Rusia do të goditet nga “opsioni bërthamor”, por ne me çka do ta godasim Serbinë?!

Aktuale

Rusia do të goditet nga “opsioni bërthamor”, por ne me çka do ta godasim Serbinë?!

Nga: Idriz Morina Më: 27 janar 2022 Në ora: 15:46
Trupat ruse drejt Ukrainës nga deti

Kriza në Ukrainë po shkon drejt përkeqësimit. Incidentet kanë filluar të shfaqen më intensivisht.

Ndërsa, duket se ende nuk janë arritur dy parakushte, njëri kohor dhe tjetri, që ka të bëjë me strategjinë ushtarake.

Sulmi ushtarak në shkurt?!

Sipas zyrtarëve të lartë shtetëror amerikan, Rusia do ta sulmojë Ukrainën, jo më larg se gjysma e shkurtit, në një ndërmjet kohë që mund të fillojë së numëruari nga tani.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Vendy Sherman, vlerëson se Rusia nuk do ta fillojë një sulm para ceremonisë solemne të hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin, me 4 shkurt, ku pritet të marrë pjesë edhe Putini, përkrah presidentit kinez Xii JinPing, dhe jo më vonë se mesi i shkurtit.

Ndërkohë të mërkurën kanë vazhduar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës me një takim në Paris, të këshilltarëve të liderëve të Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë, të cilët sot në një deklaratë, thanë se zotohen për respektimin e një marrëveshjeje armëpushimi të arritur më parë që ka për qëllim t’i japë fund konfliktit në lindje të Ukrainës.

Po ashtu këta kanë premtuar se do të takohen pas dy jave në Berlin, gjë që lë të kuptohet se deri me 10 shkurt nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Ashtu shpreson edhe Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili ndodhet në Danimarkë, për të marrë mbështetje më të madhe në rast të luftës me Rusinë.

Por, në ndërkohë Rusia është ndarë e pakënaqur nga letrat e SHBA-së dhe NATO-s, pasi këto kanë refuzuar që t’i zotohen Rusisë se aleanca nuk do të zgjerohet në lindje përfshirë Ukrainën dhe nuk do të mbajë armë të rënda sulmuese.

Ndërsa, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Rusia nuk duket se është gati për sulm, sepse ajo nuk e ka bërë gjithë grumbullimin e duhur për të filluar një luftë, numrin e pamjaftueshëm të ushtarëve dhe të taborëve përkatëse, përfshirë mungesën e spitaleve fushore dhe të ekipeve përkatëse.

Aktualisht Rusia ka grumbulluar rreth 127 mijë trupa në kufirin me Ukrainën, por vetë Ukraina numëron 200 mijë trupa aktive dhe 250 mijë rezervë. Prandaj, mendojnë ekspertët se për një pushtim i duhen shumë më shumë trupa.

Image
Punëtorët shkarkojnë nga aeroplani ndihmën ushtarake që SHBA-ja i dërgoi Ukrainës më 25 janar 2022.

Urdhri për largim dhe grumbullimi i ushtrive

Por, SHBA-ja të mërkurën (dje) e ka lëshuar një urdhër për largimin e menjëhershëm të të gjithë shtetasve të saj nga Ukraina. Një shenjë tjetër kjo se rreziku për luftë po afrohet.

Po ashtu Rusia i ka nisur gjashtë anije nga Flota e Baltikut dhe nga Flota Veriore drejt Mesdheut për manovra, dhe ekziston frika se ato mund të përdoren duke ua ‘devijuar’ rrugën drejt Detit të Zi.

Ndërsa, forcat aleate janë duke u grumbulluar në vazhdimësi në kufirin me Ukrainën, dhe disa trupa janë brenda territorit të saj, nga të gjitha shtetet aleate thuaja, si SHBA, Britania, Kanadaja etj.

Po ashtu ka regjimente të të huajve, në mijëra veta, thuaja nga e gjithë bota, të cilët janë të gatshëm të luftojnë kundër Rusisë, në mesin e tyre ka edhe pak shqiptarë, sidomos nga Shqipëria.

Kosova nëpërmjet presidentes Osmani është deklaruar pro Ukrainës, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Kosovës e ka bërë edhe një hap më tej, duke shprehur gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.

Sipas të dhënave nga mediat botërore, Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së ka vendosur rreth 8.500 trupa në gjendje gatishmërie dhe po ashtu ka bërë gati forca të tjera, që brenda pesë ditësh mund të aktivizohen në beteja.

Danimarka do të dërgojë një luftanije në Detin Baltik dhe katër aeroplanë luftarakë “F-16” në Lituani. Spanja ka dërguar një çmontuese minash dhe një luftanije për t’iu bashkuar forcave detare të NATO-s në Detin Mesdhe dhe në Detin e Zi. Spanja po e shqyrton dërgimin e aeroplanëve luftarakë në Bullgari etj. Ndërsa, Franca mund të dërgojë trupa në Rumani nën komandën e NATO-s.

Rusia në fakt në një mënyrë është në luftë me Ukrainën, pasi që nga pushtimi i Krimesë me 2014, në dy krahina të tjera Dontiesk dhe Luhan, ka mbështetur separatistë me armë dhe njerëz, në përpjekje për t’ia shkëputur Ukrainës këto dy rajone.

Nga prilli i vitit 2014, kur ka shpërthyer konflikti në ato zona të Ukrainës, janë vrarë mbi 13.200 veta.

Sipas ekspertëve ukrainas, një sulm i Rusisë nga deti, do të ishte fatal për ekonominë e Ukrainës, ndërsa llogaritet se për ukrainasit sulmi do të ishte i papërballueshëm, por ata janë të vendosur kësaj here të luftojnë vërtetë.

“Opsioni” i ri “bërthamor” kundër Rusisë

Sipas një artikulli në CNN shtetet perëndimore janë duke e kërcënuar Rusinë me sanksione të paprecedentë, në përpjekje për ta parandaluar pushtimin rus të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin. Thelbi i të gjitha sanksioneve është: shkëputja e Rusisë nga sistemi bankar botëror, i cili po shihet “opsioni bërthamor”!

Kjo është propozuar nga Ligjvënësit amerikanë, që Rusia të mund të hiqet nga SWIFT, rrjeti kryesor i sigurisë së lartë i mbi 11 mijë institucioneve financiare në botë.

Rusia kësaj i është kundërpërgjigjur me kërcënimin për ndaljen e dërgesave të naftës, gazit dhe metaleve në Evropë.

"Ndërprerja do të ndalonte të gjitha transaksionet ndërkombëtare, do të shkaktonte paqëndrueshmëri të monedhës dhe do të shkaktonte dalje masive të kapitalit," ka shkruar Maria Shagina, një bashkëpunëtore vizitore në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, në një punim vitin e kaluar për Carnegie Moscoë Center, transmeton CNN.

SWIFT e ka selinë në Belgjikë dhe drejtohet nga një bord i përbërë nga 25 veta.

Kryeministri britanik Boris Johnson u tha ligjvënësve të martën se qeveria e tij po diskutonte mundësinë e ndalimit të Rusisë nga SWIFT-i së bashku me Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Rusia e ka krijuar sistemin e saj të pagesave, SPFS, pas goditjes nga sanksionet perëndimore në 2014 kur e aneksoi Krimenë. Por, SPFS-ja sipas Shaginës e ka madhësinë e mesazheve të kufizuar dhe operacionet janë të kufizuara në orë dhe ditë.

Po ashtu Rusia mund të mbështetet në sistemin e ri të pagesave ndërbankare të Kinës i njohur si CIPS.

Por, bazuar në reagimet e deritashme dhe përgatitje anglo-amerikane, dhe të disa aleatëve të tyre, duket se në rast të një sulmi të plotë rus ndaj Ukrainës, do të kemi një luftë të hapur të Rusisë me perëndimin.

Në rast të një sulmi të kufizuar në Donetsk dhe Luhans, perëndimi sërish nuk do të rrijë duarkryq, por Rusinë do ta mbajë të ngujuar aty, dhe vetë do ta ndihmojë Ukrainën me të gjitha mjetet e mundshme për të luftuar me Rusinë.

Aq më tepër që tashmë duken shumë më të motivuar për luftë vetë ukrainasit, rreth 30 vjet pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik.

Veriu i Kosovës

Por, në rast se Serbia po e pret e dalldisur këtë skenar lufte në Ukrainë, dhe synon një inkursion në veri të Kosovës, si do ta zmbrapsim ne?!

Mbase Rusia do të bëjë një inkursion të kufizuar në Ukrainë, dhe në skenarin e dytë, don ta zhysë Serbinë në luftë në Ballkan.

Në njërën anë e ka të gatshme Republikën Serbe të Bosnjës ku Rusia është shumë aktive atje, dhe tashmë mund të veprojë, dhe vet lideri i atjeshëm serb Dodik, një marionetë e Rusisë dhe Serbisë, mezi s’po pret një sinjal, që të veprojë për ta shpallur të pavarur Republikën Serbe, realizimin e së cilës don ta bëjë qoftë edhe më një konflikt të kufizuar ushtarak.

Por, kjo situatë e re, do t’i hapte mjaft probleme NATO-s, SHBA-së dhe Europës, pasi qeveria e re do të ishte proruse dhe mund të marrë vendim edhe për vendosjen e ndonjë kontingjenti ushtarak rus, të cilin nuk e ka deri tash.

Ndërsa, në veri të Kosovës Serbia mund të zhvillojë një inkursion ushtarak dhe të veprojë me synim që t’ia bashkojë atë territor asaj. Kjo njëkohësisht do të hapte një front të ri, dhe do ta vendoste NATO-n në një situatë problematike, por që Rusia do të mund ta shkarkonte një pjesë të trysnisë në konfliktin në Ukrainë.

Të gjitha këto skenarë ende nuk kanë përgjigje të plotë, pa e ditur rolin apo reagimin që mund ta ketë Kina, pasi një aleancë ruso-kineze është më se e qartë, e shprehur edhe në stërvitjen e përbashkët ushtarake ruso-kinezo-iraniane!

Por, ne çfarë jemi duke bërë, përveç se kemi blerë 40 fluturake, që nuk mundësojnë asgjë më shumë se sa vëzhgimin e kufirit.

Vëzhgimi i kufirit është i pamjaftueshëm, pa fuqinë goditëse ndaj armikut!

Image
Tabela nga Giovana Faria. Burimi: Global Firepoëer 2022

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat