëveshjet, janë diku 35 marrëveshje të dialogut Kosovë-Serbi, të cilat tani po e shohim se sa po e sfidojnë këtë qeveri”.

“Është çështja e asociacionit pastaj është çështja e aktgjykimit i Gjykatës kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, pra janë çështje që vetvetiu kanë ardhur në tavolinë edhe përse qeveria në fillim nuk e ka pasur prioritet këto çështje dhe nuk i ka paraparë shumë lartë në listën e prioriteteve të programit qeverisës, për këto tema kanë gjetur rrugën që të ngjiten lartë në agjendë, duke e detyruar qeverinë që të merret me to, pra është mjaft sfiduese besoj që politika e jashtme dhe procesi i dialogut do të vazhdojnë të jenë një nga çështjet me sfiduese për ketë qeveri ashtu siç ka qenë edhe për qeveritë e kaluara”, u shpreh ajo.

Ajo tha se duhet pasur shumë kujdes në mënyrën se si do t’i qaset qeveria këtyre temave.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në ketë aspekt dhe duhet pasur shumë kujdes në mënyrën se si do të i qaset qeveria këtyre temave dhe gjithmonë kjo duhet bëhet duke pasur parasysh rekomandimet e partnereve ndërkombëtar në mënyrë që të mos e shohim qeverinë në ndonjë konfrontim të ri siç e kemi pasur me qeveritë e kaluara ku për shkak të tarifës apo masave të reciprocitetit kemi pasur mos pajtime brenda qeverisë apo edhe rënie të qeverive”, u shpreh Haxholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat