Zhdukja e biznesmenit Rexhepi – nga “agjenti i CIA-s” te hetimet e Prokurorisë

Aktuale

Zhdukja e biznesmenit Rexhepi – nga “agjenti i CIA-s” te hetimet e Prokurorisë

Më: 11 janar 2022 Në ora: 12:20
Bedri Rexhepi

Më 8 prill 2021, biznesmeni Bedri Rexhepi, kishte dalë nga banesa e tij në “Rrugën B” dhe që nga ajo ditë, nuk ka asnjë informacion se ku gjendet ai. Për këtë çështje janë vënë në pranga dy persona.

Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme tek familja e biznesmenit, kurse tash së fundmi, është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu, i dyshuar për rrëmbimin e 39-vjeçarit.

Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë nën shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu.

Ndërsa, një ditë pas zhdukjes, vetura ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit dhe pa shenja për Rexhepin.

Ai punonte me tregtarë të ndryshëm, ndërkaq sipas familjarëve, nuk ka pasur probleme me askënd.

Policia dhe ekipet hetimore kanë thënë se kanë bërë kërkime të vazhdueshme në mënyrë që të gjendet ndonjë shenjë apo provë që dërgon në zbardhjen e rastit të Rexhepit.

“Agjenti i CIA-s” dhe faktet e rreme

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 gusht 2021, i kishte caktuar paraburgim të dyshuarit që familjes së biznesmenit Rexhepi iu paraqit si agjent i CIA-së, duke prezantuar fakte të rreme që mund të dërgojë në gjetjen e tij.

Personi me iniciale S.G dyshohet se ka kryer pesë vepra penale, përfshirë “falsifikimin e dokumenteve” kur dyshohet se është paraqitur si agjent i CIA-s.

Ai, dyshohet se më datë 30 korrik 2021, në HIB Petrol në Prishtinë, i ka vënë në lajthitje familjarët e të dëmtuarit Bedri Rexhepi i cili është i zhdukur, duke paraqitur fakte të rreme kinse për gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.

Sipas Prokurorisë, S.G ka kontaktuar përmes mesengjerit vëllain e Bedri Rexhepit, duke u prezantuar si agjent i CIA-s amerikane. Është prezantuar me emrin Ardian O’Neil Bajraktari, duke ja prezantuar një ID kartelë të falsifikuar në shpejtësi.

Prokuroria pretendon se pas shkëmbimit të disa emaileve i dyshuari i ka thënë të dëmtuarit V.R. se ka komunikuar me autoritetet në Serbi dhe ka kuptuar se vëllai i tij i zhdukur gjendet në burgun e Nishit në Serbi dhe për ta nxjerrë prej aty, fillimisht i nevojiten 3000 deri 4000 euro dhe me qëllim që ta bind V.R..

I njëjti, sipas prokurorisë, ia ka dërguar disa emaile në gjuhën serbe dhe angleze se kinse e ka konfirmuar nga zyrtarët e Serbisë ku këtë komunikim ja ka përcjell tani të dëmtuarit V.R. duke cekur se këtë komunikim e ka kthyer qeveria e Serbisë në emër të Milorad Petkoviq.

Tutje, ata e kanë lënë të takohen më datë 2 gusht 2021, për t’i marrë paratë te HIB Petroli afër stacionit të autobusëve dhe aty është arritur të ndalohet dhe arrestohet nga Policia e Kosovës.

Ndaj këtij vendimi, i dyshuari mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Familjarët fajësojnë prokuroren Fitore Sadikaj

Të shqetësuar për familjarin e tyre, ata thonë se shpeshherë kanë kërkuar takime dhe sqarime nga prokurorja Sadikaj por për 9 muaj radhazi por ajo i ka ikur pyetjeve dhe sqarimeve.

Familjarët kanë parashtruar kërkesë që rasti i zhdukjes së Bedri Rexhepit të kalojë tek ndonjë prokuror tjetër, duke mos besuar në punën dhe bashkëpunimin e prokurores Sadikaj me ta.

Madje, ata kanë thënë se janë parë me sy të keq nga prokurorja në fjalë mbi pretendimet se familjarët kanë pasur interesim të vazhdueshëm për rastin e Bedri Rexhepit.

Vëllai i Bedriut, Vedati hedh dyshime se institucionet nuk janë angazhuar me hetime që në fillim, pasi të dyshuarin kryesor të kësaj ngjarjeje, Jeton Vllasaliun e kanë lënë të lirë pesë ditë e që mund të ndikonte në rrjedhën e hetimeve. Vllasaliu i cili gjendet në paraburgim ka qenë edhe klient i Bedri Rexhepit.

Reagimi i prokurorisë ndaj familjes Rexhepi

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se prokurorja në rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit, nuk ka dhënë sqarime dhe nuk ka qenë bashkëpunuese me familjarët e Rexhepit.

Në reagimin e Prokurorisë thuhet se prokurorja e ka marrë rastin më 13 prill të vitit të kaluar (pesë ditë pas zhdukjes së Bedri Rexhepit), dhe me urdhër të saj është ndaluar i dyshuari Jeton Vllasaliu, ndaj të cilit rëndon vepra penale “Rrëmbimi”, dhe i njëjti është dërguar në paraburgim.

Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi, mirëpo pretendimet e familjarëve se prokurorja e çështjes nuk ka qenë bashkëpunuese dhe nuk është angazhuar lidhur me rastin, nuk qëndrojnë, pasi nga raportimi i këtij rasti, prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke bashkëpunuar edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, po ashtu, janë zhvilluar takime radhazi në prokurori me familjarët e të dëmtuarit dhe avokatit të tyre mbrojtës dhe se aktualisht ndaj rastit në fjalë, prokuroria po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të sqarimit në tersi të kësaj çështje penale”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Bedri Rexhepi ishte zhdukur pasditen e 8 prillit të vitit të kaluar dhe herën e fundit ishte parë në Novobërde.

Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi me datën 8 prill 2021 është parë në Novobërdë dhe nga aty me asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Madje vëllezërit e tij kishin kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për gjetjen e Bedriut, për çka do të ofronin 20 mijë euro shpërblim. Por, as kjo nuk kishte rezultuar me gjetjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat