Arrestohet edhe një i dyshuar në Pejë për rastin “Subvencioni 2021”

Aktuale

Arrestohet edhe një i dyshuar në Pejë për rastin “Subvencioni 2021”

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 10:58
Foto ilustrim

Policia  e Kosovës ka njoftuar se në vazhdim të aksionit “Subvencioni 2021”, ka arrestuar edhe një person të dyshuar në Pejë.

I dyshuari pas intervistimit nga prokurori është dërguar në mbajtje.

“Pejë (NN) 22.12.2021 – 14:00. Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në ndërkohë në fillim të dhjetorit, me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike ditë më parë kanë realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme të Kosovës, i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme, për rastin e njohur si “Subvencioni 2021”.

Prokuroria ka njoftuar se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë 31 persona, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Përderisa, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.

Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.

Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat