Paguhet 12 mijë euro në ditë, dalin informatat e fundit për angazhimin e ekspertit gjerman

Aktuale

Paguhet 12 mijë euro në ditë, dalin informatat e fundit për angazhimin e ekspertit gjerman

Më: 17 janar 2022 Në ora: 14:27
KEK

Korporata Energjetike e Kosovës që nga dhjetori i vitit të kaluar ka angazhuar një ekspert gjerman që do të mundësonte rregullimin e turbinës në termocentralin Kosova B që është jashtë funksionit që nga data 14 dhjetor 2021.

Ekspertiza e ekspertit gjerman i ka kushtuar buxhetit të shtetit 248 mijë euro, kjo sepse ai paguhet 12 mijë euro në ditë për punën e tij.

Sipas njoftimeve të deritanishme të KEK-ut për rikthimin në funksion të njësisë B2 kanë mbetur vetëm edhe 3 ditë.

Ndërkohë, që nga KEK-u në një përgjigje kanë treguar se eksperti gjerman ende nuk ka përfunduar ekspertizën e tij.

“Sa i përket punimeve ju bëjmë me dije se përfaqësues i GE bashkëpunon me ekspertët tanë dhe është në koordinim të vazhdueshëm me kompaninë GE”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Tutje Bucolli ka njoftuar se puna në rregullimin e turbinës është duke u kryer kryesisht nga ekspertët që aktualisht ka korporata energjetike.

“Ndërsa puna kryesisht bëhet prej ekspertëve të KEK-ut. Aktualisht punimet janë duke vazhduar sipas dinamikës së paraparë dhe për zhvillimet e mëtejmë KEK do ju njoftoi me kohë”, shtoi Bucolli.

Kujtojmë se kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, dhjetorin e vitit të kaluar ka deklaruar se termocentrali Kosova B do të kthehet në funksion më 20 janar.

“Ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

KEK-u fillimisht kishte parashikuar që kontrata me kompaninë “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo” të kishte vlerën rreth 200 mijë euro, por kompania gjermane nuk ishte pajtuar më këtë shumë. Kësisoj vlera është rritur edhe për 48 mijë euro.

Kjo kompani është kontraktor i rregullt i KEK-ut që merr kontrata me procedurë të negociuar edhe për rregullimin vjetor të turbinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat