​Humolli: Nuk më ka thënë askush që ka pasur njerëz të ndaluar nga Salih Mustafa

Aktuale

​Humolli: Nuk më ka thënë askush që ka pasur njerëz të ndaluar nga Salih Mustafa

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 12:25
Fatmir Humolli

(E plotësuar 16:57) - Përfundon dëshmia e Fatmir Humollit në Hagë

Ish-pjesëtari i Zonës Operative të Llapit, Fatmir Humolli ka thënë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë se nuk ka parë apo dëgjuar ndonjëherë që Salih Mustafa të ketë ndaluar apo keqtrajtuar njerëz. Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Mustafës, ai ka thënë se gjatë luftës nuk ka parë ndonjë ndërtesë në Zllashë e cila ruhej në një mënyrë të veçantë.

Humolli, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, është përgjigjur në pyetje nga avokati mbrojtës i Salih Mustafës.

Avokati Julius Von Bone: A ju ka treguar kush ju nëse zotëri Mustafa ka mbajtur ndonjëherë të ndaluar njerëz?

Dëshmitari Humolli: Nuk më ka thënë askush që ka pasur të ndaluar nga Salih Mustafa.

Avokati Julius Von Bone: Vet zotëri Mustafa a ju ka treguar se ka mbajtur ndonjëherë të ndaluar njerëz?

Dëshmitari Humolli: Jo.

Avokati Julius Von Bone: A ju ka treguar ndonjëherë se ka urdhëruar për ndalimin e njerëzve?

Dëshmitari Humolli: Jo.

Avokati Julius Von Bone: A ju treguar ndonjëherë se ka keqtrajtuar njerëz?

Dëshmitari HumolliJo.

Avokati Julius Von Bone: A keni dëgjuar nga ndonjë tjetër gjatë luftës ,gjatë periudhës së prillit 1999 se zotëri Mustafa kishte keqtrajtuar, ndaluar apo rrahur ndokënd?

Dëshmitari Humolli: Nga eprorët dhe nga ushtarët që i kam njohur atëherë që i kam takuar, asnjëherë nuk kam dëgjuar.

Avokati Julius Von Bone: A keni dëgjuar nga familja juaj ku kishin qëndruar aty a ju kanë thënë anëtarët e familjes se në atë vend kishin vënë re apo kishin dëgjuar a kishin parë se mbanin të ndaluar njerëz apo i keqtrajtonin?

Dëshmitari Humolli: As familja ime nuk më ka thënë që ka pasur diçka të tillë.

Avokati Julius Von BoneGjatë kohës që ju vet keni qenë tek vendi që shikojmë këto fotografi ju vet a keni parë se ka mbajtur të ndaluar njerëz aty?

Dëshmitari Humolli: Jo.

Avokati Julius Von Bone: A keni vënë re se mos ndonjë ndërtesë aty e veçantë ruhej me rojë në veçanti?

Dëshmitari Humolli: Jo.

Fatmir Humolli ka deklaruar se asnjëherë, gjatë apo pas luftës, nuk ka dëgjuar që Salih Mustafa ka kryer ndonjë krim.

Humolli: BIA nuk ka pasur mandat të arrestojë njerëz

Struktura e gueriles BIA asnjëherë nuk ka pasur mandat me arrestu, ka funksionuar në qytet dhe detyrat kryesore të tyre kanë qenë me u informu për pozicionet e forcave serbe , për logjistikë, për nevojat shëndetësore të spitalit ushtarak që ka qenë në Potok dhe ata kanë mundur me vepru vetë, në rast rreziku të jetës së tyre, ndryshe nuk kanë pasur mision në këtë periudhë me vepru ushtarakisht në Prishtinë”, ka thënë Humolli.

Humolli ka thënë se çdo pjesëtar i BIA-s ka pasur mundësi të strehohet në çdo njësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka qenë në periferi të Prishtinës.

Humolli: Nuk ka pasur mundësi të identifikohen pjesëtarët e njësisë BIA

Pjesëtarët e gueriles nuk ka pasur mundësi me i identifiku asnjë epror i zonës operative pa lejen e Salih Mustafës dhe për këtë as komandanti i shtabit operativ nuk ka pasur të drejtë me kërku prej Salih Mustafës [për vijën organizative brenda qytetit, edhe njerëzit nuk kanë pasur mundësi me i identiku strukturat e tjera pa pasur nevojë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa gjatë përgjigjeve të tij për prokurorinë, Humolli ka thënë se njësia BIA nuk ishte nën komandën e ndonjë brigade të UÇK-së.

Ai ka deklaruar se BIA ka qenë njësi në vere dhe se e njëjta ishte nën komandë vetëm të Salih Mustafës.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

Humolli skeptik se Gjykata Speciale mund të japë vendime të drejta

Në sesionin e parë të gjykimit të së mërkurës, në rastin e Salih Mustafës, dëshmitari Fatmir Humolli ka thënë se është skeptik se Gjykata Speciale mund të japë vendime të drejta.

Ndryshe, Humolli është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe dëshminë e tij e ka filluar të martën në këtë gjykim, ku Mustafa po akuzohet për krime lufte.

Fillimisht, prokurori Cezary Mihailzcuk e ka lexuar një citat të tij, ku kishte krahasuar Gjykatën Speciale me Guantanamon dhe e ka pyetur çka do të thotë me këtë krahasim.

Është saktë që kur u bombardonin popullata civile, teknologjia e NATO-s nuk e shihte formacionet serbe duke luftuar kundër popullatës civile, për mua që njoh armët e teknikën është absurde qysh s’i kanë pa që luftonin kundër popullatës civile”, ka thënë ai.

Tutje ai foli për gjykimet që kanë ndodhur në Prishtinë e në Hagë.

“Në Prishtinë e Hagë ka pas gjykime ndaj anëtarëve të UÇK-së se gjoja kanë bërë krime, janë dënu e gjyku në Hagë e në Prishtinë. Komandanti i Salih Mustafës është gjyku në Prishtinë dhe me çfarë arsye ka pas të drejtë Kuvendi ose i ka bërë presion Kuvendit që me u bo kjo gjykatë, ku ne po folim me gjuhë të ndryshme, kur ka mundur të bëhet gjykimi në Prishtinë si i Rrustem Mustafës, Sylejman Selimit dhe eprorëve që janë dënu e gjyku në Prishtinë”, tha Humolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Humolli pyeti se me çfarë mund të arsyetohet në kuptimin politik, që është e drejtë një gjykatë e tillë, ndërsa shtoi se mendimet e tij i thotë në opinion e edhe në Kuvend.

“Mendimet e mia edhe në opinion e Kuvend i them se kjo gjykatë është bërë prej presionit të miqve të Serbisë për me pengu zhvillimin e Kosovës, duke pas një gjykatë të tillë, asnjë investim serioz nuk vjen sot në Kosovë se çdo investitor kur e sheh që Kosova nuk ka mundësi me i gjyku njerëzit e vet, ai nuk rrezikon me investu”, deklaroi dëshmitari.

Ai thotë se beson që edhe në kuptimin paraprak, kjo gjykatë ka mundur shumë lehtë të funksionojë në Prishtinë, pa asnjë telashe.

Prokurori Cezary Mihailzcuk e ka pyetur se a e ka quajtur këtë gjykatë të padrejtë dhe raciste.

“I kam dërgu letër edhe deputetëve mos me votu e kam vlerësu që është e padrejtë”, ka thënë Humolli, e më pas prokurori i lexoi një postim në rrjetin social “Facebook”, ku sipas tij Humolli gjykatën e kishte etiketuar me këto fjalë.

Nga prokuroria është pyetur nëse vazhdon të ketë respekt për këtë institucion, por se çka tha Humolli nuk u bë e ditur për publikun pasi u redaktua përmbajtja.

“Si e respektoni një gjykatë që në pikëpamjen tuaj është e padrejtë”, ka pyetur prokurori.

Kurse, Humolli tha se si Lëvizje Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) si ka ardhë KFOR-i në Kosovë e kanë quajtur të padrejtë dhe mënyrën se si ka bombarduar NATO.

“Si të kish dashtë NATO me na ndihmu na kish furnizu me armë e municion dhe ne e kishim mbrojtë popullatën dhe në vazhdimësi ka shku në presion të Kosovës, por ne kemi menduar për gjatë, KFOR-it i kam thënë në zyrën time në LKÇK, i kam thënë nuk jeni neutral, jeni pro serb, kam tregu KFOR-it e UNMIK-ut që ne kemi me iu mund politikisht dhe i kemi mundur politikisht e kemi shpall pavarësinë”, thotë ai.

“Dhe besoj se kjo gjykatë, duke besu te opinioni ndërkombëtar dhe jo politik, besoj te versionet teknike në gjykatë që nuk ka ndikim politik, por si institucion i ndërtuar është i kësaj natyre”, thotë tutje Humolli.

Kur u pyet se si e respekton një institucion që e konsideron të padrejtë , ai tha se mund ta respektojë duke treguar të vërtetën para këtij institucioni, pasi është i bindur që me të vërtetën gjithmonë do të dalin fitimtar.

“Duhet të kuptoni edhe ju edhe gjykata se për neve jeta pas luftës është “Qelefir” si thonë shqip, që do të thotë të jetojmë sa jetojmë se e kemi kryer misionin gjatë luftës”, ka thënë Humolli.

Prokurori e pyeti se a e ka quajtur gjykatën institucion politik që nuk mund të garantojë gjykime të drejta.

“Ky është deklarim i imi publik që ky institucion është bërë me presion politik. Kuvendi njëherë nuk ka votu për këtë gjykatë dhe për shkak të presionit u detyrua edhe njëherë brenda ditës duke korruptuar deputetë me votu”, ka thënë ai, duke shtuar se për këtë arsye nuk mund të ketë kredibilitet politik.

Me Salih Mustafën tha se i ka bashkuar lufta për drejtësi dhe ndër të tjera tha se në momentin që devijohet nga drejtësia nuk mund të jetë mik i tij.

“Edhe për këto është duke u bërë gjykimi, nëse vërtetohet ajo çka janë akuzat, atëherë nuk mund të jetë mik i imi”, ka thënë Humolli.

Ai tha se derisa nuk vendoset dhe nuk ka vendim, e vërtetim, Salih Mustafa është miku i tij dhe do të mbetet miku i tij.

Prokurori e ka pyetur se a ka postuar në “Facebook” ndonjë postim në mbështetje të Salih Mustafës, e ai e konfirmoi këtë.

“Kemi besuar që është i pafajshëm dhe prapë besojmë”, ka thënë ai.

“I pari është 25 shtator 2020 dhe postimi tjetër është 28 tetor 2020, në këto postime përshkruani Salih Mustafën kur është paraqitur në gjykatë. Pyetja ime në fakt ishte kur po bënit këto postime lidhur me Salih Mustafën në Facebook, a ishte mënyra e juaj për t’i treguar mbështetjen Salih Mustafës”, ka thënë prokurori.

Humolli tha se ai e mbështet drejtësinë dhe se e trimëron të qëndrojë drejtë dhe nëse ka bërë gabime të tregojë gabimet dhe nëse nuk ka bërë gabime ta mbrojë veten deri në fund.

Prokurori e pyeti se pse vendosi ta mbështeste Mustafën, kur nuk i dinte akuzat ndaj tij dhe sa të rënda ishin.

“Ne e dimë që lufta dhe jeta e tij ka qenë në shërbim të vendit, asnjëherë nuk ka qenë luftë egoiste për interesa personale”, ka thënë Humolli.

Ndër të tjera, ai tha se i ka thënë familjes së Mustafës se mund të dëshmojë në gjykim.

“Familja ka bisedu me avokatin, avokati me mua, ju keni marrë leje prej avokatit si më ke thënë mu për me diskutu dhe kemi diskutu dhe sot jam këtu si rezultat i ftesës që ma ke bërë ti”, tha Humolli.

Pokurori i lexoi pjesë të deklaratës së tij, ku kishte thënë “Kur Salih Mustafa u arrestua, shkova vizitova familjen e tij dhe i thash se jemi të gatshëm të dëshmojmë për ato që dimë lidhur me Salih Mustafën”.

Humolli tha se për të ka qenë befasi arrestimi i Mustafës e edhe për qytetarët e opinionin.

Dëshmitari u pyet se pse ka menduar se mund të jetë dëshmitar i mbrojtjes pa i ditur akuzat.

“Duke pas parasysh formimin e Gjykatës së Hagës, që në start e kemi pas në start çfarë orientimi ka dhe për atë i jam ofruar dhe i ofrohem çdo bashkëluftëtari që ka nevojë për me zbulu të vërtetën ashtu që është. Prej ’99-ës hetuesit ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje me qindra njerëz kanë pyet për mu, kanë njoftu që po pyesin për mu dhe nuk kanë gjet asnjë dëshmi, se sot do të isha në vend të Mustafës, pasi politikisht kam qenë kundër”, tha ai.

Tutje, tha se për mendimin e tij arrestimet janë politike dhe nuk janë për me e zbardhë të vërtetën.

“Këto mendimet e mia politike nuk e di sa i hyjnë në punë gjykatës. Është e vërtetë çka them për Salih Mustafën, nuk mërzitem çka mendojnë tjerët dhe pasojat që mund të shkaktohen prej kësaj, unë e them të vërtetën”, ka deklaruar Humolli.

Ai tha se nga viti 1999 të shikohet fjalori i tij politik, gjithçka është në përputhje me atë çka po e thotë sot dhe nuk ka kundërthënie.

Tutje, tha se në asnjë nga deklaratat nuk ka përmendur se ka vizituar ndërtesën ku ishin të plagosurit dhe u pyet a ka shkuar ndonjëherë në ndonjë ndërtesë.

Sipas dëshmitarit, përderisa i kanë larguar të plagosurit nga ajo ndërtesë, pa shkuar në ndërtesë nuk kanë mundur t’i largojnë dhe ndihmojnë dhe se u kanë dhënë motivim për të qëndruar dhe për t’u shëruar.

Ai tha se largimi i të plagosurve është bërë pak orë para se të ketë mundësi të fillojë ofensiva kundër Zllashit dhe i kanë larguar para mëngjesit kur i kanë dërguar për Koliq.

“Por, në deklaratën e dhënë në prokurori dhe mbrojtjes, nuk keni përmendur që keni vizituar të plagosurit, pse nuk e keni përmendur atëherë dhe vetëm sot e thatë”, ka pyetur prokurori.

Humolli tha se atëherë nuk e ka pyetur dhe derisa nuk e ka pyetur prokurori e ka parë në atë mënyrë që nuk ka nevojë të ketë dijeni për këtë informatë.

***

Gjatë ditës së sotme ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës.

Ky proces ka filluar pak minuta më parë, përcjell “Bota sot”.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat