COVID-19 godet shkollat në Kosovë, raportohet për numër të lartë të infektuarish

Aktuale

COVID-19 godet shkollat në Kosovë, raportohet për numër të lartë të infektuarish

Më: 24 janar 2022 Në ora: 21:25
Ilustrim

Në shkollat e Kosovës, mësimi vazhdon të mbahet herë në shkollë e herë në platformën online, për shkak të situatës që po përballen me pandeminë Coronavirus.

Rritja e rasteve në javët e fundit në Kosovë, ka ndikuar që 27 shkolla në mbarë vendin të kalojnë në skenarin C.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Dukagjin Pupovci.

“27 shkolla kanë qenë online për shkak të numrit të lartë të infeksioneve. Disa klasa janë të mbyllura për shkak të COVID-19”, tha Pupovci.

Vetëm në Komunën e Prishtinës, aktualisht janë 15 institucione shkollore të cilat janë mbyllur për shkak të COVID-19.

Nga drejtoria e Arsimit e kësaj komune deklarojnë se shkollat që janë mbyllur aktualisht janë si në vijim:

“SHFMU “Dardania”, “Elena Gjika”, “Faik Konica”, “Ismail Qemaili”, “Meto Bajraktari”, “Xhemail Mustafa”, “Dituria”, “Pjetër Bogdani”, Mehmet Gjevori”, “Ganimete Tërbeshi”, “Sami Frashëri”, “Xhevded Doda”, “Prenk Jakova”, “Dr. Ali Sokoli” dhe “Buzëqeshja”.

“Ndërkaq, institucionet edukative arsimore dhe aftësuese që do të kalojnë në skenarin C prej nesër më datën 25.01.2022 janë:  “SHFMU “Hilmi Rakovica”, “7 Marsi”, “Xhavit Ahmeti”, “Eqrem Çabej” dhe “Xixëllonjat”, deklarojnë nga DKA-ja.

I njëjti “fat” i ka ngjarë edhe shkollës fillore të mesme të ulët “Qamil Batalli” is-Model në Prishtinë.

Në këtë shkollë, për momentin zhvillohet mësimi përmes skenarit A dhe C dhe vijojnë mësimin, 734 nxënës.

Drejtori i kësaj shkolle, Liridon Maliqi thotë se “200 nxënës janë në izolim për shkak se kanë qenë rast kontakti me të infektuar me COVID-19, ndërsa 30 të tjerë kanë rezultuar pozitiv me virus. Ndërsa, nga 28 mësimdhënës, vetëm pese prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe një punëtor teknik”.

Skenari C- alternativë që dëmton nxënësit?

Të mësuarit përmes skenarit C, që do të thotë mësim online nga shtëpia, po shihet si formë që dëmton kualitetin në arsim.

Maliqi, thotë se mësimdhënia dhe mësimnxënia përmes skenarit C, po shënon vetëm regres.

“Ndikon negativisht në cilësinë e mësimdhënies e nxënies. Përveç faktit që e kemi konstatuar ne, kemi edhe Raportin e vitit të kaluar nga Save The Children ku thuhet se ka pasë ndikim negativ apo nuk ka pasë efekt pothuajse fare të mësuarit nga distanca”.

Më tej, ai shpreh shqetësimin se kjo formë e të mësuarit, mund të ndikojë në rritjen e shkallës së analfabetëve në të ardhmën e afërt.

“Për më shumë thuhet që ky aktualitet pandemik do ketë impakt ku në vitin 2030 mund të kemi mbi 30% e popullatës Botërore analfabetë apo së paku analfabetë funksional”, tha Maliqi.

Sipas rregullave të vendosura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, nëse 5 % e numrit të përgjithshëm të nxënësve të një shkolle rezultojnë të prekur me COVID-19, shkolla kalon në sistem online.

Evidentimi i rasteve te nxënësve po bëhet më shpejt pasi nga fillimi i javës së shkuar, shkollat e kryeqytetit janë furnizuar me teste të shpejta të cilat përmes pështymës detekojnë infektimin me virus.

Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat