Mos u shqetësoni nga vizita e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë: Ky është një rast i mirë!

Aktuale

Mos u shqetësoni nga vizita e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë: Ky është një rast i mirë!

Nga: N. Sh. Më: 31 janar 2022 Në ora: 11:38
Gabriel Escobar, Mirosllav Lajçak

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pasditën e sotme do të arrijnë në Kosovë.

Dy emisarët do të takohen sot me presidenten Vjosa Osmani.

Ardhja e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë, sipas ish kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, nuk duhet të merret me shqetësim e frikë.

Sipas tij, është rast i mirë për të shpërfaqur të vërtetën e plotë të marrdhënieve Kosovë-Serbi.

“Të ndërpritet praktika e gabuar 10-vjeçare e dialogut me Serbinë

Vizita e Eskobari dhe e Lajçakut në Kosovë nuk duhet të merret me shqetësim e as me frikë. Madje ajo duhet të kuptohet si një rast i mirë për ta shpërfaqur të vërtetën e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. E ajo e vërtetë është se nuk kemi të bëjmë vetëm me problemin e serbëve në Kosovë, respektivisht në veriun e Kosovës, por edhe me problemin e shqiptarëve në Serbi, respektivisht në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë)”, shkruan Klinaku në facebook.

Sipas tij, vetëm kështu shtrohet drejt problematika e raporteve Kosovë-Serbi dhe vetëm kështu do të mund të prisnim realisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Nëse e vazhdojmë praktikën 10-vjeçare të dialogut e që është bisedime vetëm për çështjen e serbëve në Kosovë, në vazhdimësi do të përballemi me kërkesa të paarsyeshme të Serbisë, të cilat nuk do të mund t’i përmbushim asnjëherë dhe presioni vazhdimisht do të bie mbi ne për kompromise të ndryshme. Dhe kështu dialogu do të vazhdojë deri në pafundësi dhe zgjidhje nuk do të ketë”, shkruan tutje ai.

Ndryshe, rifillimi i dialogut si dhe Asociacioni pritet të jenë dy çështjet që do të jenë ne fokus të takimeve të dy emisarëve me krerët e shtetit dhe liderët politikë të Kosovës.

Qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat