Qalaj përfundon dëshminë në Hagë, gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt do të vazhdojë më 21 janar

Aktuale

Qalaj përfundon dëshminë në Hagë, gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt do të vazhdojë më 21 janar

Më: 14 janar 2022 Në ora: 11:44
Rashit Qalaj

(E plotësuar 14:26) - Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Para trupit gjykues, Qalaj ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë rastin me dosjet që u dërguan, nga persona ende të panjohur, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Udhëzimin nga Prokuroria Speciale, Qalaj ka thënë se e kanë marrë më 8 shtator të vitit 2020, një ditë pasi paketa e parë kishe arritur në OVL-UÇK.

Qalaj: Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për përmbajtën e dokumenteve në OVL-UÇK

“Ne e dimë që jemi një polici mjaft profesionale dhe kemi bërë 20 vite përvojë, është shumë e lehtë të dihet që çdo gjë që lidhet me hetimin e krimeve të luftës e që bie në domenin e Gjykatës Speciale e që është këtu në Hagë, e dimë që është në domenin e tyre dhe ne nuk kemi qenë fare të njoftuar, as sot nuk e di përmbajtjen e atyre dokumenteve çka kanë përveç asaj që kam dëgjuar në media ose prej asaj që e kam përcjellë gjykimin e zotit Haradinaj dhe zotit Gucati. Mirëpo ne si Polici e Kosovës kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos përzihemi në kompetenca të institucioneve të tjera, edhe pse gjithmonë kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga shefi i misionit të EULEX-it që të jemi pjesë e procesit pavarësisht se çka kërkohet nga Dhomat e Specializuara, gjithmonë duke e ditur që Policia e Kosovës është e aftë dhe ka kapacitete për të kryer të gjitha detyrat që asaj i ngarkohen”, ka thënë Qalaj.

Dëshmia e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës ka përfunduar ndërsa gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të vazhdojë më 21 janar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës

Qalaj: Policia e Kosovës nuk u lejua të hetojë rastin e dosjeve në OVL-UÇK

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka filluar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj. Para trupit gjykues, Qalaj ka thënë se zyrtarët e OVL-UÇK-së kishin kërkuar nga Policia e Kosovës që të hetojë rastin me dokumentet që dërgoheshin nga një person i panjohur në organizatë por Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se PK nuk mund të merret me këtë rast meqë i njëjti është kompetencë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Qalaj ka thënë se hetuesit e Policisë së Kosovës u janë përgjigjur thirrjes së zyrtarëve të organizatës dhe të njëjtit kanë kontaktuar drejtorin e departamentit për hetime në Policinë e Kosovës, i cili sipas tij, ka kontaktuar me prokurorin e Prokurorisë Speciale në Kosovës i cili i ka thënë se PK nuk mund të hap rast në këtë çështje.

Qalaj: Prokuroria Speciale në Kosovë nuk është autorizuar për të hapur rast lidhur me dosjet në OVL-UÇK

“Hetuesit të cilët kanë qenë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që u është bërë kërkesë nga zyrtarët e kësaj organizate për hetimin e këtij rasti, për hapjen e rastit, kanë kontaktuar fillimisht nëpërmjet zinxhirit komandues me drejtorin e departamentit për hetime në Policinë e Kosovës i cili pastaj ka kontaktuar me prokurorin e Prokurorisë Specialë të Kosovës i cili ka qenë duke e zëvendësuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale meqenëse ai ka qenë i sëmurë, më duket për shkak të pasojave të COVID-it, dhe nga ai ka marrë përgjigjen që Policia e Kosovës nuk mund të hetojë këtë rast për shkak se ky rast bie në kompetencat e zyrave të specializuara këtu në Hagë”, ka thënë Qalaj.

Qalaj, derisa është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Haradinajt, ka thënë se kjo është hera e parë që ZPS nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me Policinë e Kosovës.

Qalaj: Policia e Kosovës nuk e ka pasur asnjë komunikim me ZPS-në

“Edhe në të kaluarën ka pasur, sidomos në vitet e para të krijimit të Policisë së Kosovës ka pasur raste kur rastet janë hetuar vetëm nga Policia e UNMIK-ut mirëpo në atë kohë Policia e Kosovës nuk ka pasur kapacitete të zhvilluara të merret me rastet sepse ka qenë në formim e sipër mirëpo që nga shpallja e pavarësisë e tutje në të gjitha rastet apo në shumicën e rasteve ka qenë Policia e Kosovës ajo që është marrë me shumicën e rasteve së bashku me kolegët tanë ndërkombëtarë. Dhe kjo është hera e parë që Policia e Kosovës nuk ka pasur as edhe një komunikim të vetëm me Dhomat e Specializuara që janë këtu në Hagë”, ka thënë ai.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se gjatë periudhës që lidhet me dërgimin e dokumenteve në OVL-UÇK apo të sekuestrimit të tyre, ZPS nuk e ka kontaktuar Policinë e Kosovës, përveç në ditën e 25 shtatorit kur i është kërkuar PK-së që të menaxhojë turmën që ishte mbledhur para zyrave të OVL-UÇK.

Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë brenda gjatë bastisjes në OVL-UÇK në shtator të vitit 2020, veçse ka bërë sigurimin e jashtëm të ndërtesës, derisa bastisja ishte bërë nga EULEX-i dhe hetuesit e Speciales.

Haradinaj: ZPS më ka kontaktuar vetëm një herë, ka shprehur falënderim për asistencë

“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur ndonjë kontakt, absolutisht të vetëm, asnjë bisedë telefonike, asnjë komunikim me shkrim mirëpo të vetmin komunikim që më ka thirrur dikush në telefon ka qenë një ditë pasi që është arrestuar zotëri Haradinaj, pra nëse nuk gaboj ka qenë data 26 shtator. Ky është kontakti i vetëm (me ZPS-në) dhe ajo thirrje telefonike ka qenë falënderim për ofrimin e asistencës me datën 25 shtator atëherë kur Policia e Kosovës është angazhuar që të menaxhojë turmën që ishte e mbledhur para zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, ka thënë Qalaj.

Në deklaratën e tij, Qalaj ka thënë se hetuesit e Policisë së Kosovës fillimisht kanë dëgjuar nga mjetet e informimit se në OVL-UÇK një person i panjohur ka dërguar dokumente ku pastaj janë informuar nga zyrtarët e organizatës lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, zyrtarët e OVL-UÇK kanë kërkuar që Policia e Kosovës të hetojë këtë rast në mënyrë që të identifikohet personi që i kishte sjellë dosjet.

Ai ka thënë që Policia e Kosovës udhëzimet i ka marrë nga Prokuroria Speciale në Prishtinë dhe se pas njoftimit nga ky institucion se PK nuk mund të merret me rastin, hetuesit e policisë nuk janë marrë me grumbullimin e informatave apo identifikimin e personit.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës i ka marrë udhëzimet më 8 shtator 2020.

Gjithashtu, Qalaj ka bërë të ditur se kontrollimi i kamerave të sigurisë nuk mund të bëhet pa urdhëresë nga gjykata, andaj sipas tij nuk janë ndërmarrë veprime hetuese si shkak i mungesës së autorizimit nga prokuroria.

Gjatë dëshmisë së tij, Qalaj nuk është lejuar të përmend emra por ka shënuar tre të tillë për të cilët ka thënë se janë personat që kanë qenë në OVL-UÇK dhe emri i prokurorit që është caktuar lidhur me këtë rast.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se në takimet e mëparshme që kishte pasur me ndërkombëtarët kishte theksuar se autoritetet në Hagë duhet të angazhojnë Policinë e Kosovës në operacionet brenda vendit meqë e njëjta është profesionale.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Qalaj ka thënë se Nasim Haradinajn nuk e njeh personalisht por vetëm nga fakti që i njëjti është person publik në Kosovë.

Qalaj po dëshmon në Hagë derisa në gjykim po paraqitet çështja e mbrojtjes së Nasim Haradinajt.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës

****

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj është duke dëshmuar sot në Gjykatën Speciale në Hagë për rastin e gjykimit të ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ai tha se që nga koha sa ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës kanë pasur vazhdimisht bashkëpunim me misionet ndërkombëtare që kanë ndihmuar policinë.

“Unë që nga momenti kur jam bërë polic, e dini që fillimisht policia ka qenë e udhëhequr fillimisht nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe deri diku në 2-3 vitet e fundit kemi punuar ngushtë me kolegët tanë të misioneve të ndryshme që kanë qenë në Kosovë. Fillimisht me kolegët e misionit të UNMIK-it që kanë qenë në Kosovë e pastaj edhe me kolegët e misionit EULEX që ende gjenden në Kosovë, e poashtu edhe me pjesëtarët e KFOR-it”, ka thënë Qalaj.

Më tutje, ai tha se në rastin e bastisjeve të EULEX-it dhe arrestimit të disa zyrtarëve në Kosovë nga Gjykata Speciale, ka qenë hera e parë kur Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë komunikim me kolegë ndërkombëtar.

“Jo. Edhe në të kaluarën ka pasur sidomos në vitet e para të krijimit të Policisë së Kosovës ka pasur raste që janë hetuar vetëm nga policia e UNMIK-ut për shkak se policia ishte në formim e sipër dhe s’ka pasur kapacitete të zhvilluara. Që nga shpallja e pavarësisë e tutje në shumicën e rasteve ka qenë Policia e Kosovës ajo që është marrë me shumicën e rasteve në bashkëpunim me kolegët tanë ndërkombëtar. Kjo është hera e parë që PK-ja nuk ka pasur as një komunikim të vetëm me Dhomat e Specializuara që janë këtu në Hagë”, deklaroi Qalaj në Speciale.

Qalaj tregoi se në takim me misionet ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht që të njoftohen në rast se ka ndonjë operacion ose bastisje nga misioni ndërkombëtar në Kosovë, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Unë kam pasur disa takime me partnerët ndërkombëtar përfshirë edhe me misionin e EULEX-it. Kemi diskutuar edhe për çështjen e Dhomave të Specializuar këtu në Hagë dhe kam kërkuar që në çdo rast nëse ka ndonjë vendim nga Dhomat e Specializuara, për ndonjë operacion, bastisje, arrestim në Kosovë, me këto të merret Policia e Kosovës bazuar në Ligjin mbi Policinë e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se është telefonuar nga dikush i Speciales vetëm për t’u falënderuar për asistencën që ka bërë PK-ja në kohën e arrestimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt me 25 shtator të 2020-ës.

“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur ndonjë kontakt, absolutisht të vetëm. Asnjë bisedë telefonike, as komunikim me shkrim. I vetmi komunikim ka qenë se më ka thirr dikush në telefon një ditë pasi është arrestuar z.Haradinaj. ajo thirrje telefonike ka qenë falënderim për ofrimin e asistencë me datë 25 shtator, atëherë kur PK-ja është angazhuar për ta menaxhuar turmën që ishin mbledhur para OVL-UÇK-së”, deklaroi ai.

Rashit Qalaj dëshmon në procesin ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj sot do të dëshmojë në Hagë si dëshmitarë.

Qalaj, do të dëshmojë në rastin e Haradinajt dhe Gucatit, dëshmia e tij do të jepet pasi që në kohën e rrjedhjes së dokumenteve ai ka qenë Drejtor i Policisë së Kosovës.

Ndryshe, për të katërtën ditë radhazi, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë ai të premten edhe ka përfunduar dëshminë e tij.

Mbrojtja e pyeti të qartësojë qëndrimin e tij karshi Gjykatës Speciale dhe ZPS-së, kurse Haradinaj u përgjigj se “kundërshtimin e kemi vetëm ndaj qasjes që ka prokuroria, jo ndaj gjykatës, gjykatën e kuptoj si të rregullt dhe legjitime”.

Avokati Toby Cadman ka pyetur nëse po hetohen nga ZPS-ja kryesit e këtyre masakrave.

“S’kam dijeni, kam bindjen se ende nuk janë duke u hetuar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se veprat për të cilat akuzohet tash, i ka bërë vetëm për transparencë dhe interes publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat