Nasim Haradinaj vazhdon dëshminë në Speciale: Ngjarja me dokumente paska qenë kurth!

Aktuale

Nasim Haradinaj vazhdon dëshminë në Speciale: Ngjarja me dokumente paska qenë kurth!

Më: 13 janar 2022 Në ora: 07:38
Nasim Haradinaj

(E plotësuar 17:21) -Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk pendohet për veprimet e tij përmes së cilave ka bërë të ditur se në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur për tre herë me radhë.

Gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, ai ka deklaruar se krerët e OVL-UÇK nuk kanë publikuar apo shumëzuar dokumente, veçse kanë bërë të ditur ngjarjen e arritjes së tyre dhe se përsëri do të vepronte njësoj.

Nga prokurori, Haradinaj është pyetur nëse është penduar për veprimet e tij lidhur me ngjarjen që lidhet me dokumentet që ishin dorëzuar në organizatë.

Haradinaj: Nuk pendohem pse kam treguar që kanë ardhur dokumente në OVL-UÇK

“Për atë të cilën unë e pranova dhe jo atë të cilën ti po pretendon, asnjë grimë nuk ndjehem i penduar, sepse e kam bërë me vetëdije timen dhe thellë i bindur se është në dobi të transparencës dhe interesit publik, kështu që e kam kryer vetëm një obligim që unë kam menduar që më është dashur ta kryejë, asnjë gjë më tepër dhe ajo është marrja prej aty dhe qitja deri aty, për deri këtu asnjë gjë nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se veprimet që lidhen me dokumentet i ka ndërmarrë duke pasur parasysh interesin publik.

Haradinaj: Kam treguar që kanë ardhur dokumente për hir të interesit publik

“Për këtë e kam ditur që është interes dhe kam qenë thellë i bindur, që është në interesin publik dhe është për hir të transparencës publike, për këtë arsye e kam bërë dhe kam menduar që është detyrë jo vetëm e imja, por e çdo qytetari të një shteti demokratik dhe të pavarur, shprehja e mendimit të lirë. Veprimin që e kam bërë, që kam treguar pse kanë ardhur dokumente, vetëm kam treguar që ne na kanë ardhur këto dokumente, jo më tutje e prandaj dhe nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa prokurori ka insistuar në pyetjen e tij nëse Haradinaj do të vepronte njësoj sikur të gjendej në situatë të tillë si në shtator 2020. Haradinaj tha se ka vepruar drejt dhe se do të bënte të njëjtën përsëri.

Haradinaj: Kam vepruar drejt me dokumentet, njësoj do të bëja përsëri

“Do të më detyrosh të kërkoj prej gjyqit mos me më qit kurrë prej burgut deri të kryhet gjykata, sepse e paske në plan me na prurë prapë, e unë nuk mund të jem fajtor kujdestar sikur në Serbi, çka ndodh në Kosovë të merrem unë. Ti po e di që kanë me ardhur, e ke plan me na i pru? Njëjtë do të veproj sepse ende e kam mendimin e njëjtë, për aq sa kam vepruar që kam bërë drejt dhe e kam bërë në interes të transparencës dhe informimit publik”, ka thënë Haradinaj.

Ndër të tjera, gjatë seancës Haradinaj ka thënë se i kishin shfletuar dokumentet që kishin arritur në zyrat e organizatës, por nuk i kishin lexuar të gjitha dhe sipas tij aty kishte parë emrin e një personi për të cilin ka thënë se nuk do të kishte besuar asnjëherë të llogaritej dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dy persona janë përmendur gjatë seancës duke u vënë numrat 29 dhe 30, për të cilët Haradinaj ka thënë se nuk janë sekret edhe pse nuk është lejuar të përmend emrat.

Haradinaj: Emrat qe ishin në dokumente nuk janë sekret

“Personi 29 është shqiptar, i vetëdeklaruar si dëshmitar për çdo ditë shkruan, edhe sot besoj shkruan, ky për ju është sekret, për ne 20 vjet gati nuk është sekret, edhe para jush ky nuk është sekret, as numri 30 nuk është sekret dhe nëse nuk është kështu unë e pranoj dënimin, pa më pyet hiq. Çfarë sekreti ky, këtij nuk mund të ja ndalni gojën as ju... Për ato çka i thotë ai, unë nuk e di a është e vërtetë apo nuk është e vërtetë, por që flet vazhdimisht, që krijon ngjarje, sepse është që 20 vjet atij nuk i janë shtjerrë ngjarjet e reja, është shumë relaksues. Kur duan njerëzit të reklaksohen, e marrin e lexojnë, për të qeshur... Po të dihet emri i tij të gjithë do të qeshin edhe sot t’i thuhet këtij dëshmitar i mbrojtur ose i fshehtë. E vërteta është vetëm diçka që nuk ia ka marrë kurrë askujt mendja që është dëshmitar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk i kanë lexuar të gjitha dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Haradinaj: Nuk i kemi lexuar të gjitha dokumentet, i kemi shfletuar disa

“Nuk i kemi lexuar për ta ditur tamam. Unë kam shfletuar dokumentet, por si emër është i njohur edhe për një fëmijë që ka lindur në vitin 2000, se ky ia ka nisur prej 2003 të flasë vetë haptas, shkruan vetë, shkruan artikuj në gazeta të ndryshme, ky është i njohur për çdo njeri, bile ky e imponon opinionin për ta njohur... Unë nuk kisha besuar kurrë që ky do të ishte dëshmitar për ju, unë kam menduar që ky është një i çmendur, që dëshiron t’i bëjë vetes popullaritet dhe asgjë tjetër, kështu që beso, më ka befasuar kur ky është i besueshëm për ju si dëshmitar i mundshëm, mos të flasim për të dhënat që i jep ky njeri”, ka thënë ai.

Ndërsa për personin me numër 30, Haradinaj ka thënë se i njëjti vazhdimisht ka ftuar mediat për të deklaruar përmes konferencave dhe njihet nga të gjithë në Kosovë.

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj është përgjigjur në pyetet e prokurorit rreth paketës 3 që kishte arritur në OVL-UÇK më 22 shtator 2020.

Pyetjet e ZPS-së kanë përfunduar sot, ndërsa avokati mbrojtës do të vazhdojë nesër me pyetjet plotësuese.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka vazhduar ta jap dëshminë e tij përpara Gjykatës Speciale në Hagë

Haradinaj tha se ai asnjëherë s’ka publikuar asnjë faqe të asnjë dokumenti, teksa u pyet nga prokurori se pse nuk ka tentuar që t’i redaktojë emrat e dëshmitarëve në dosjet që arritën në OVL-në e UÇK-së.

Ai tha se s’ka çfarë të redaktoj, pasi sipas tij, ai s’ka publikuar asgjë dhe s’ka dashur ta bëjë një gjë të tillë.

Ndërsa, në momentin kur prokurori e pyeti Haradinajn se “a doni të thoni që ju nuk keni dashur t’i redaktoni emrat”, ai iu drejtua atij që të mos e luaj rolin e budallait.

“Mos e luaj rolin e budallës, kinse nuk po e dinë se çfarë po flas. Ose kërkoj që të ndërrohen përkthyesit sepse nuk jeni duke e ditur se çfarë po flas”.

“Thashë, nuk kam pasur nevojë të merrem me redaktimin sepse nuk ka qenë qëllimi jem që t’i publikoj. Qëllimi jem ka qenë të dëshmojë se çfarë na ka ardhë. Ti mendo çka të duash, mendimi jem është ky”, është shprehur Haradinaj.

Më tej, Haradinaj kërkoi dënim maksimal nëse në këto dosje, ka diçka që nuk është folur 3 deri në 4 vjet më përpara në opinion publik në Kosovë.

“Nëse ju thoni se ka dalë diçka që nuk është folur 3 deri në 4 vjet më përpara, më përjashtim të paketës tre, e cila është fol dy muaj më përpara, unë lypi dënimin maksimal, nëse s’është kështu siç po them”, ka thënë Haradinaj

***

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, i cili është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale për rrjedhjen e dokumenteve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka deklaruar se prokurori i Speciales po i imponon deklarata të cilat ai nuk i ka thënë.

Kjo pasi Haradinaj u pyet nga prokrurori nëse mendon se kush bashkëpunon me popullin serb është armik i tij.

Në anën tjetër, Haradinaj ka reaguar duke thënë se asnjëherë nuk e ka deklaruar një gjë të tillë.

“Ky është mendimi juaj, nuk e kam thënë unë atë. Mundesh me nxjerr procesverbalin dhe e sheh se unë kam deklaruar që armik i imi nuk është populli serb, por Vuçkoviqi dhe njerëzit e tij, njerëz që ju keni bashkëpunuar me ta dhe i keni falënderuar. Ne kemi luftuar, lufta ka mbaruar, ne duhet të kemi fqinjësi të mirë me Serbinë, por ka persona në Serbi, të cilët kanë bashkëpunuar me ju dhe e kanë mentalitetin e Millosheviqit…Çdo kush që është armik i popullit tim, është armik i imi. E kemi betim familjar këtë, jo vetëm unë por brez pas brezi”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka vazhduar duke i përmendur dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (pa emra), duke thënë se aty sheh shumë armiq të popullit të tij.

Ai ka thënë se aty ka edhe shqiptar, të cilët kanë vrarë komshiun e tyre për hir të serbëve, andaj edhe i konsideron armiq, por kjo nuk nënkupton se ai ka armiqësi me të gjithë popullin serb.

***

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk kanë publikuar, shpërndarë apo shumëzuar dokumentet që kishin arritur në zyrën e organizatës.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se veprimi i vetëm i bërë nga krerët e OVL-UÇK ka qenë informimi se një person i panjohur ka lënë paketa me dokumente në hapësirat e organizatës. 

Ai ka thënë se këtë e kanë bërë për hir të transparencës dhe se nuk pendohet për një gjë të tillë.

Haradinaj: Ne vetëm kemi informuar që në zyrat e OVL-UÇK kanë arritur dokumente

“Ne nuk jemi marrë me to, vetëm na kanë sjellë, i kemi marrë dhe i kemi qit vetëm brenda lokalit të mbyllur tonin, ekskluziv lokal i joni, një shkallë më lartë në dhomën tjetër dhe kemi treguar çka na ka ardhur. Kjo është vepra ime, kësaj i qëndroj dhe nuk i pendohem, nëse është gabim e pranoj gabimin, nëse është e dëshmueshme po more, e kam bërë, e kam bërë duke menduar dhe po mendoj që e kam bërë vetëm për hir të transparencës dhe sinqeritetit ndaj çdo kujt, bile edhe ndaj jush, nëse nuk e keni ditë me ditë çka po vjen, nëse nuk na i keni sjellë vetë me ditë çka po vjen të ne. Mendoj, për këtë është dashur të na falënderoni ju”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka thënë se nuk ishin në dijeni nëse dokumentet ishin autentike apo konfidenciale dhe ka përsëritur që edhe sot nuk kanë ndonjë konfirmim nga ZPS se ato ishin të Speciales.

Haradinaj: Nuk më është sqaruar që dokumentet janë sekrete 

“Unë kam lexuar shumë materiale që kanë shkruar topsekret prej vetë CIA-s amerikane dhe kanë qenë publike në televizion. Sepse unë nuk e kam ditë se për cilën kohë është ajo dhe nuk e kam marrë mundimin të mendoj për atë punë, se përderisa kanë arritur kanë mundur të arrijnë në zyrën tonë, de facto nuk e di pse janë sekrete. Sekretet nuk dalin dhe nuk vinë në zyrën tonë. Nuk mund të paramendoj as sot, nuk e keni vërtetuar as ju, edhe ju jeni duke e bërë sikur dëshmitari i juaj - herë janë tonat, herë nuk janë. Ne nuk na është konfirmuar që është sekrete, që ne ta dimë se është sekrete, ndërsa çka po thua aty shkruan sekret, unë lexoj çdo ditë dhe ke lexuar edhe ti që nëpër revista qesin dokumente të mëparshme që i kanë pasur zbulimet dhe shkruan aty sekret, por e qet. Kështu e kam kuptuar, unë nuk e kam kuptuar që është sekret, mua nuk më është sqaruar që është sekret, jo mua por askujt nuk i është sqaruar. Si mund të jenë sekret diçka që arrin publikisht në zyrat tona, ju lutem kjo është marre ta dëgjojë dikush”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se kjo mund të ketë qenë e montuar nga vetë ZPS.

Haradinaj: Ngjarja me dokumente paska qenë kurth 

“Ato kanë ardhur te ne, pse sekret, me këtë logjikë unë kam prezumuar, po të kishin dashtë me qenë sekret, nëse janë të juaja, ju nuk e keni vërtetuar dhe nuk po e thoni, nëse janë të juaja meqë po e bëni tërë këtë zhurmë, mbani përgjegjësinë. Çfarë sekreti, pse na i prutë, tash po e shoh që ju paskeni pasur qejf që ne edhe me dalë me to, shyqyr që nuk e kemi bërë, jo për diçka, por vetëm për atë arsye se paska qenë kurth, tash po e shoh që paska qenë kurth, ju i paskeni pru, për të bërë ne këtë punë që ju po doni të na monton që e kemi bërë ne”, ka thënë Haradinaj. 

Ai po përgjigjet në pyetjet e ZPS-së ku prokurori po shfaq pjesë nga video-konferencat apo intervistat që Haradinaj i ka dhënë më parë në mediat e Kosovës, lidhur me dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK nuk e ka bërë publikimin e dokumenteve, por vetëm informimin për arritjen e tyre në organizatë. Ai ka thënë se përgjegjësinë duhet ta marrin ata që e kanë bërë publikimin e tyre ku edhe ka kritikuar disa prej mediave në Kosovë për, sipas tij, provokim ndaj tyre. 

Tutje, Haradinaj ka thënë se ka pritur që gjykatat dhe prokuroria e Kosovës të shkojë në organizatë dhe t’i marrë ato dokumente, andaj sipas tij i ka mbajtur kopjet. 

Haradinaj: Nuk kam përgjegjësi ndaj ZPS-së por ndaj vendit tim

“Unë kopjet së pari i kam mbajtur për gjykatën tonë të Kosovës, kur më është bërë një pyetje prej gazetarëve, prokurorit special, nëse vjen, a i merrni, kam thënë po, kam thënë mund të vijnë edhe ata t’i marrin. Mendimi im në fillim, të jem i sinqertë nuk ka qenë për ju hiç, ka qenë për gjykatat e mia, sepse unë e njoh vendin tim, dhe ty nuk të njoh hiç, dhe me ty po bisedoj këtu vetëm pse ti ke thënë jam e Kosovës, nuk kam nevojë me të njohur, nuk jam përgjegjës ndaj teje, jam përgjegjës ndaj vendit tim dhe nëse në shtetin tënd bëj diçka tjetër. E meqenëse ti thua jam i Kosovës dhe kjo gjykatë që po besoj tamam ka me qenë e denjë, unë për hir të gjykatës, po bisedoj me ty, se nëse nuk je i Kosovës nuk do të kisha biseduar hiç”, ka thënë ai.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK ka thënë se vazhdon të jetë i mllefosur meqë sipas tij shteti i Kosovës nuk ka vepruar.

Haradinaj-ZPS-së: Shteti im nuk është shtet, nuk guxon të ndjehet nga ju 

“Edhe sot jam i mllefosur jo pse nuk kanë ardhur m’i marrë ata, se në fund të fundit të merr kush do materialin e vet, por pse shteti im hiç nuk është shtet se nuk guxon me u ndie prej jush, se dëshmitari numër një që e ke këtu më ka thënë nuk guxojnë me ardhur t’i vijnë t’i marrin, dhe kjo është fyese për mua, fyese për shtetin tim dhe fyese për lirinë dhe fyese për pavarësinë e shtetit tim, nëse nuk guxon të vijë për t’i marrë prokuroria e vendit tim, policia e vendit tim, hetuesit e vendit tim”, ka shtuar ai. 

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj. 

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. 

Kjo është konfirmuar në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën Speciale nga avokati i tij, Jonathan Rees. 

Ai tha se Gucati është me ilaçe për shkak të gjendjes jo të mirë fizike. 

Avokati konfirmoi se Gucati sot do të vizitohet nga mjeku dhe të marrë diagnozën për problemin që ka. 

“Sikurse e shikoni z.Gucati nuk është i pranishëm. Në fillim të seancës sot me është vënë në vëmendje gjendja e tij. Ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ka marrë ilaçe kundër dhimbjeve mbrëmë. Ka një takim me mjekun në orën 18:00 sot. U përpoq që të qëndronte në sallë gjatë vazhdimit të procedurës, por dhimbjet vazhdojnë. Nuk është në gjendje të mirë fizike për të qenë i pranishëm. Nuk ka një diagnozë mjekësore por besoj që do të kemi sonte dhe do t’i jap udhëzime se si do të vazhdojmë”, ka thënë ai. 

***

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj Nasim Haradinaj, ku ai do të vazhdojë dëshminë në Speciale.

Vazhdon edhe sot gjykimi i Nasim Haradinajt në Hagë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, do të vazhdojë edhe sot seancën gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dje ai ka përfunduar seanca gjyqësore në Hagë ku për të dytën ditë me radhë ka dëshmuar. Dëshmia e Nasim Haradinajt, e filluar më 11 janar para Dhomave të Specializuara, do të vazhdojë edhe sot. 

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj. 

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat