Dardan Sejdiu: Kurti duhet ta heq qafe Serbinë

Aktuale

Dardan Sejdiu: Kurti duhet ta heq qafe Serbinë

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 22:45
Dardan Sejdiu

Opinionisti Dardan Sejdiu ka thënë se Qeveria Kurti duhet të shfrytëzojë situatën e krijuar dhe të arrijë një marrëveshje finale me Serbinë për të vazhduar më pas me marrjen e njohjeve nga shtetet mosnjohëse të BE-së.

Ai tha se vizita e dy emisarëve, amerikanit Gabriel Escobar dhe evropianit Miroslav Lajçak, është vizitë kurtuazie me qëllim shpalosjen e pozicioneve formale mbi këtë çështje.

“Qasja mund të jetë ndryshe, por qëllimi final i të dyjave, BE-së dhe ShBA-së, është i thjeshtë: një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila duhet të shpie në njohje reciproke. Kjo është terminologjia që përdoret që sa vite nga administrata amerikane”.

“Një kryeministër me kaq porosi të qartë me 51 përqind të votave duhet ta shfrytëzojë këtë situatë dhe të na heqë qafe Serbinë, së paku karshi BE-së. Pra, ShBA e ka një pozicion të qartë”.

Sejdiu tha se në asnjë takim të dialogut, pala kosovare s’ka shkuar pa një dakordim me administratën amerikane, qoftë edhe ajo e Trumpit.

“Në çdo takim, pa përjashtim, prej asaj kohe deri sot, ekziston një koordinim i qeverive dhe ekipeve negociuese me amerikanët para se të futen në takim me evropianët. Nuk ka asnjë nënshkrim pa dakordimin e ShBA-së”.

Sejdiu tha se dinamika e këtij procesi do të përshpejtohet dhe se Kosova duhet të fillojë të bëjë gati draftin për statutin e Asociacionit që të shkojë në takim me ide.

“Nuk duhet që një pozicion kaq të mirë, që ka meritë ky kryeministër dhe jo vetëm, të lëshohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat