Kush e rrëmbyen, torturuan dhe e ekzekutuan ushtarakun Selman Kuqin!

Aktuale

Kush e rrëmbyen, torturuan dhe e ekzekutuan ushtarakun Selman Kuqin!

Nga: Idriz Morina Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 20:48
Ushtaraku Selman Kuqi, gjatë luftës me uniformë dhe i armatosur

Ishte një ushtarak i njohur dhe i dashur për luftëtarët. I respektuar dhe i nderuar. E kishte bërë detyrën e tij gjatë luftës. Askush se mendonte se shumë shpejt mund të përfundonte trishtueshëm, Selman Kuqi, i lindur në fshatin Kotlin të Kaçanikut.

Më së paku ishte familja, ajo që do të mund të ballafaqohej me këtë tragjedi. Tragjedi, më të madhe, se sa t’i shpëtosh luftës, dhe të vritesh në paqe nuk ka. Ambiciet e njerëzve për pushtet, fuqi, para dhe kënaqësi nuk kanë fund!

Në qershor ishte vrarë një mik i tij, po ashtu ushtarak, me të cilin kishte ndarë një pjesë të jetës në shkollim, studime, në periudhën e përndjekjes nga regjimi i Millosheviçit.

Ishte pushuar nga puna në vitin 1989, po nga regjimi i Millosheviçit, atëherë kur ky regjim i futi masat e dhunshme, dhe po provonte ta shembte jetën në Kosovë. Në këtë mënyrë shqiptarët të merrnin arratinë dhe të zbrazje vendi.

Por, një lëvizje e fuqishme e paparë, si një Rilindje kombëtare e ringjallur, por e korrigjuar nga gabimet e saja, po e ushqente shpresën e lirisë dhe pavarësisë.

Kjo lëvizje kishte krijuar edhe mbrojtjen territoriale. E cila do të merrte një goditje të rëndë në vitin 1993, kur u zbulua nga shërbimi inteligjent i Serbisë, dhe dy grupe, nga tri sa kishte, ra pjesa më e madhe e zinxhirit, duke u ballafaquar me tortura dhe arrestime.

Për t’i shpëtuar arrestimeve Selmani së bashku me një koleg të tij, u detyrua të arratisej në Maqedoni në vitin 1993 dhe të mbetej shumëherë atje deri në luftë, në vitin 1998.

“Pasi që u pushuan nga puna në vitin 1989 nga mbrojtja ushtarake e Jugosllavisë, ata kanë punuar për planet e luftës për çlirimin e Kosovës, ku shumëherë kemi pas bastisje. E janë larguar prej Kosovës, disa herë kanë qëndruar në Maqedoni, prej viti 1993 e deri në vitin 1998”, rrëfen djali i Selmanit, Liman Kuqi, familja e të cilëve jeton në fshatin Elezaj të Kaçanikut.

Por, si u vra Selmani

Sipas disa burimeve, madje edhe të botuara, eprori Selman Kuqi, ishte rrëmbyer, torturuar dhe ekzekutuar në rrethana jo të panjohura, pasi burimet pohojnë se i dyshuar për rastin është Xhabir Zharku dhe dy persona të tjerë.

Për këtë vrasje të pas luftës, për këtë epror të UÇK-së, nga Kaçaniku, është shkruar fare pak, apo thuajse asgjë, edhe pse ishte ndër vrasjet e para nga grupe kriminale apo njerëz të prirur për sadizëm.

Një burim, për një media në Kosovë vite më parë kishte pohuar se rasti Kuqi, do të ishte pjesë e hetimeve të gjykatës speciale, e cila atëherë ende nuk e kishte zyrtarizuar formalisht punën e saj. Ishte viti 2016.

Njeriu kryesor që do të hetohej për rastin konsideronte burimi, se është Xhabir Zharku.

Gjykata speciale ende nuk e kishte selinë funksionale, dhe ende nuk i kishin nxjerrur të gjitha rregulloret që i duheshin asaj për t’ia filluar punës.

Një proces ky që mori shumë kohë, deri në kohën e shpalljes së fillimit të punës me kapacitetet e veta.

Selman Kuqi, epror ushtarak në momentin e arrestimit ende ishte komandant batalioni në UÇK, ndërsa në ditët e fundit të luftës, po hynin në Kosovë, së bashku me një grup ushtarësh, në mesin e të cilëve ishte edhe Xhabir Zharku, është hedhur në pabesi në një kurth, i cili u pasua me arrestimin e tij.

“Arrestimi është kryer gjatë kthimit në grup së bashku me ta ishte edhe Xhabiri. Pasi e kalojnë kufirin, nëse nuk gaboj me 6 qershor, i thotë ti je i arrestuar”, thotë një burim.

Ky arrestim kishte zgjatur për dy javë, por që mendohet se gjatë asaj kohe, i arrestuari Kuqi, është keqtrajtuar.

Por, nuk mendojnë kështu familjarët e tij.

“Në qershor është kthyer prapë në luftë me një grup ushtarësh. Aty ka qenë edhe Xhabir Zharku, deri atëherë i panjohur, të nesërmen që kanë hy në Kosovë është bërë mbledhja te “Uji i bardhë” në fshatin Biqec të Kaçanikut, që të bëhet betimi i ushtarëve të rinj, ku e merr fjalën Xhabiri e thotë që është përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm të jetë komandat i Brigadës 162, e si detyrë e ka për ta arrestuar Selman Kuqin. Ishte data 06 qershor 1999, po asnjëherë nuk ka pas një urdhër të tillë nga askush”, thotë djali i tij Limani, i cili beson se nuk është keqtrajtuar gjatë asaj kohe babai i tij.

Rrëmbimi

Familja ende shpreson se një ditë do të zbardhet e vërteta.

Pas këtij arresti të gjatë, Selmani do të lirohet, do t’i kthehet familjes, me shpresë se vuajtjet kishin marrë fund.

Pas pak muajsh, me 10 shtator Selman Kuqi rrëmbehet.

“Pastaj me 10 shtator kidnapohet Selmani në rrugë. Mbahet në një lokal”, rrëfen burimi, që për shkaqe sigurie, frikës nga Zharku dhe njerëzit e tij, nuk guxon ta zbulojë identitetin.

Ngjarja fillon të bëhet dramatike, dhe të kthehet në tragjedi për Selmanin dhe familjen e tij.

“Pas maltretimeve që i bëhen për gjysmë dite, në orët e vona merret me një kerr “Alfa Romeo” ngjyrë e bardhë, dhe e dërgojnë pranë varrezave të dëshmorëve dhe e vrasin me një plumb në kokë.

Po mos të harrojmë se edhe kur arrestohet edhe kur vritet ka qenë me dekret të komandantit të batalionit”, thotë ky burim.

Por, sipas familjes Selmani në Ferizaj në kafe është taku me 2 persona. “Qysh më ka thënë, pronari i kafes, ata kanë qenë persona të njohur, për ta, se janë marr në gryk, kur janë taku e prej, aty nuk e ka pa më kush të gjallë, deri në mbrëmje, kur e kemi gjetur kufomën e tij afër varrezave të dëshmorëve në Kaçanik”, thotë djali i tij Limani.

Zbardhja e vrasjes së Selman Kuqit, mund ta zbardh edhe vrasjen e komandant Qamil Ilazit- Bardhit, i cili ishte vrarë në pritë.

“Vlen të theksohet që ka qenë njeri i afërm me komandant Qamil Ilazin- Bardhin, me të cilin kishin një shoqëri afro 30 vjeçare. Dhe vrasja e Selmanit mund të ndërlidhet me vrasjen e komandant Bardhit, i cili bie në pritë dhe bie dëshmor!”

Kush janë përgjegjës të tjerë?

Sipas këtij burimi, numri i njerëzve përgjegjës është më i madh, pasi ndihmuan me apo pa qëllim në kryerjen e këtij krimi makabër.

“Për vendin e mbajtjes së Selmanit dhe rojet që janë përkujdes për ta, përgjegjësia duhet të bie edhe mbi komandantin e policisë ushtarake në kuadër të brigadës, Xhabir Elezin dhe zv. e tij Ramiz Zenunin, ky i fundit ishte bashkëpjesëmarrës në arrestimin e Selmanit dhe si shpërblim Xh. Zharku e emëron zv.komandant të policisë ushtarake”, rrëfen ky burim.

Image
Selman Kuqi, ulur në mes, dhe në të djathtë Qamil Ilazi

Është interesant se nuk ka të dhëna që Xhabir Zharku dhe Ramiz Zenuni kanë qenë pjesë e ofensivës në komunën e Kaçanikut.

“Të dy marrin detyra komanduese në përfundim të luftës, vetëm e vetëm për t’i larguar komandantët më eminent të brigadës 162 ‘Agim Bajrami’”.

Selmani u ekzekutua në fund të ditës me të shtëna nga revolja 7.65 mm, në kokë.

Selmani u varros në varrezat e fshatit, ndërsa të afërmit megjithatë shpresojnë se dikush një ditë do të dënohet.

E familja ende nuk ka arritur të marrë satisfaksion për autorët e krimit. Ende askush nuk është ndëshkuar, pas 21 vitesh.

“As policia, as gjykata, kurrënjëherë nuk janë interesuar për këtë rast, jeni i pari dhe të vetmit, ju”, thotë Liman Kuqi.

Familja heziton shumë të shpresojë nëse rasti mund të zbardhet nga drejtësia. “Në pyetjen tuaj se a besoni që një ditë do të zbardhet rasti i babës, ju them se nuk besoj që do të zbardhen asnjë nga këto raste si i babës tim, përderisa i kemi të njëjtit kriminel në cilëndo Qeveri që formohet. Ata janë aty si me PDK-në, me LDK-në, me AAK-në po edhe tash me VV-në, dhe ata janë aty në kryet të vendit”, thotë Liman Kuqi, djali i Selmanit të ekzekutuar.

Ai është pyetur se nëse shteti duhet t’i ndihmojë këto familje të viktimave të vrasjeve politike.

“Në pyetjen se a duhet të ndihmohen nga shteti familjet e viktimave për vrasje politike, këtu do të përgjigjem shumë shkurt, se Kosova nuk ka shtet funksional ende”, thotë Kuqi.

Për shumë vite pas luftës Xhabir Zharku do të ndodhej në Suedi. Atje kishte fituar shtetësinë para luftës. Pas luftës ishte njëri prej figurave me ndikim të grupimit të njerëzve që do të rreshtoheshin me PDK-në, dhe që gjatë luftës ishte njeri i rëndësishëm i grupimit, që njihej si shtab me seli në hotelin “Rogner” të Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat