Ky është çmimi për megavat që paguan KOSTT për blerjen e energjisë nga era që prodhohet në Bajgorë

Aktuale

Ky është çmimi për megavat që paguan KOSTT për blerjen e energjisë nga era që prodhohet në Bajgorë

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 18:28
Pamje nga Bajgora

Energjia e prodhuar nga era në Bajgorë të Mitrovicës së Jugut, blihet nga KOSTT-i me çmimin prej 86 euro për megavat.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), thonë se KOSTT e blen energjinë nga gjeneruesit me erë dhe e shet tek furnizuesi KESCO me çmimin referent të tregut të aprovuar nga ZRrE-ja.

Zana Bajrami-Rama, menaxhere për Komunikim në KOSTT, tha se KOSTT-i e blen energjinë nga era me çmim prej 86 euro për megavat.

“KOSTT e blen energjinë nga gjeneruesit me erë 86 € për MWh, ndërkaq e shet tek furnizuesi (KESCO) me çmim 35.4 € për MWh. Diferenca në mes të tarifave BRE (Feed-in tarifa) dhe çmimit referent të tregut, KOSTT e realizon nëpërmes tarifave BRE, të aplikueshme për furnizuesit, në këtë rast KESCO”, shprehet Bajrami – Rama.

Bajrami – Rama ka treguar se si ndahet e gjithë kjo sasi e rrymës që prodhohet nga BRE-të.

“E gjithë sasia e energjisë elektrike e cila prodhohet nga BRE-të ndahet proporcionalisht për konsumatorët e furnizimit të shërbimit universal dhe konsumatorët e parregulluar. Sasia e energjisë varion”, tha Bajrami -Rama.

Në këtë park të Bajgorës janë të instaluara 27 turbina, të cilat kanë fuqi të prodhojë nga 3,45 megavat secila, ndërsa në total parashihet të prodhohen 105 megavat në orë, që nënkupton 10 për qind e prodhimit që ka Kosova.

Kujtojmë se aktualisht Kosova gjeneron energji elektrike prej termocentraleve me linjit rreth 87.36 % të prodhimit, (TC A dhe TC B KEK), pastaj me HC Ujmani me 2.91 %, centralin me erë “Kitka” (Air Energy) me 2.95 % dhe BRE-të e tjera në pronësi private (hidrocentralet, panelet solare dhe centralet me erë) me 6.78 %.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat