Pse nuk ka një urdhërarrest për Radojçiqin / Kush po e sfidon Listën e zezë të Amerikës?

Aktuale

Pse nuk ka një urdhërarrest për Radojçiqin / Kush po e sfidon Listën e zezë të Amerikës?

Nga: Idriz Morina Më: 4 janar 2022 Në ora: 13:38
Milan Radojçiqi, njërin nga njerëzit më të rrezikshëm të Serbisë në Kosovë, dhe njëri nga kriminelët më të mëdhenjë

Është për t’u habitur fakti se si institucionet e drejtësisë, por edhe të sigurisë, nuk e kanë guximin që të lëshojnë një fletarrest në Kosovë dhe një ndërkombëtar për Milan Radojçiqin.

Në ditët e fundit të janarit, e kuptuam, që më në fund dikush kishte marrë guximin që ta lëshonte një fletarrest të ri për Zvonko Veselinoviçin.

Zvonko Veselinoviçi, sipas dokumenteve amerikane njihet si kreu i grupit kriminal ndërkombëtar serb me seli në veri të Kosovës.

Ndërsa, Milan Radojçiqi, njihet si numri dy i kësaj bande dhe që njëherit është edhe nënkryetar i Listës serbe.

Fletarrestet ndërkombëtare

Në maj të vitit 2019 me kërkesë të një gjykate të Kosovës në Ministrinë e Drejtësisë është dorëzuar urdhëresa për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për Zvonko Veselinoviqin, Millan Radojçiqin dhe Millan Mihajlloviqin, i cili njihet me nofkën ‘Pop’.

Por, se si u zhdukën këto ‘fletarreste’, ende është misterioze, pavarësisht se ka informacione në rrugë jo zyrtare, se ishin të përfshirë edhe ministra, në heqjen e fletarrestit për Radojçiqin, i cili shihej si çelësi i krijimit të koalicioneve qeveritare me Listën serbe.

Disa qeveri, në vazhdimësi nuk do të mund të ishin krijuar pa votën e Listës serbe, si ajo e Haradinajt dhe Hotit.

Prandaj, këto situata e rritën tejmase ndikimin politik të Listës serbe, e cila vepron në realizim të agjendave politike të Serbisë në Kosovë.

Kjo fuqi e saj, ra me fitoren e koalicionit VV dhe Lista Guxo. Por, si duket qeveria ka frikë, kur është në pyetje Lista serbe, që të veprojë sipas parimeve të proklamuara.

Nuk e dimë nëse është e këshilluar të sillet më butë ndaj Listës serbe, por ajo e ka të pashmangshme pa kryerjen e arrestimit të disa prej figurave kyçe të krimit, të cilat do të gjenden ndërkohë në Kosovë.

Zvonko Veselinoviç thuhet se jeton jashtë Kosovës, përkatësisht në Serbi, ku edhe ka krijuar një epiqendër të bizneseve të tij, multimilionëshe. Edhe Radojçiqi jeton të shumtën e kohës në Serbi, por prej se i është hequr fletarresti vitin e kaluar, ai lëvizte lirshëm në Kosovë, dhe nuk dihet nëse të njëjtën gjë është duke e bërë ende.

Gjykata Themelore e Prishtinës në muajin shkurt të vitit të kaluar kishte vendosur ta hiqte fletarrestin për Radojçiqin. Kjo ishte bërë pas kërkesës së drejtuar nga Prokuroria Speciale.

“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhër arrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave të tjera penale dhe faktit se që nga koha e lëshimit të urdhër-arrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Siç shihet nga njoftimi i Gjykatës, as vetë Gjykata dhe as Prokuroria Speciale nuk kanë pasur argument të qëndrueshëm për heqjen e këtij fletarresti.

Dhe është më e habitshme se pikërisht kjo është bërë në kohën, që zgjedhjet nacionale tashmë ishin mbajtur në Kosovë, dhe dihej rezultati i tyre.

Se çfarë plani dhe strategjie ishte mbetët të kuptohet, por që vendimi juridik është shqetësues, pasi tregon se çfarë interesash mbron, dhe çfarë ndodhish toleron. Është e qartë se në pushtet ende ishte qeveria Hoti, dhe se njerëz me ndikim brenda saj, mund ta kenë favorizuar heqjen e Radojçiqit nga Lista serbe.

Lista zezë

Anëtarë të këtij grupi kriminal serb, që janë në Listën e zezë amerikane rezultojnë të jenë së paku 12 veta me 24 biznese, që operojnë në katër shtete, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bullgari.

Grupi kriminal në përbërje: Zvonko Veselinoviç dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviç, Milan Radojçiq, Marko Rosiç, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviç, Milan Mihajloviç, Miljan Radisavljeviç, Milojko Radisavleviç, Radovan Radiç, Sinisha Nedelkoviç dhe Radule Steviç, përveç kryerjes së krimeve ekonomike, dyshohen edhe për krime të tjera, si organizimi dhe vrasja e Oliver Ivanoviçit.

Veselinoviçi, Millan Radojçiqi, Zhelko Bojiçi dhe Marko Rosiçi të gjithë përmendën në aktakuzën për vrasjen e Ivanoviçit.

Heshtja e opozitës

Është i habitshëm fakti se si opozita fare nuk e ka shtruar si çështje as në Kuvend dhe as në opinion, në media, çështjen e arrestimit të këtij grupi komplet, por veçmas të krerëve të grupit kriminal serb.

Ajo ka bërë problem çdo çështje tjetër, për të cilën më së paku mund të jetë përgjegjëse Qeveria aktuale, por nuk ka pasur guxim fare ta shtrojë si çështje një ngjarje dhe një zhvillim shumë negative për vendin, në fakt për pasojat e shumëfishta që ky grupim ia ka shkaktuar Kosovës.

Është interesant fakti se pikërisht një ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme nga opozita aktuale, Izmi Zeka i kishte kërkuar Brukselit dhe shteteve të Kuintit që t’i bënin presion Beogradit për ta dorëzuar, siç shkruante ai: ‘të akuzuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Kosovë Millan Radojçiqin’.

Prokuroria, policia dhe gjykata duhet të nxitojnë në nxjerrjen e urdhërarrestit të ri për Radojçiqin. Heshtja e tyre është në kundërshtim me interesat e vendit dhe të drejtësisë.

Arrestimi i tyre do të ishte një paradigmë e rëndësishme edhe për shpalljen të paligjshme të Listës serbe ose për krijimin e rrethanave për shpërbërjen e saj.

Arrestimi i grupeve kriminale serbe nënkupton edhe shuarjen e bandave serbe në veri, dhe të gjitha këto janë paradigmë për kthimin e sundimit të rendit dhe ligjit, dhe të rendit kushtetues atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat