Kusari-Lila: Opozita kontribuon në prishjen e imazhit të punës së Kuvendit

Aktuale

Kusari-Lila: Opozita kontribuon në prishjen e imazhit të punës së Kuvendit

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 17:05
Mimoza Kusari-Lila

Ushtruesja e detyrës së shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se opozita ka tendencë për prishjen e imazhit të punës së Kuvendit. Pas dështimit të miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo theksoi se këto marrëveshje kanë rëndësi të madhe për jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se në seancën e sotme është vërejtur një performancë jo e mirë e opozitës, me arsyetime të paqëndrueshme dhe në dëm të qytetarëve.

Kusari-Lila: Opozita kontribuon në prishjen e imazhit të punës së Kuvendit

“Ka pasur tendencë të vazhdueshme dhe sot u pa nga opozita që duan të kontribuojnë në dëmtimin e imazhit të punës së Kuvendit dhe rezultatit tonë për agjendë legjislative. Dhe sa më i madh angazhimi ynë në sjelljen e projektligjeve në punën dhe aktivizimin e Kuvendit, aq më e madhe po bëhet rezistenca e tyre në Kuvend, padrejtësisht. Si rrjedhojë e kësaj u gjet arsyetimi për të mos u kaluar katër marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat janë me peshë dhe rëndësi të madhe e të veçantë. Qoftë për ndikimin që e kanë në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, qoftë edhe për bashkëpunimin strategjik që Kosova e ka me gjitha vendet që do të miratoheshin sot këto marrëveshje ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, mosmiratimi i këtyre marrëveshjeve është humbje e fokusit të mandatit dhe qëllimit të deputetit.

Kusari-Lila: Mosmiratimi i marrëveshjes “Fulbright” është humbje e fokusit mbi mandatin e deputetit

“Mosmiratimi i marrëveshjes “Fulbright” dhe arsyetimi që kinse pozita nuk ndërton konsensus me opozitën, përveç një shkarje e madhe politike është gjithashtu një humbje e fokusit mbi mandatin dhe qëllimi që duhet të ketë secili deputet. Mosmiratimi i marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëtarëve të FSK-së dhe ushtrisë së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre në territoret e shteteve përkatëse, gjithashtu e tregon një mungesë të vizionit mbi rëndësinë strategjike që e ka ky projektligj”, theksoi ajo.

Më tej, ajo shtoi se shumica ka votuar për mocionin procedural të AAK-së për të treguar që janë pro trajtimit të krizës energjetike. Për këtë, shtoi se do të vazhdojnë dialogun që të arrijnë konsensus për miratimin e këtyre marrëveshjeve.

Kusari-Lila: Do të vazhdojmë dialogun me opozitën

“Ne do të vazhdojmë dialogun dhe komunikimin. Asnjëherë nuk ka munguar qasje që të jemi të afërt dhe të dëgjojmë me kujdes dhe të trajtojmë kërkesat e opozitës. Por nuk mund të kemi një miratim të 100 përqind të çdo kërkese që vjen nga ana e tyre. Apo të kërkojmë falje për shumicën që e kemi në Kuvend. Gjithashtu presim që të reflektojmë pozitivisht në domosdoshmërinë e miratimit të këtyre marrëveshjeve”, ka thënë ajo.

U.d. shefja e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje shtoi se janë tetë projektligje për shëndetësi që priten të miratohen sonte dhe të njëjtat nuk janë kundërshtuar në komision.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat