Pas rastit të KEK-ut, qeveria angazhon një tjetër ekspert gjerman

Aktuale

Pas rastit të KEK-ut, qeveria angazhon një tjetër ekspert gjerman

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 15:33
Christian Timm

Christian Timm, një ekonomist gjerman, është angazhuar nga Qeveria e Kosovës për hartimin e një strategjie zhvillimore në fushën e industrisë dhe biznesit.

Ekonomisti gjerman, pjesë e organizatës Global Policy Incubator me seli në Berlin, është shpërblyer me kontratë të vlefshme 44 mijë e 910 euro për përpilimin e një strategjie për zhvillimin e industrisë në Kosovë.

Bazuar në kontratën e publikuar në platformën e prokurimeve publike “e-prokurimi”, Christian Timm është përzgjedhur për përpilimin e raportit pas një procedure konkurruese të prokurimit të udhëhequr nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kontrata e ME-së titullohet “Angazhimi i një Eksperti ndërkombëtar për hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetje të Biznesit (Politika Industriale)”.

Christian Timm, është një ekonomist i specializuar në fushën e politikave industriale dhe ekonomike, bazuar në një profil të tij, të publikuar në uebfaqen e Global Policy Incubator, organizatës ku ai është i punësuar.

Rreth dy javë më parë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) angazhoi një ekspert gjerman, pjesë e firmës inxhenierike Alstom, për sanimin e defekteve të shkaktuara në një turbinë të Termocentralit Kosova B.

Eksperti i angazhuar në KEK, sipas njoftimit për kontratë të KEK-ut, do të paguhet mbi 12 mijë euro në ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat