RTK-ja do t’i nënshtrohet auditimit publik të pasqyrave financiare

Aktuale

RTK-ja do t’i nënshtrohet auditimit publik të pasqyrave financiare

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 14:38
RTK

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton se ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Auditimi i RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë, auditimi kryhet nga një auditor i jashtëm. Raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.

“Zyra Kombëtare e Auditimit do të testojë nëse transaksionet e kryera nga organizata janë në përputhje me kornizën ligjore në të cilën vepron. Kjo nënkupton marrje të sigurisë se transaksionet janë në përputhje me autoritetet e duhura, duke përfshirë kornizën statutore të organizatës. Objektivi tjetër në këtë auditim është të shprehim një konkluzion të auditimit për pajtueshmërinë e autoriteteve përkatëse të RTK-së me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare, lidhur me subjektin e audituar”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

“Ndërsa, sa i përket auditimit të performancës, objektivë e auditimit është të vlerësohet nëse RTK-ja ka menaxhuar në mënyrë të duhur fondet publike. Ky auditim i performancës do të mbuloj aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore. Auditimi do të fokusohet në këtë fushë, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e buxhetit vjetor të RTK-së shpenzohet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve. Fushëveprimi i auditimit të performancës do të përfshijë RTK-në si përgjegjëse për vlerësimin e nevojave për burime njerëzore, caktimin e objektivave të stafit, zbatimin e procedurave të ndryshme, vlerësimin e performancës edhe sigurimin e vlerës për paranë e shpenzuar. Më konkretisht, auditimi do të përfshijë aktivitetet e ndërlidhura me burimet njerëzore e që janë zhvilluar në vitet 2019, 2020 dhe deri në shtator të vitit 2021”, vijon njoftimi.

Përmes këtyre auditimeve synohet rritja e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të aktiviteteve në aspektin e burimeve njerëzore, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore të RTK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat