Lansohet shërbimi për pagesat elektronike

Aktuale

Lansohet shërbimi për pagesat elektronike

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 17:06
Qeveria e Kosovës

Shërbimi për pagesat elektronike për qytetarët është lansuar të mërkurën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se përmes këtij shërbimi synohet që të rritet transparenca, llogaridhënia dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve.

“Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike, synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, tha Kurti.

Në lansimin e pagesave elektronike morën pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Tutje, Kurti tha se pagesat elektronike do të jenë lehtësim edhe për qytetarët nga mërgata për marrje të shërbimeve pa prezencë fizike, teksa shtoi se fillimisht do të aktivizohen vetëm pagesat për tatim në pronë dhe gjoba në trafik.

“Sot po fillojmë me pilotimin e pagesave elektronike për shërbimet qeveritare që janë një komponent përbërës i rëndësishëm për realizimin e shërbimeve të e-qeverisjes. Qëllimi është që qytetarëve t’iu ofrohet mundësia që shërbimet e iniciuara në mënyrë elektronike në portalin e-Kosova, të mund edhe të përfundohen në mënyrë elektronike brenda portalit qeveritar.

Në këtë mënyrë synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare nga qytetarët. Pagesat elektronike do të jenë lehtësim edhe për qytetarët tanë nga mërgata për marrjen e shërbimeve qeveritare pa prezencë fizike”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat