Këta janë dy vëllezërit biznesmenë që akuzohen për shkatërrim të monumenteve në Prizren

Aktuale

Këta janë dy vëllezërit biznesmenë që akuzohen për shkatërrim të monumenteve në Prizren

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 22:01
Agron e Valbon Kastrati

Agron e Valbon Kastrati janë dy vëllezërit, biznesmenë ndaj të cilëve sot Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për dëmtim të monumenteve historike e uzurpim prone. Dyshja, tentuan të ndërtonin një hotel.

Më konkretisht, ata akuzohen për veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” dhe “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.

Ndonëse Inspektorati i Ndërtimit vlerësoi që ndërtesa duhet të rrënohet pasi që rrezikon të dëmtojë monumentin “Teqeja Melami”, monument historik, zyrtarët komunal (ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë), dalin kundër këtij vendimi. Kërkojnë që punimet të vazhdojnë.

Duke ia mundësuar kështu investitorëve, Agron e Valbon Kastrati ndërtimin e objektit në kundërshtim me ligjin për ndërtim.

Po ashtu, të akuzuarit sipas Prokurorisë kanë shkelur një sërë ligjesh kur kanë vendosur vazhdimin e punimeve në ndërtimin e hotelit në zonën e mbrojtur me ligj.

“Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët Agron Kastrati dhe Valbon Kastrati, dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të 3 dhjetorit 2018, ndërprenë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve V.K., dhe A.K., ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pesë zyrtarët komunal u kanë lejuar të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K., dhe A.K., në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.

“Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal”.

Ani pse Inspektorati qysh në vitin 2018-të theksonte se ky ndërtim është pa leje dhe se duhet rrënuar kundër këtij vendimi pati reaguar ashpër edhe vet biznesmeni, Agron Kastrati.

Reagimin e tij në Facebook, e nisi duke pyetur nëse ka shtet në Kosovë. Duke mos i përmendur zyrtarët tjerë komunal të cilët po e ndihmonin atë dhe vëllai e tij për ndërtimin e këtij objekti pa leje.

Madje, ndërtimin e tyre e arsyeton me atë se përreth ka mbindërtime. Teksa shprehet se “Krejt lagjja përreth nesh është me mbindërtime me nga 4 kate kurse ne smundemi as kulmin me rregullu”. Harron që me investimin e tij po e dëmtonte një monument kulturore. Në rastin konkret “Teqe Melami”.

Prokuroria sqaron se si dy biznesmenët me dijeni dëmtojnë objektin e mbrojtur kulturor, historik e fetar.

“I pandehurit A.K., dhe V.K., thuhet se më 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme”.

Me këto veprime, të pandehurit Agron Kastrati dhe Valbon Kastrati, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, nga neni 354, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, aktakuza thotë se të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati prej 8 majit 2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 332 paragrafi 2 pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu tu shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin publik” si dhe “Urdhëri për publikimin e aktgjykimeve”, thuhet në fund të njoftimit.

Pesë zyrtarët komunal që dolën kundër Inspektoratit të Ndërtimin e në përkrahje të dy vëllezërve biznesmen

Përveç dy vëllezërve, aktakuzë është ngritur edhe ndaj pesë zyrtarëve komunal. Islam Thaçi, Drejtori i Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Krenare Koqi, shefe e kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, si dhe ndaj F.M., R.M., E.B, të ngarkuar nga Prokuroria për korrupsion.

Pesëshja e zyrtarëve komunal ia mundësuan biznesmenëve ‘të fortë’ të Prizrenit të vazhdojnë ndërtimin e jashtëligjshëm në atëkohë.

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të pandehurit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, F.M., në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Ubanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, R.M., në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, E.B., si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe K.K., në cilësi të shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat