Kurti: Arsimi cilësor dhe digjitalizimi janë çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror

Aktuale

Kurti: Arsimi cilësor dhe digjitalizimi janë çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 11:03
Albin Kurti

Për herë të dytë sot është mbajtur seminari shkencor i organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) i Universitetit të Prishtinës. Pjesëmarrës në këtë seminar krahas shumë profesorëve dhe hulumtuesve të fushës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, por shtoi se digjitalizimi është komponent kyç për reformën në këtë sektor.

Kurti kujton kohën që si i ri kishte kaluar në këtë Fakultet për çka tha se enterieri i pandryshuar ia kthen në kujtesë kohën që ka kaluar, por në anën tjetër thërret përgjegjësinë për investimet e shumta që duhet të bëhen në universitetet e Kosovës.

Kryeministri ka treguar të gjitha veprimet që po ndërmarrin si qeveri për të instaluar digjitalizimin.

Kurti: Arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror

“Arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të Kosovës dhe rritja e cilësisë në arsim kërkon transparencë dhe formim në të gjitha nivelet e arsimit. Digjitalizimi në arsim është një komponent kyç i reformës në këtë sektor. Ai synon që të përmirësojë cilësinë e arsimit në gjitha nivelet dhe të sigurojë që trendet globale që prezantohen me shpejtësi tek fëmijët dhe të rinjtë në Kosovës. Situata pandemike theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. Në kuadër të planit strategjik të arsimit kemi përcaktuar këto drejtime kryesore të digjitalizimit: krijimin dhe funksionalizimin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuara, përgatitjen e materialeve mësimore digjitale shumë dimensionale dhe cilësore për nivele, klasë, lëndë dhe lloje të ndryshme, furnizimin e institucioneve arsimore me rrjetit e internetit cilësor dhe pajisje teknologjike të nevojshme, kultivimin e kompetencës digjitale tek të gjitha palët e përfshira dhe tek të gjitha institucionet arsimore dhe krijimin e mekanizmave institucional që mundësojnë realizimin e digjitalizimit dhe përdorimin e teknologjisë“, u shpreh ai.

Shefi i qeverisë kosovare theksoi se ky seminar shkencor ofron mundësi për zhvillimin e aftësive digjitale si një domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme drejt zhvillimit.

Kurti: Qeveria do të bëjë punën e saj në promovimin e digjitalizimit në vendin tonë,

“Qeveria do të bëjë punën e saj në promovimin e digjitalizimit në vendin tonë, por transformimi digjital i vendit kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektori publik, privat dhe sistemit arsimor. Ne duam të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë në arritjen e objektivave të përbashkëta të zhvillimit të vendit tonë. Ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku edhe me hulumtues tanë në diasporë për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit si domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme si rruga më e mirë drejtë zhvillimit”, theksoi ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti tha se organizimi i këtij seminari kontribuon për kultivimin e bashkëpunimit në mes të hulumtuesve të rinj dhe atyre me përvojë.

Sahiti: Në dy dekadat e fundit është rritur numri i hulumtuesve kosovar në universitetet ndërkombëtare

“Nga përvoja personale e di që numri i hulumtuesve nga Kosova në universitetet ndërkombëtare prestigjioze për rreth dy dekadave ka qenë tejet i vogël. Mirëpo, brenda dy dekadave të fundit kemi dëshmitar që ky numër është rritur shumë kryesisht si rezultat i mundësive të reja të krijuara me hapjen e Kosovës në raport me vendet tjera në vitet r pasluftës[...]Si menaxhment i UP-së jemi shumë të interesuar që të krijojmë rrethana të përshtatshme për integrimin qoftë edhe të përsëritshëm të potencialit hulumtues të diasporës në universiteti tonë. Është fat i madh që në mesin e këtyre hulumtuesve ekziston një interesim ku më shumë dhe ku më pak për të ndihmuar zhvillimin e universiteteve tona në rend të parë të Prishtinë“, theksoi ai.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani u shpreh se ky fakultet zhvillon arsimim të integruar bashkëkohor dhe inovacionit ku zhvillohen aftësi profesionale dhe hulumtuese.

Shabani: Po punojmë që nevojat e tregut t’i përshtatim me edukimin e vazhdueshëm

“Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike buron nga misioni themelor i Universitetit të Prishtinës si institucion publik autonom i arsimit të lartë që zhvillon arsim akademik, kërkime shkencore, krijime artistike, këshillime profesionale dhe fusha të tjera akademike. Bazuar në këtë Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka definuar misionin e tij në shkollimin e të rinjve në fushën e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike në të gjitha nivelet e arsimit të lartë me qëllim që të jenë në gjendje që t’i përgjigjen kërkesave dhe nevojave të tregut në vend dhe më gjerë, t’i përshtaten edukimit të vazhdueshëm në Kosovë shumë dinamike si dhe të kontribuojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik, social dhe shkencor të Kosovës”, u shpreh ai.

Në këtë seminar do të prezantohen hulumtime të shumta shkencore edhe nga hulumtues nga diaspora në fushëveprime që lidhen me fushën e inxhinierisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat