Deputeti i PDK-së që u përball me akuzat për plumba, i përgjigjet ministrit

Aktuale

Deputeti i PDK-së që u përball me akuzat për plumba, i përgjigjet ministrit

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 16:15
Isak Shabani

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani një ish i burgosur politik që u betua si deputet më 18 nëntor të këtij viti, u përball me akuza jo qartësisht konkrete të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për plumba “të gjuajtur sikurse në të kaluarën”.

“Pak kanë qenë befasuese për mua [akuzat e ministrit Faton Peci, v.j] dhe si kam pasur shumë të qarta”,  tha Shabani të mërkurën, një ditë pas përplasjes. “Nuk e kam menduar kurrë se do të përballesha me këto akuza në Kuvendin e Kosovës”.

Shabanit i ra barra e përballimit të shfryrjes verbale të ministrit Peci, të tensionuar pas një debati në mbledhjen e komisionit me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu.

Kolegia partiake e Shabanit hodhi ujë në drejtim të ministrit Peci dhe lëshoi para kohe mbledhjen e komisionit.

I acaruar me aktin e deputetes Musliu, të cilën e quajti “të paedukatë dhe të pakulturuar”, ministri Peci iu drejtua përfaqësuesit të vetëm të PDK-së që ndodhej brenda sallës së mbledhjes: Isak Shabanit.

Deputetit nga Komuna e Podujevës, i cili gjatë mbledhjes së komisionit të mërkurën i parashtroi vetëm tri pyetje ministrit që po raportonte para deputetëve, iu përmendën “plumbat e së kaluarës” nga Peci.

“Sa të jem unë ministër kjo nuk ka me ndodhë, ndaq gjuani me ujë ndaq me plumb qysh keni gju në të kalumën, nuk ka bir nëne që e ndal dikush Faton Pecin”, iu drejtua ministri Peci, deputetit Shabani.

Akuzat e ministrit nuk i ka kuptuar ende qartësisht deputeti që shërben për herë të parë si ligjvënës në kuvend. Shabani, i ka cilësuar ato si “të paqarta dhe të pabaza”.

“Ajo që dua të them se ka kaluar koha kur është gjuajtur me plumba”, tha Shabani. “Ishte mjaft fyese, e rendë, si dhe pa bazë e pa argumente deklarata e ministrit. Detyra e tij është që të merret me punët e tij dhe jo me vrasje, e me plumbat”.

Shabani thotë se “plumbat” e përmendur nga ministri Peci i kujtojnë një përvojë personale, të trishtueshme, në Burgun e Dubravës më 1997.

“Pasi u drejtua me akuza për plumba, unë dua t’i them ministrit Faton Peci se mua regjimi kriminel i Millosheviqit m’i ka drejtuar me mijëra plumba në Burgun e Dubravës por fatmirësisht kam shpëtuar”, rrëfeu deputeti, i cili ishte i bugosur politik në Kosovën e kontrolluar nga regjimi i ish-liderit famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq.

Shabani ishte dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga një gjykatë e Kosovës më 7 shkurt 1997, pesë ditë pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kësisoj, kishte përfunduar në burgun e Dubravës, për të përjetuar tmerrin e masakrës së Dubravës, të kryer rreth dy vjet më vonë, prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Nga aty, Shabani ishte transferuar në burgje brenda territorit të Republikës së Serbisë. Atje, i kishte rënë të takohej me kryeministrin aktual, Albin Kurti, po ashtu një ish i burgosur politik.

Historia e tij personale, e shtyn deputetin Shabani t’i drejtojë një pyetje ministrit Peci.

“Do të ishte mirë që ministri Peci ta pyes kryeministrin e tij, Albin Kurti se kush është Isak Shabani dhe ku më ka takuar mua kryeministri i tij”, thotë Shabani për Paparacin.

Deputeti, që ende nuk ka hyrë në muajin e dytë të angazhimit të tij si deputet në parlament, thotë se me shefin e qeverisë, Albin Kurtin, ishte takuar në Burgun e Nishit.

“Gjatë periudhës në burgje në Serbi, unë e kam pasur rastin ta takoj kryeministrin Kurti në burgun e Nishit dhe kam pasur kontakte asokohe me të, sikurse me çdo të burgosur të tjerë shqiptarë në burgjet e Serbisë”, u shpreh Shabani.

Ilir Gashi, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkoi sot hetimin e deklarimeve të ministrit Faton Peci. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat