Cilat janë pistat e vrasjes së Tahir Zemajt/ Arrestimet a do të trondisin PDK-në dhe AAK-në

Aktuale

Cilat janë pistat e vrasjes së Tahir Zemajt/ Arrestimet a do të trondisin PDK-në dhe AAK-në

Nga: Idriz Morina Më: 4 janar 2022 Në ora: 19:01
Tahir Zemaj dhe Sebehate Tolaj gjatë luftës, ndërsa pas luftës Sebehatja do të vritej pikërisht duke provuar ta zbardhte vrasjen e kolonelit

Në orët e mbrëmjes të 4 janarit, u bën 19 vjet nga vrasja në një atentat tipik mafioz e kolonelit Tahir Zemaj.

Më në fund grupet kriminale të ndihmuara, pas 5 vjet përpjekje, kërcënime, ultimatume, e jetësuan atentatin ndaj Tahir Zemajt.

Ai ishte një nga strategët më të mirë që mund të kishte Kosova, për nga përgatitja ushtarake.

Madje ende qarkullon informacioni, se vetë ministri i vrarë Ahmet Krasniqi, kishte thënë se vetëm Tahir Zemaj mund ta udhëhiqte luftën në terren, në terrenin e ashpër ku shqiptarët e manipuluar dhe injorantë në artin ushtarak, ishin kthyer në pengesën kryesore në organizimin e luftës.

Ai u vra në janarin e vitit 2003, i shoqëruar nga i biri i tij Enisi, të cilin kohëve të fundit e merrte me vete në shumë takime, si dhe kushëririn Hasanin, i cili po ashtu nuk ndahej nga Tahiri.

Mënyra e vrasjes së Tahir Zemajt, dhe dy anëtarëve të familjes, dëshmon, se në vendin ku Tahiri u nxor në pritë, është bërë në tradhti.

Duhej të ketë qenë dikush mjaft apo plotësisht i besueshëm, për ta nxjerrë Tahirin në ato orë të mbrëmjes në atë vend, sepse përveç formimit ushtarak ai kishte së paku një vit përvojë në eksperiencën e zbulimit.

Pse u la pa u zgjidhur ky atentat?!

Vrasja e kolonel Tahir Zemajt, i cili besohet se kishte kontakte të mira me amerikan, nuk mund të mbetet pa u zbardhur.

Vrasja e Tahir Zemës, mbet në errësirë e para për shkak të vrasjes së dy policëve që po e hetonin rastin, Sebehate Tolajt dhe Isuf Haklajt.

Sipas dëshmive dhe bisedave që kishin lënë dy policët, të rrëfyera në raste të ndryshme para miqve apo njerëzve të farefisit të tyre, rezulton se hetimet ishin në pikën kritike, në kulminacion, kur pritej zgjidhja e rastit, por në ato momente vriten që të dy, që ishin edhe bashkëluftëtarë.

Vetë vrasjet u kthyen në një pengesë për hetimin e plotë të rastit, edhe pse zyrtarisht disa dosje në vazhdimësi është thënë se janë të mbyllura, pra të përfunduara.

Vrasjet e dy policëve ishin një mesazh i fortë se ata që do të përpiqeshin t’i zbardhnin rastet, do të përfundonin tragjikisht.

Policët hetues të UNMIK-ut, edhe më pak ishin të motivuar ta bënin këtë, veçmas pasi nuk dihej se kush mund të ishin porositësit kryesor.

Mesazhet që ai të tërhiqej nga lufta ishin nga më të ndryshmet.

Sipas bashkëpunëtorit më të ngushtë Nazif Ramabajës, ndaj kolonelit Tahir Zemaj ishin bërë 8 atentate, i teti përfundoi me vrasjen e tij.

Një kërcënim kolonelit Zemaj dhe strukturës udhëheqëse të forcave të rregullta ushtarake, ia kishte përcjellur Hashim Thaçi nëpërmjet mikut të tij Ramabaja, pasi ky kishte shkuar në takim, meqë kishin informacione se diçka po përgatitej kundër Tahir Zemajt.

Takimi ishte mbajtur me 7 shtator 1998, me përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm te mulliri i Broliqit, ku kishin marrë pjesë: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Idriz Zyrapi, Lahi Brahimaj, Musa Gjakova, Fadil Hadërgjonaj, dhe Nazif Ramabaja, i cili e dokumenton takimin dhe kërcënimin.

“Hashim Thaçi ka deklaruar: “Do e lëmë luftën me forcat serbe dhe do ju luftojmë më zi se shkaun, e pastaj kur ta mbarojmë me ju, do kthehemi e luftojmë shkaun”.

“Kthehu në Shqipëri se këtu nuk ke vend”, ishte presion dhe kërcënim i bërë nga Ramush Haradinaj ndaj Tahir Zemajt.

Vetë Tahir Zemaj, në librin kushtuar atij “Kështu foli Tahir Zemaj”, me autor Arbër Ahmetaj dhe Sefedin Krasniqin, flet për një atentat të dështuar të bërë ndaj tij.

“Atentate kundër meje kanë qenë përgatitur edhe më parë, gjatë kohës që kam qenë në Dukagjin. Faton Mehmetaj ka pas futur një njeri, një ish-bashkëpunëtor të serbëve, (për këtë atentat të dështuar ekziston një dosje e plotë), një njeri i fshatit Kosuriq për ta kryer atentatin. Ata kanë pasë vendosur të më vrisnin mua dhe Sali Çekun, të cilin gjatë gjithë kohës e kanë pasur problem”, thoshte Tahir Zemaj.

Pista e vrasjes sipas Mehmetajt

Ndërsa, sipas Shkumbin Mehmetajt, që ishte pjesëtar i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, por që ka pranuar të dëshmojë për ato që dinte, dhe ishte pjesë e zhvillimeve kriminale, deklaron se Kelmendët ishin ata që kanë urdhëruar vrasjen e deputetit Smajl Hajdaraj dhe të Tahir Zemajt.

Mehmeti është dënuar me 30 vjet burg, për pjesëmarrje në vrasjen e një polici të UNMIK-ut në 2004, në rrugën Podujevë-Prishtinë, një pritë kjo e organizuar pikërisht nga skuadra e vrasjeve.

Atentati ishte kryer në hyrje të Pejës, afër Kombinatit të Drurit, nga një breshëri plumbash prej veturës në lëvizje duke gjuajtur në automobilin ku ndodheshin Tahiri (1951), Enisi (22) dhe Hasani (rreth të 30), ndërsa ktheheshin nga Prishtina.

Sipas dëshmitarëve okularë atentatorët pas krimit të kryer kanë ikur me shpejtësi të madhe me veturën e tyre të tipit "Opel ascona" në drejtim të fabrikës së Birrës në Pejë. Ndërsa, sipas raportimeve të tjera, në vendin e ngjarjes është parë edhe një xhip me targa nga Shqipëria, që po ashtu është futur në fabrikën e Birrës.

Koloneli Tahir Zemaj dhe Hasan Zemaj nga plagët e marra kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa, Enisi gjatë rrugës për në spital.

Po sipas dëshmitarëve të rastit policia ishte vonuar rreth 25 minuta deri sa ka dalur në vendin e ngjarjes, një patrullë e KFOR-it nuk kishte ndaluar, dhe vetëm e dyta, kishte ndaluar aty para se të arrinte policia. Ndërsa, ambulanta është vonuar edhe më shumë. Kjo ndoshta mund të ketë ndikuar, që të mos shpëtonte Enisi, i vetmi që ishte dërguar drejt spitalit i gjallë.

Pistat partiake

Vrasja rezulton të jetë kryer në njërën nga dy pistat politike, interesimi që kishin shprehur për vrasjen e Tahirit, ish-drejtues të PDK-së, dhe përplasjet në luftë që kishin pasur me drejtues aktual të AAK-së.

Një pistë e tretë, mund të jetë ajo e krimit, por që të gjitha krimet e kësaj shkalle kontrolloheshin nga SHIK-u dhe politikanët e fuqishëm. Kështu që dosja bashkëlidhet me grupet e vrasësve që i kryenin këto krime për njerëzit më të fuqishëm të këtyre dy partive.

Arrestimet e autorëve të vrasjes së tefishtë Zemaj, do të trondisnin të dy partitë, PDK-në dhe AAK-në!

Vrasja e Zemajt, ishte humbje edhe për LDK-në, sepse koloneli tashmë gëzonte një përkrahje të madhe, jashtëzakonisht shumë.

Gjykata speciale

Kjo vrasje sipas përkufizimit kohor të fushëveprimit të gjykatës speciale, kjo rezulton se nuk bie në domenin e saj të hetimit dhe gjykimit të rastit.

Gjykata është përcaktuar sipas ligjit për krimet e kryera që ndërlidhen me luftën nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000.

Për vrasjet pas kësaj date ende nuk ka një projeksion të qartë askush se çfarë do të bëhet me to. Para se të sqarohej çështja e afatit kohor, është besuar se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me vrasje politike të pas luftës, do të trajtoheshin nga kjo gjykatë.

Institucionet e drejtësisë në vend nuk kanë treguar as interesim dhe as zotësi juridike për t’i hetuar deri në fund dhe për t’i dërguar në gjykatë lëndët e rënda të krimit.

As prokuroria speciale e Kosovës nuk e ka bërë një gjë të tillë, përveç rastit Perteshi, edhe pse ka ngjarë në vitin ’98, për të cilin drejtësia po vazhdon të merret me të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat