Konjufca reagon pas intervistimit të Kelmendit nga BIA

Aktuale

Konjufca reagon pas intervistimit të Kelmendit nga BIA

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 17:41
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca e ka cilësuar të papranueshme intervistimin e gazetarit dhe drejtorit të Klan Kosovës Adriatik Kelmendi nga inspektorët e BIA-s në Beograd ku Kelmendi në cilësinë e avokuesit publik të pajtimit rajonal ishte pjesë e Forumit të XIV-të për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave.

“Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë’”, ka shkruar ai.

Konjufca ka reaguar po ashtu edhe ndaj faktit që Gjykata e Apelit në Beograd e ka cilësuar të ligjshëm përdorimin e termit ofendues për shqiptarët.

“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat