​Raporti i Transparency International, Szunyog përgëzon Kosovën

Aktuale

​Raporti i Transparency International, Szunyog përgëzon Kosovën

Më: 25 janar 2022 Në ora: 17:59
Tomash Szunyog

Ambasadori i BE-së në Prishtinë Tomash Szunyog ka përgëzuar Kosovën pas ngritjes në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se ka ende punë për të bërë në të ardhmen.

“Urime për Kosovën, e cila është ngritur për 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Shumë punë ende përpara. Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, shkruan Szunyog.

Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u vlerësuar me 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International. Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë.

Sipas këtij raporti, vetëm Mali i Zi qëndron më mirë në Ballkanin Perëndimor, me 46 pikë. Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia janë vlerësuar më pak.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat