Haxholli: Dy temat më sfiduese për Qeverinë Kurti

Aktuale

Haxholli: Dy temat më sfiduese për Qeverinë Kurti

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 00:59
Violeta Haxholli

Violeta Haxholli, nga KDI-ja, tha se krahasuar me qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti ka një qasje të re në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Megjithatë, sipas Haxhollit, nuk është shënuar ndonjë progres në këtë fushë, madje ka pasur një kthim në tema të mëhershme.

“Nëse isha ndalë të politika e jashtme, ku hynë edhe në mandatin e kryeministrit edhe në mandatin e Ministrisë të Punëve të Jashtme, ne si KDI më afër e kemi monitoruar procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe në këtë proces ka pasur një qasje të re të kësaj qeverie, në krahasim me qeverisjet e kaluara.”

“Megjithatë, deri më tani, duke e parë gjithë dinamikën e procesit të dialogut, nuk është që ka ende ndonjë progres konkret, siç po e shohim edhe me zhvillimet e fundit, dialogu është rikthyer në temat e mëhershme, ndoshta edhe në tema të vitit 2011, siç ishte çështja e targave, e cila në një mënyrë u imponua paksa në tryezë, për shkak të zhvillimeve që ndodhen, pastaj është edhe çështja e energjisë, një çështje që duhet të zgjidhet dhe të adresohet nga kjo qeveri, e kam fjalën për çështjen e faturave në pjesën veriore, e cila po ashtu është një temë e trashëguar dhe e paraparë në marrëveshjet që janë arritur në kuadër të proceseve të kaluara.”

Haxholli tha se kësaj qeverie i është imponuar prioritizimi i dialogut me Serbinë dhe se politikat e jashtme dhe dialogu do të jenë një nga temat më sfiduese të kësaj qeverie.

“Nëse ndalemi të politika e jashtme, atëherë mendoj se qasja e qeverisë deri më tani ka qenë të propozohet iniciativa të reja edhe propozime të reja, megjithatë palët e përfshira në proces nuk është se janë mirëpritur shumë. Kemi pasur refuzim të njëpasnjëshëm te të gjitha propozimet që kanë ardhur nga ana e kryeministrit në procesin e dialogut. Pastaj kemi çështje si marrëveshjet, janë diku 35 marrëveshje të dialogut Kosovë-Serbi, të cilat tani po e shohim se sa po e sfidojnë këtë qeveri”.

“Është çështja e asociacionit, pastaj është çështja e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, pra janë çështje që vetvetiu kanë ardhur në tavolinë edhe përse qeveria në fillim nuk i ka pasur prioritet këto çështje dhe nuk i ka paraparë shumë lart në listën e prioriteteve të programit qeverisës, por këto tema kanë gjetur rrugën që të ngjiten lart në agjendë, duke e detyruar qeverinë të merret me to. Pra është mjaft sfiduese, besoj që politika e jashtme dhe procesi i dialogut do të vazhdojnë të jenë një nga çështjet me sfiduese për këtë qeveri, ashtu siç ka qenë edhe për qeveritë e kaluara”, u shpreh ajo.

Ajo tha se duhet pasur shumë kujdes në mënyrën se si do t’u qaset qeveria këtyre temave.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në këtë aspekt dhe duhet pasur shumë kujdes në mënyrën se si do t’u qaset qeveria këtyre temave dhe gjithmonë kjo duhet të bëhet duke pasur parasysh rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të mos e shohim qeverinë në ndonjë konfrontim të ri, siç e kemi pasur me qeveritë e kaluara, ku për shkak të tarifës apo masave të reciprocitetit, kemi pasur mospajtime brenda qeverisë apo edhe rënie të qeverive”, u shpreh Haxholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat