Këta ishin personat që Tahir Zemajt ia bllokonin armët për çlirimin e Kosovës, ja çfarë thoshte koloneli për Nasim Haradinajn

Aktuale

Këta ishin personat që Tahir Zemajt ia bllokonin armët për çlirimin e Kosovës, ja çfarë thoshte koloneli për Nasim Haradinajn

Më: 29 janar 2022 Në ora: 21:52
Tahir Zemaj, foto "Bota sot"

Në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, përveç që flitet për shumë gjëra rreth luftës së kolonelit Tahir Zemaj, gjithashtu në këtë libër ishin sqaruar edhe disa detaje tjera, që opinioni di shumë pak për to.

Një prej tyre, Zemaj aty flet në detaje edhe për emrat e atyre që ia bllokuan armët, që siç thoshte ai, armët për çlirimin e Kosovës.

Zemaj në librin e tij, thekson gjithashtu se gjatë luftës ekzistonte një grup pranë sektorit Logjistik të LPK-së që merrej veçanërisht me pengimin e armatosjes.

“Kush i bllokonte armët që nevojiteshin për çlirimin e Kosovës? Ekzistonte një grup pranë sektorit Logjistik të LPK-së që merrej veçanërisht me pengimin e armatosjes së luftëtarëve shqiptarë të njësive operative të Ministrisë së Mbrojtjes”, shkruhet në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Tutje, Zemaj deklaronte se këto armë do të siguronin një epërsi të padiskutueshme ushtarake dhe morale të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, përcjell “Bota sot”.

“Ky grup duke vënë re kualitetin dhe sasinë e armatimit të porositur nga Ministrisë së Mbrojtjes, i cili, po të arrinte në terren dhe të përdorej në luftë kundër forcave serbe do të siguronte një epërsi të padiskutueshme ushtarake dhe morale te Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Do të thotë do të sigurohej epërsia e luftëtarëve shqiptarë të këtyre njësive ndaj atyre të Serbisë. Kjo gjë nuk mund të tolerohej nga LPK e cila kërkonte që më parë të shkatërronte konkurrentin për pushtet brenda shqiptar, dhe këtë ta bënte nëpërmjet Serbisë, me shpresë se kështu do ta kishte më të lehtë të vinte në pushtet”.

Zemaj thoshte se në LPK ekzistonin të paktën tri fraksione kryesore që udhëhiqeshin nga Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti dhe Muhamet Kelmendi.

“Nga mesin i muajit qershor 1998 në LPK ekzistonin të paktën tri fraksione kryesore që udhëhiqeshin nga Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti dhe Muhamet Kelmendi. Që të tri këto grupe instruktoheshin nga komesarë specialë të Partisë Socialiste, të Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të shërbimeve speciale të ministrive të rendit dhe të mbrojtjes”.

“Publikisht janë paraqitur emrat e Bedri Islamit, Koço Danajt, Dilaver Goxhaj, Shaban Brahaj, Fatos Klosi dhe një pjesë e mirë e komunikatave të fillimit në emër të Shtabit të Përgjithshëm janë përpiluar nga Shaban Sinani, ish-zëdhënës i Ramiz Alisë”, thuhet në librin e tij.

Ai gjithashtu potenconte se fraksioni i LPK-së, i drejtuar nga Ibrahim Kelmendi, bashkëpunonte me pjesën tjetër të LPK-së, vetëm kur vinte puna për të bllokuar armatimin, përcjell “Bota sot”.

“Fraksioni i LPK-së, drejtuar nga Ibrahim Kelmendi, bashkëpunonte me pjesën tjetër të LPK-së, vetëm kur vinte puna për të bllokuar armatimin, për të bllokuar vprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Një degë e këtij fraksioni qe instaluar në MM dhe përbëhej nga Xhafer Jashari, shef i logjistikës, zëvendësi i tij ka qenë Tahir Zejnullahu. Fadil Demiri, Ramadan Gashi, Binak Gashi, Agim Hazirin Skender Hasimi, Armando Arbana, Genc Kelmendi etj. Këta njerëz pas vrasjes së Ahmet Krasniqit kanë marrë fuqi të madhe në Ministrinë e Mbrojtjes duke u bërë krahu i djathtë i ministrit të ri, zotit Bicaj”, thuhet mes tjerash.

“Për të ilustruar këtë të vërtetë po sjell edhe emrin e një nënoficeri Ramadan Gashi, që drejtonte të gjitha referimet. Të gjithë ushtarakët nga terreni raportonin para ministrit në prezencën tij. Behxhet Mehmeti, (Bajrami) një njëri i LPK-së, jo fort i pastër para drejtësisë zvicerane, vjeni dhe vepron pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që ministri Bicaj nuk bënte asgjë pa praninë e këtyre njerëzve”.

Ndërsa, gjithashtu kishte bërë një pyetje publike se pse armatimi, që blihej dhe u dërgohej njësive të Ministrisë së Mbrojtjes, duhej të kalonte përmes duarve të Nasim Haradinajt, për këto koloneli deklaronte se ministri Bicaj duhet të ketë një përgjigje për këtë pyetje, përcjell “Bota sot”.

“Vet ish ministri mund ta shpjegojë më mirë pozitën e tij, veprimet dhe mos veprimet në këtë drejtim. Të gjitha strukturat ushtarake të Shqipërisë, ushtria, policia, policia financiare, SHIK-u etj, kanë synuar shkurajimin e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes. Lind pyetja: pse armatimi, që blihet dhe u dërgohet njësive të Ministrisë së Mbrojtjes, duhej të kalonte përmes duarve të Nasim Haradinajt? Ministri Bicaj duhet të ketë një përgjigje për këtë pyetje të thjeshtë. Ministri duhet të ketë informacione se sa herë është shitur, se çfarë drejtimi ka marrë dhe ku ka përfunduar armatimi modern. Unë kam përshtypjen se i gjithë ky pështjellim është bërë në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm të LPK-së”, shpjegonte Zemaj në librin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat