​KDI: Zgjedhjet pamundësojnë efikasitetin e punës së Kuvendit

Aktuale

​KDI: Zgjedhjet pamundësojnë efikasitetin e punës së Kuvendit

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 15:06
Pamje nga takimi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po vlerëson se zgjedhjet kanë pamundësuar efikasitetin e punës së Kuvendit, për çka në tryezën “Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 dhe ndikimi i saj në punën e Kuvendit të Kosovës”, ka kërkuar nga institucionet e vendit që të reflektojnë për reformën zgjedhore.

Gjatë kësaj tryze u kritikua numri i vogël i seancave të mbajtura gjatë vjeshtës, ndërkohë që nuk mbetën pa u përmendur as mungesat jo të pakta të deputetëve në to.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu tha se Kosova deri tash ka arritur standarde në proceset zgjedhore në rajon.

Kryeziu: Institucionet të reflektojnë për reformën zgjedhore

“Edhe pse Kosova tanimë ka arritur disa standarde në proceset zgjedhore, madje mund të quhemi si lider në përmbushjen e tyre për zgjedhje të mira dhe të drejta në rajon. Gjithsesi jemi në një periudhë ku institucionet tona duhet të reflektojnë për reformën zgjedhore apo edhe për ndryshimet teknike dhe legjislative ndoshta që duhet t’i posedojë Ligji zgjedhor përfshirë edhe disa ligje të tjera. Madje ndoshta duhet të diskutojmë edhe për arritjen e një kodi zgjedhor, i cili i përfshinë disa ligje të cilat kanë drejtpërdrejt impakt në proceset zgjedhore”, ka thënë ai.

Ndërkaq Eugen Cakolli nga KDI tha se në këto fushata zgjedhore asnjë nga kandidatët nuk ka paraparë buxheti gjinor më saktësisht për kandidatet gra

Cakolli: Subjektet politike nuk kanë paraparë buxhetimi gjinor për kandidatet gra

“Sa i përket programeve politike, ato kanë shënuar një përparim të ndjeshëm si në përmbajtje ashtu edhe për nga mënyrën e pasimit të tyre për publikun... Vizuelizimi i shumë prej projekteve të premtuara sidomos ato infrastrukturore kanë ndikuar pozitivisht në elektoratet përkatëse në që votuesit kanë pasur mundësi që të përjetojnë vizionet e kandidatëve lidhur me këto projekte... Asnjë prej subjekteve politike fatkeqësisht nuk ka paraparë buxhetim gjinor për kandidatet gra si mënyrë e përkrahjes dhe pjesëmarrjes së grave në zgjedhje. Në anën tjetër subjektet e caktuara si rasti i PDK-së dhe LDK-së gratë janë përkrahur përmes liderëve të këtyre subjekteve politike me aktivitetet nga kandidatet gra dukshëm më shumë se që kishte ndodhur në të kaluarën”, ka thënë ai.

Agnesa Haxhiu nga KDI foli për mungesat e kuorumeve të Kryesisë së Kuvendit, por edhe për mungesat e seancave të Kuvendit ku në këto të fundit janë shënuar 57 mungesa.

Haxhiu: Gjatë vjeshtës, Kuvendi ka mbajtur 3 seanca dhe një seancë vazhdim

“Përderisa po flasim për pjesëmarrjen e deputetëve në këtë garë normalisht fokusi i tyre në zgjedhjet lokale dhe i të gjithë deputetëve ka ndikuar dhe e ka ulë dukshëm efikasitetin e punës së Kuvendit nga fillimi i sesionit vjeshtor punës së Kuvendit që ka koincidu kur ka filluar edhe fushata zgjedhore. Kuvendi ka mbajtur tri seanca dhe një seancë vazhdim, ndërsa Kryesia e Kuvendit ka hasur në vështirësi. Pamundësia e arritjes së kuorumit dhe vonesat deri në zëvendësim kanë bërë të pamundur arritjen e kuorumit të katër anëtarëve për t’i mbajtur mbledhjet e saj... Tash pavarësisht numrit të vogël të seancave, mungesat e deputetëve kanë qenë shumë evidente për çështjet të cilat po vazhdojnë të jetë shumë problematike edhe për këtë legjislaturë. Në tri seancat e para përfshirë edhe seancën e vazhdimit janë shënuar 56 mungesa prej të gjithë deputetëve që i bie 19 mungesë për një seancë”, ka thënë ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat