Ministria e Shëndetësisë paralajmëron vendosjen e masave të reja

Aktuale

Ministria e Shëndetësisë paralajmëron vendosjen e masave të reja

Më: 19 janar 2022 Në ora: 17:48
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë po planifikon vendosjen e masave të reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Kosovë.

Kjo për shkak se ditëve të fundit ka filluar rritja e rasteve me koronavirus në vendin tonë, ndërkaq vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy mijë e 50 raste të reja me COVID-19.

Lidhur me këtë gjendje alarmante të pandemisë, këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Drin Podrimqaku, ka konfirmuar se së shpejti të vendosin masat e reja.

“Ministri Latifi është në konsulta të vazhdueshme me ekspertët shëndetësorë dhe duke përcjellë situatën epidemiologjike, bazuar në rekomandimet e të cilëve, së shpejti do të dalim me masa të reja”, shprehet ai.

Aktualisht në Kosovë ende është në fuqi ora policore nga 24:00-05:00.

Ministria e Shëndetësisë sot njoftoi se në 24 orët e fundit janë dhënë 5.348 doza të vaksinës kundër COVID-19, kurse prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.728.214 doza të vaksinës.

Deri më sot 798.225 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, ndërkaq janë dhënë 40.561 doza përforcuese dhe 2.191 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Në këtë periudhë kohore nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Sot janë shëruar 462 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 159.371.

Në total numri i rasteve aktive është 7.266.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat