​Kurti: Jemi të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave

Aktuale

​Kurti: Jemi të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 16:13
Albin Kurti

Këshilli Ndërministror i Ujërave ka mbajtur takimin e parë në përbërjen e tij të re, në të cilin ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në kuadër të diskutimit mbi gjendjen e sektorit të ujërave në Kosovë dhe orientimit strategjik të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fushë, kryeministri Kurti ka thënë se janë të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave dhe se beson që kjo qeveri është më aktivja deri më tani në përparimin e këtij sektori.

Duke renditur disa prej veprimeve që qeveria ka ndërmarrë deri më tani, kryeministri Kurti tha se kanë krijuar grupin punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale, kanë ndaluar dhënien e pasurisë ujore pa koncesion, kanë miratuar programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, kanë miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë.

Sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, kreu i ekzekutivit tha se kanë emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe jemi në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera.

Ai veçoi rritjen prej 220 përëind në të hyrat nga pagesat ujore.

Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ritheksoi synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës.

Kryeministri Kurti shprehu falënderimin në emër të qeverisë ndaj komunitetit të donatorëve për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e ujërave, duke veçuar qeverinë e Zvicrës dhe Gjermanisë, Komisionin Evropian dhe Bankën Botërore.

Në këtë mbledhje, përpos ministrave të kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesve të institucioneve të linjës, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat